Nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Në Kolonjë lëvizja patriotike shqiptare brez pas brezi nuk i ka hequr kurrë armët nga supi, kur atdheu ndjente peshën e pushtimit dhe të robërisë. Atdhedashuria këtu është një ndjenjë e bashkëlindur, thellësisht njerëzore dhe nuk ka munguar asnjëherë në jetën se tyre. Mbijetesa në historinë tragjike të popullit tonë e ka ngulitur thellë këtë ndjenjë, duke e bërë një me qënien e tij deh ka hedhur rrënjë të thella. Kolonja është një shqiponjë e lavdishme e gjuhës shqipe me patriotin, Rilindasin Petro Nini Luarasin, Nolin e Madh, atdhetarin e shquar Faik Konica, vëllezërit Sali e Gani Butka, Spiro Bellkamenin, Muço Qullin, Kristo Luarasin e Tosun Selim Selenicës, e shumë të tjerë.
Ndërsa në epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Kolonja ka zë një vend me rëndësi, për kontributin e madh që dha duke mbushur çetat, batalionet e brigadat me luftëtarë të denjë, me komandantë e komisarë, me gjeneralë, të cilët janë nga Prodani e Kozeli, Staria, Stratobërda, Vodica, Shalësi e Leskoviku. Ata janë të pambaruar, siç janë dëshmorët e panumërt dhe të Kolonjës.
Familje me rrënjë të thella
Selenicë e Pishës është fshati i lindjes së Tosun Selim Selenicës. Fshati shtrihet në shpatet e maleve të larta plot pisha, në kufi me Përmetin. Lindi në qershor të vitit 1892, në një familje me rrënjë të thella dhe trung të madh. Gjyshi Sejfullahun rregullonte bashkëjetesën harmonike të fisit. Fëmijët i edukuan me dashurinë për atdheun. Në godinën e madhe gjendej “konaku” i miqve dhe i “kuvendeve të pleqve”. Mbrëmjeve në këtë dhomë mblidheshin djem e vajza me të moshuarit e hoxhakut, ku në krye Sejfullahun tregonin kujtimet e largëta, ju fliste për trimëritë e paraardhësve, për figurat e mëdha historike të kombit shqiptar. Në muret e konakut ishin të vendosur portretet e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Vëllezërve Frashëri dhe të mjaft patriotëve kolonjarë. Në këtë ambjent atdhetar dhe patriotik u lind dhe u rrit Tosuni, luftëtar dhe trim, që bëri histori në Luftën e Parë Botërore.
Tosuni mbaroi shkollën fillore në fshat. Dashuria për arsimim, për gjuhën shqipe në Kolonjë ishte e ngulitur thellë. E kishin mbjellë këtë farë Rilindasit, flamurtarë të gjuhës shqipe. Ndaj dhe Tosuni e përvetësoi gjuhën shqipe. Ai nga natyra ishte tej masës i zgjuar dhe i shkathët. Dallohej mse shokëve për vjershat dhe këngët patriotike, të cilat i recitonte dhe i këndonte në shkollë. Por mjaft i ri, ai hodhi pushkën në krah dhe nuk e hoqi atë deri në fund të jetës së tij. Tosuni pëlqeu dhe u edukua me jetën ushtarake, me uniformën ushtarake, të cilën trupi i tij plot shëndet e prezantonte mjaft bukur.
Batalioni i qitësve shqiptarë
Në periudhën e rëndësishme historike të Luftës së Parë Botërore, rrezikohej e ardhmja e Shqipërisë, pavarësia dhe tërësia territoriale e saj. Skena dhe prapaskena ndërthureshin, në dëm të interesave shqiptare nga diplomacia e vendeve të ndryshme. Dallohej lakmia e monarkive fqinje, të Greqisë dhe të Serbisë, me synime ekspansioniste ndaj territoreve shqiptare. Fuqitë e Mëdha ndërluftuese Austro-Hungaria e Bullgaria nga njëra anë dhe Franca dhe Italia nga ana tjetër, ushqenin interesat e tyre dhe vendeve fqinje, ku vija e frontit e ushtrive të dy koalicioneve kalonte mes përmes Shqipërisë. Lëvizja Kombëtare shqiptare në këtë kohë dhe sidomos në Korçë, kishte marrë vrull të madh në fushën ushtarake me formimin e çetave të armatosura patriotike që gjenin mbështetjen e masave të revoltuara nga padrejtësitë.
