E hënë, 28 Shtator, 2026

Vuçiç jep dorëheqjen pas 9 vitesh në Presidencën e Serbisë, rikthehet në garë për kryeministër, ja mesazhi i fortë për Kosovën dhe lidhjet me Lindjen, Serbia përballet me një kapitull të ri politik

Share

Aleksandër Vuçiç dha dorëheqjen ditën e djeshme nga posti i Presidentit të Serbisë, pas më shumë se nëntë vitesh në krye të shtetit. Në fjalimin e fundit nga Presidenca, ai bëri një bilanc të dy mandateve, por foli edhe për rrugën që, sipas tij, Serbia duhet të ndjekë më tej, duke u ndalur te Kosova, kursi evropian, marrëdhëniet me Lindjen dhe zhvillimi ekonomik.

“Sot është dita, të nderuar qytetarë, kur jap dorëheqjen dhe, për herë të fundit në detyrën e Presidentit të Republikës, do të përpiqem të mos ju lodh me shifra, ose të paktën jo as gjysmën e asaj që mundem, por të them disa fjalë për kapitullin e ri që e pret Serbinë dhe për atë që duhet të bëjnë ata që marrin besimin e popullit”, tha Vuçiç.

Kosova

Dhe pikërisht te ky “kapitull i ri”, Vuçiç përfshiu edhe Kosovën. Mes porosive për ata që do të drejtojnë Serbinë në të ardhmen, ai tha se duhet të vazhdojë mbështetja për serbët në Kosovë dhe kundërshtoi idenë që Beogradi të heqë dorë prej saj për t’u përqendruar te e ardhmja.

“Do të duhet të mbrojmë popullin tonë në Kosovë dhe Metohi dhe të mos lejojmë ata që do të përpiqen t’i bindin të gjithë që të heqim dorë sa më shpejt nga Kosova, sepse kështu, sipas tyre, nuk do të shohim më nga e kaluara, por nga e ardhmja. Prandaj, të gjithë do të duhet t’i rezistojnë kësaj.

Qytetarët le të mendojnë vetë”, tha Vuçiç. Nga Kosova, Vuçiç e zgjeroi mesazhin te drejtimi politik dhe ekonomik që Serbia duhet të ndjekë në vitet e ardhshme. Ai kërkoi vazhdimin e rrugës evropiane, por njëkohësisht ruajtjen e lidhjeve me ato që i cilësoi si “miqtë tradicionalë në Lindje”.

Zhvillimet

Në të njëjtën pjesë të fjalimit, ai e lidhi të ardhmen e vendit edhe me zhvillimin teknologjik. Vuçiç foli për inteligjencën artificiale, robotikën dhe inovacionin, duke paralajmëruar se Serbia nuk duhet të mbetet pas në një kohë kur, sipas tij, Evropa ka humbur terren në raport me SHBA-në dhe Kinën. “Serbia, duke vazhduar rrugën e saj evropiane dhe duke u kujdesur për miqtë e saj tradicionalë në Lindje, do të duhet të zhvillohet ekonomikisht edhe më shpejt”, tha ai. Përpara se të fliste për atë që e pret Serbinë, Vuçiç u kthye pas në vitet e tij në pushtet.

Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe për dy fitoret në zgjedhjet presidenciale të viteve 2017 dhe 2022. “Me mirënjohje të jashtëzakonshme, jo vetëm për dy fitoret madhështore në vitet 2017 dhe 2022, që në raundin e parë dhe me diferencë të madhe, por mbi të gjitha ju falënderoj që keni qëndruar gjithmonë në krah të vendit tuaj”, tha ai. Një pjesë të bilancit Vuçiç ia kushtoi ekonomisë. Ai krahasoi situatën e sotme me vitin 2012, duke deklaruar se atëherë papunësia ishte 25,9 për qind dhe papunësia mes të rinjve 54 për qind.

Sipas tij, borxhi publik, që kur u bë kryeministër ishte 77 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sot është 43 për qind. Ai tha gjithashtu se gjatë këtyre viteve janë hapur më shumë se 300 fabrika dhe impiante dhe se Serbia, pavarësisht se ka rreth 500 mijë banorë më pak, ka sot 500 mijë të punësuar më shumë se në vitin 2012. “Këto janë fakte, këto janë rezultatet, siç thotë tabela e rezultateve, pavarësisht nëse dikujt i pëlqen t’i dëgjojë apo jo”, deklaroi Vuçiç.

Bilancin e tij e lidhi edhe me krizat që Serbia ka kaluar gjatë kësaj periudhe, nga pandemia e Covidit te lufta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe konfliktet e tjera në botë. Sipas Vuçiçit, Serbia gjatë kësaj kohe ka arritur të ruajë paqen dhe stabilitetin. Para se të largohej nga Presidenca, Vuçiç njoftoi edhe një prej vendimeve të tij të fundit si kreu i shtetit: faljen dhe amnistimin e 49 personave.

Ai tha se 23 prej tyre lidhen me ngjarjet e një viti e gjysmë të fundit në Serbi. “Mora vendimin për faljen dhe amnistimin e 49 personave. Prej tyre, 23 persona lidhen me të gjitha këto ngjarje të tmerrshme nëpër të cilat kemi kaluar gjatë një viti e gjysmë të fundit”, tha ai.

Vendimi

Por fjalimi i lamtumirës nga Presidenca nuk është edhe një lamtumirë nga politika. Vuçiç do të hyjë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, pasi Partia Progresive Serbe e ka vendosur në krye të listës zgjedhore dhe e ka kandiduar për kryeministër.

Vuçiç u zgjodh President për herë të parë në prill të vitit 2017 dhe mori mandatin e dytë në vitin 2022. Me dorëheqjen e tij hapet procedura për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ndërsa ai ka deklaruar më herët se detyrën e Presidentit të përkohshëm duhet ta marrë kryetarja e Asamblesë Kombëtare, Ana Brnabiç.

Te tjera

Lajme te tjera