Rigels Seliman
Ish-kryeministri Sali Berisha prej 34 vitesh me radhë, ka ushqyer një retorikë të egër, por tërësisht të rreme, ndaj regjimit komunist dhe Enver Hoxhës, një strategji kjo që e ndihmoj për të dalë në krye të Partisë Demokratike dhe kontrolluar këtë parti. Disa fotografi ku Berisha shfaqej mes anëtarëve të Byrosë Politike, në krah të Enver Hoxhës, tek oxhaku i Nexhmije Hoxhës dhe në varkë me fëmijët e ish-diktatorit, ia hoqën Sali Berishës maskën e anti-komunistit. Qindra dëshmi, prova dhe fakte të tjera, me kalimin e viteve, nxorën në pah figurën e Berishës si i besuar i regjimit dhe Ramiz Alisë. Karriera e tij filloi me mbështetje të fuqishme nga këto struktura, duke e bërë atë një figurë të favorizuar nga ish-pushtetarët komunistë. Pas rënies së komunizmit, Berisha ktheu pllakën (e ndryshoi papritur pozicionin e tij), duke u paraqitur si lider i opozitës dhe armiqësor ndaj regjimit të kaluar. Ky shndërrim i tij ka ngjallur dyshime dhe ka lënë pas pyetje të mëdha mbi autenticitetin e luftës së tij ndaj komunizmit. Sipas dokumenteve dhe dëshmive të shumta, duket se Berisha ka përdorur lidhjet e tij të kaluara për të ruajtur dhe forcuar pushtetin brenda PD-së. Megjithatë në Shqipëri ka ende njerëz dhe militantë të verbër që besojnë se Sali Berisha është një anti-komunist dhe se rrëzoi regjimin. Gazeta “SOT” po sjell sot në vëmendje të qytetarëve dhe opinionit publik 15 dëshmi të protagonistëve të zhvillimeve historike të para dhe pas dhjetorit 1990, të cilët bashkohen në një pikë, se: “Sali Berisha ishte ‘këlysh’ (një i besuar) i Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës, Enver Hoxhës e familjes së tij, Hysni Kapos dhe Byrosë Politike, për të kontrolluar Partinë Demokratike, Lëvizjen e Dhjetorit dhe të përndjekurit politikë.”
1. Ramiz Alia: E çova Saliun tek studentët
Ish-presidenti Ramiz Alia, një vit para se të ndërronte jetë në tetor të vitit 2011, pasi publikoi një libër me kujtime, duke u ndaluar edhe tek roli i Berishës Berishë në Lëvizjen e Dhjetorit ’90. Alia tregoi lidhjet e ngushta të Berishës me Byronë Politike dhe dashurinë e tij për Enverin. Ramiz Alia rrëfen se si e futi në lojë Berishën për të mbajtur nën kontroll lëvizjen. “Sali Berisha ka qenë anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë, sekretar i organizatës së partisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit dhe i Spitalit të Tiranës, bile një nga më fanatikët, i cili kudo fliste vetëm me citate të E. Hoxhës…. Ishte diku rreth orës 18. 00, 19. 00 ose aty rrotull, kur S. Berisha erdhi tek unë, në shtëpi. Hymë drejt e në temë. Saliu më tha se do të shkonte dhe do të bisedonte me studentët, “megjithëse atje nuk kishte studentë të tij (të mjekësisë)”, prandaj nuk njihte të tjerët. E vura në dijeni se, midis organizatorëve të manifestimit, siç më thanë kur takova përfaqësinë e tyre, ishin 2-3 studentë nga Tropoja, kështu që një pikë kontakti mund të gjendej, duke pasur parasysh se edhe vetë Saliu ishte nga Tropoja. Iku. Bashkë me të, me studentët i vazhdonin bisedimet edhe ish-Ministri i Arsimit S. Gjinushi dhe ish-Sekretari i Parë i BRPSH-së L. Bashkurti. Diku nga mesnata, Berisha u kthye përsëri tek unë. Ishte mjaft i shqetësuar (të paktën këtë përshtypje më la) dhe i lodhur”, shkruan Alia. Ndërkaq, gjatë diskutimeve në mbledhjet sekrete që Ramiz Alia zhvillonte me Byronë Politike në vitet 1990-1991, del në pah qartë se Ramiz Alia e instruktonte Berishën që të kritikonte regjimin në gazetat e vetë regjimit, duke e siguruar se nuk do të internohej. Këto shkrime me natyrë kritike, që kalonin në duart e Ramizit dhe Nexhmijes, Berisha i paraqiti më vonë si ‘provë’ e luftës së tij kundër regjimit komunist. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të dhjetorit 1990, Ramiz Aliaj shprehet “Nuk është fjala më për person. Nuk është kritikë kjo. Dhe ky është qëllimi kur bëhet fjalë për fyerje poshtëruese. Kuptoni? Këta ia thashë edhe Sali Berishës; Po ti në artikullin që shkrove, ti e kritikove Enver Hoxhën mbarë e prapë. Të thirri, prokurori për këtë? Jo, më tha. Po atëherë çfarë më thua për dekret, për çfarë më ankohesh, i thashë. Sepse prokurori nuk e pa të arsyeshme që të të thërrasë. Ti nuk kishe fyerje dhe ofeza në shkrim. Por, unë me ty nuk jam hiç dakord për ato që ke shkruar”.