Ardhja e patriotit demokratik Themistokli Gërmenji nga Sofja, në fillim të vitit 1916 pati një rol të madh në organizimin dhe shtimin e Forcave të Armatosura. Themistokliu hodhi idenë të mos pritej, më të luftohej dhe të bëhej qëndresë. Fati i Shqipërisë të zgjidhej pas Luftës së Parë Botërore, por gjatë luftës, duke shfrytëzuar kushtet e krijuara dhe kontradiktat që ekzistonin ndërmjet tyre për problemin shqiptar. Forcat ushtarake franceze u vendosën në Korçë, në tetor të vitit 1916. Këto u gjendën të befasuara nga rritja numerike e çetave të armatosura që ishin përqëndruar aty. Një analist francez i cili e kishte parë nga pranë zhvillimin e ngjarjeve shkruante se “lëvizja patriotike në Shqipëri, udhëhiqej nga një ndjenjë demokratike shumë e theksuar”.
Forcat ushtarake franceze duke vlerësuar gjendjen reale, vendosën që mjaft operacione ushtarake t’i bënin së bashku me çetat shqiptare. Një nga formacione ishte dhe batalioni i qitësve shqiptarë që komandohej nga toger Tosun Selim Selenicës. Ky batalion ishte në vijën e parë të luftimeve dhe përballoi një nga betejat më të ashpra, kundër forcave Austro-Hungareze. Në pushtimin e një fortese të armikut që ndodhej prej kohësh në duart e tyre dhe të vendosur në bregoren e Symizit, afër Maliqit. Kjo ishte një pikë dominuese dhe pengonte përparimin e mëtejshëm të trupave. Për marrjen e fortifikatës dominuese u caktua oficeri trim shqiptar Toger Tosunit. Si ushtarak me përvojë, përgatiti planin e pushtimit, pra të mësymjes për asgjësimin e kësaj mburoje. Beteja u zhvillua në dimër. Shirat binin pa pushim dhe bënte ftohtë. Të dy palët shkëmbenin breshëri armësh. Qitësit dhe skuadra e kavalerisë kishin zënë pozicionet e luftimit, por pas mesit të natës luftimet pushuan. Në zonën e luftës ra qetësia. Momenti i përshtatshëm kishte ardhur. Togeri Tosuni u dha urdhër qitësve pararojë që t’u afroheshin pozicioneve të armikut. Ata me zvarritje ju qepën kodrave. Këmbësorët dhe kalorësit ishin në gatishmëri. U dha sinjali nga komandanti dhe mësymja ishte aq e fuqishme dhe me breshëri të pandërprera, saqë armiku u gjend në befasi. Përleshja trup me trup nuk zgjati shumë. Armiku u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Kalorësit u përballën me kundërshtarët, ndërsa toger Tosuni me shpatën e tij u përlesh me oficerin madhor. Fortifikata u pushtua…
Komanda e ushtrisë franceze nëpërmjet Gjeneral Sarrail në njoftimin e bërë theksonte se “Tosun Selim Selenica, kryetar i shqiptarëve që mori përsipër komandën e qitësve, kreu detyrën e tij me shumë dituri dhe aftësi ushtarake. Ai i mori krahët armikut dhe pushtoi një vend të fortifikuar. Në sulm u zunë shumë robër dhe pati mjaft të vrarë. Njëkohësisht u zunë 2 topa dhe municion”. Ndërsa për këtë luftim të spikatur gjeneral Henri ka theksuar se “Oficeri trim Tosun Selenicës, që në çdo të provuar u rrëfye i zoti, duke udhëhequr batalionin e tij me trimëri të rrallë”.
