Një tjetër operacion kundër Call Center-ave është duke u zhvilluar në Tiranë nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në vijim të goditjeve të fundit ndaj rrjeteve të mashtrimit.
Aksioni po zhvillohet në zonën pranë shkollës “Sami Frashëri”, ndërsa sipas gazetares Klodiana Lala, operacioni është realizuar në bashkëpunim me autoritetet franceze.
Gjatë ndërhyrjes është shoqëruar të paktën një punonjës policie, ndërsa aktualisht mungon një reagim zyrtar nga institucionet për detaje të mëtejshme.
Ky zhvillim vjen pas një serie operacionesh të fundit kundër Call Center-ave në vend. Vetëm pak ditë më parë, Policia e Shtetit goditi një rrjet mashtrimi që dyshohet se u ka marrë qytetarëve europianë rreth 50 milionë euro, ku u arrestuan 10 persona dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim.
Ndërkohë, edhe në një tjetër aksion të mëhershëm të SPAK, u arrestuan 8 persona dhe 3 të tjerë u shpallën në kërkim, duke treguar një intensifikim të hetimeve ndaj kësaj veprimtarie.