2. Berisha në ‘90: Mirënjohja e madhe shkon për shoku Ramiz Alia
Një tjetër provë për raportet mes Berishës dhe regjimit është fjalimi i tij në vitin 1990, ku i thur lavde Ramiz Alisë para mijëra qytetarëve që kundërshtonin regjimin. Berisha e konsideron Ramiz Alinë udhëheqësin e demokratizimin e Shqipërisë, me të njëjtën mençuri dhe guxim që ka udhëhequr ushtrinë në betejat çlirimtare, gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe shkon, së pari, tek presidenti shoku Ramiz Alia, i cili me një mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja për demokratizimin e Shqipërisë”, shprehet Berisha.
3. Guro Zeneli: Ja pse Ramizi zgjodhi Berishën për planin e tij
Ish-shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Guro Zeneli, njeriu më i besuar dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i i tij, rrëfen se Ramiz Alia zgjodhi Berishën për të kontrolluar ndryshimin e sistemit pa dhunë. “Berisha u caktua se ishte nga Tropoja, ndërsa Xhelili se ishte nga veriu. Këta të dy i caktuan, pasi mendohej se, duke qenë nga veriu, mund të ishin më të besueshëm për studentët. Ideja ishte që të qetësoheshin dhe jo të revoltoheshin. Pra, ideja e Ramizit ishte që studentët ta bënin demonstratën, por të mos kishte revoltime, përplasje dhe konflikte. Por, situata ishte delikate, pasi Xhelili dha urdhrin që të mbahej me forcë protesta. Të shtypej lëvizja. Ramizi nuk e donte këtë gjë. Ramizi kishte plane të tjera. Ramizi e kishte ndjerë më parë erën e ndryshimit që kur i erdhi një letër nga Gorbaçovi, si bashkëstudentë që kishin qenë dikur. Unë e kam atë letrën. E kam lexuar. Në letër, Gorbaçovi, shkruante që sistemi dështoi, të merren masa dhe të bëhej kthesa. Dhe Xhelilin e kishte marrë pranë vetes Ramizi, sepse kishte Byronë Politike, por kjo e fundit ishte e mbaruar (pleq të tërë). Xhelili ishte i ashpër. Është natyra e tij. Mehmet Shehu, përshembull, ishte njeri shumë i zoti, por shumë i ashpër”.
4. Aleksandër Meksi: Kur u rrëzua busti, Berisha u ‘zhduk’
Aleksandër Meksi, ish-kryeministri i Shqipërisë më 1992-1997 dhe njëri ndër themeluesit e PD-së, protagonist i ngjarjeve të viteve ‘90, ka pohuar se Sali Berisha nuk ishte as në shesh dhe as tek studentët kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës në vitin 1991. “Kanë qenë tek sheshi së pakut Ben Imami dhe Gon Çika, të cilët u integruan në krye të turmës e sigurisht dhe të tjerë. Këtë e them pasi ishim bashkë të tre, na thirrën turmat, ndërkohë që unë ika sipër te studentët dhe ata vijuan me turmën. (Po Berisha?) Jo. Tek studentët kam qenë vetëm unë atë ditë”, ka pohuar Meksi në një intervistë për Shqiptarja.com, të dhënë në 18 shkurt 2014.