Në grupin e ushtarakëve në Luftën e Vlorës
Si një ushtarak i përgatitur ai demostroi për vite të tëra aftësi dhe trimëri të rrallë, duke lënë një emër të mirë në historinë e lëvizjes patriotike shqiptare si pjesëmarrës aktiv në çetat e Kolonjës, të Korçës, të Korçës, të Orhman Çifligut e deri në vitet e Luftës së Vlorës të vitit 1920. Në ditët e zhvillimit të Luftës së Vlorës qeveria e Tiranës lejoi të merrnin pjesë edhe një grup oficerësh të karrierës. Këta oficerë, një pjesë e të cilëve ishin të njohur, ose më pas u bënë shumë të njohur në historinë ushtarake shqiptare, u përpoqën të ndihmonin me këshillat dhe drejtpërdrejt në veprimet luftarake. Midis tyre ishin major Mustafa Maksuti, kapiten Aziz Çami, kapiten Tosun Selenica, toger Xhevdet Çelo e të tjerë.
Kapiten Tosun Selenica i përkiste shkollës dhe shërbimit ushtarak francez, vinte me një përvojë luftarake të admirueshme. Kapiten Tosun Selenica, me një forcë gjindarmërie dhe luftëtarë të tjerë zunë dhe mbrojtën Urën e Drashovicës. Kur kishte mbaruar Lufta e Vlorës e vitit 1920 dhe njerëzit gëzonin fitoren, Tosuni takoi patriotin kolonjar Skënder Luarasin, djalin e Rilindasit të Madh Petro Nini Luarasit. Edhe në këtë luftë u lartësua figura e Tosun Selim Selenicës, si një ushtarak i aftë, me përkushtim, ai bëri gjithçka në emër të pavarësisë së atdheut.
Vlerësimi si një figurë historike
Tosuni Selenica vdiq në vitin 1926, duke lënë një trashëgim të madh, që ndër breza do të kujtohet për idealin dhe përkushtimin që tregoi në shërbim të pavarësisë së Shqipërisë, jetë e shkurtër, por e gjatë për veprën e tij.
Presidenti i Republikës Franceze Klemanso më 12 shtator 1918, e dekoroi me dekorata e lartë e “Urdhërit Kombëtar të Legjionit të Nderit: “Nder-Atdhe”. Në dhënien e dekoratës së lartë Tosunit, komandanti francez ju drejtua me fjalën: “Ta gëzosh, o trim shqiptar”. Ai iu përgjigj: se “kjo dekorat i takon dhe kalit që më përballi me gjeneralin armik!” Ndërsa ushtaraku francez me buzë në gaz ja ktheu: “Kali kishte mbi vete trimin, megjithatë modestia është vrityt”.
Prof. dr. Muin Çami në librin “Shqiptarët dhe francezët në Korçë në vitet 1916-1920” shpalos më së miri vlerat morale dhe heroizmin e masave popullore, që mbështetën lëvizjen patriotike, për të mbrojtur pavarësinë territoriale të Shqipërisë, të kërcënuara dhe të vëna në rrezik nga lakmitë e fqinjëve. Lëvizja patriotike e Trevës së Korçës i kurorëzoi përpjekjet e saj shumëvjeçare me shpalljen në Korçë të “Republikës Shqiptare” të Korçës, që me të drejtë është cilësuar si fitore mbarë kombëtare.
Vepra e Tosun Selim Selenicës duket sikur i përket të kaluarës së largët, por jehona e saj është pranë, vepra e tij jeton. Ai përfaqëson një figurë historike, një emër të madh në altarin e Kombit shqiptar, midis gjithë atyre patriotëve të mëdhenj kombëtar. Vepra patriotike e Tosun Selim Selenicës u mbajt gjallë në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku nga familja e madhe e Selenicës së Pishës, dolën partizanë dhe luftëtarë që prunë dhe çlirimin e Shqipërisë.
Për pjesëmarrje në Luftën e Vlorës 1920, në vitin 1962 është dekoruar me Urdhërin “Për shërbime të shquara patriotike”. Ndërsa më 4 dhjetor 2010, në 98-vjetorit të krijimit të FA Shqiptare, ministri i Mbrojtjes e dekoroi me medaljen “Për Shërbime të Shquara” Toger Tosun Selenica. Vitin tjetër është 100 vjetori i ndarjes nga jeta të ushtarakut madhor Tosum Selenica.