5. Robert Papa: Berisha në makinën e Sigurimit në ’91
Gazetari Robert Papa, dëshmitar i zhvillimeve historike në vitet 1990-1991, ka theksuar se ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, në 20 shkurt 1991, Berisha është parë në një makinë të Sigurimit të Shtetit. “Berisha nuk ka qenë në shesh për rrëzimin e bustit, madje është parë një FIAT i dyshimtë duke kaluar në kohën kur po shkulej statuja. Pse nuk doli nga FIATI? Pse nuk iu bashkua popullit, por në fakt ka shkuar te zyra e Ramiz Alisë. Shkoi se kishte frikë? Shkoi se e thirri Alia? Apo e çuan të raportojë? Nuk e di! Ai ishte aktiv dhe futej kudo. Berisha ka qenë me Pashkon te Piramida përballë Insitutit 6, afër SHQUPI-t. Aty ka kaluar një makinë e TVSH, dhe Berisha e ka ndalur makinën duke i thënë shoferit: Do më çosh te shoku Ramiz. Shoferi ka bërë një shkelje, ka hipur në makinë te ura e këmbësorëve dhe ka shkuar nga pas Presidencës”.
6. Versioni i Kurt Kolës, ish i përndjekur
“Berisha nuk ka se si të dalë kundër komunistëve, të cilët shkatërruan Shqipërinë. Ishte i sinqertët. Berisha, po të ishte antikomunist, puna e parë që duhet të bënte kur ishte president, duhet të ngrinte një Gjykatë Speciale për të dënuar diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin totalitar, i cili pushkatoi mbi 6 mijë shqiptarë dhe burgosi 30 mijë të tjerë. Por, Berisha ishte i besuar i Ramiz Alisë dhe i Byrosë Politike. Ishte lojë e tyre. Po të ishte i djathtë, duhet të kishte dënuar diktatorin për genocid, do të dënonte krimet masive, do t’u kthente pronën pronarëve, do t’u jepte të drejtat të burgosurve dhe të internuarve politikë etj. Nëse do t’i bënte këto, nuk do të ishte një i vendosur dhe njeri i Ramizit. Por, nuk i bëri”.
7. Ilir Demalia: U zbatua Katovica
Ilir Demalia, organizator i shpërthimit të ambasadave, protagonist i lëvizjes për demokrati në vitit ’90, duke iu referua rolit të Berishës, ka pohuar se “Xhelil Gjoni me Ramiz Aline, e C/O luajtën të gjitha levat, mënyrat, njerëzit e tyre, për të shpëtuar kokat e tyre dhe gjakun e familjeve të tyre. Këtë e arritën, jo vetëm për faktin se ishin përgatitur për këtë duke përgatitur njerëzit e tyre, të infiltruar në situatat që do i dilnin jashtë kontrollit siç bënë me studentët dhe ngjarje të tjera më parë, që nga Janari 90-ës deri më dhjetor 1990. Gjoni dhe gjithë kasta komunistëve me ndihmën e atyre që kanë përdorur në zbatimin e Katovicës, shpëtuan gjakun e tyre dhe morën fuqinë ekonomike dhe politike dhe sot, janë më të fuqishëm se dje”.
8. Xhaferr Peçi: Ramizi i besoi Berishës zbatimin e një plani
Xhaferr Peçin, ish-komandant i Gardës së Republikës, njeriu kyç që mbronte jetën e Enver Hoxhës, ka theksuar se Ramiz Alisë i besoi Sali Berishës zbatimin e planit të Katovicës, që konsistonte në ndryshimin e sistemit, por kontrollin nga komunistët. “Sali Berisha hyri në lojë, pasi iu besua zbatimi i marrëveshjes së “Katovicës”. Saliu për këtë do të mbahet mend, pasi shtetin e ndërtuan Zogu dhe Enver”.
9. Xhelil Gjoni: Themeluesit e PD-së konsultoheshin me ne
Ish-sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Punës për Tiranën, Xhelil Gjoni, ka rrëfyer se si themeluesit e PD-së konsultoheshin me përfaqësuesit e lartë të PPSH. “Sali Berisha më ka ardhur në zyrë kur unë isha sekretar i Parë i Partisë së Tiranës bashkë me Besnik Mustafajn kur studentët ishin në protestë… Imami dhe Pashko janë takuar shpesh me mua gjatë kohës që krijohej PD dhe pas krijimit. Të gjitha mësimet që u kemi dhënë i kanë zbatuar një më një. Vetëm se na dilnin jashtë loje kur takonin elementë si Azem Hajdari, që shpërthenin kot. Ai u përkiste elementëve agresivë që krijonin situata tensioni. Një gjë dua të them: kalim më paqësor i pushtetit që është bërë në Shqipëri nuk e gjen në asnjë nga vendet ish-komuniste. Dhe kjo është meritë e Partisë së Punës dhe e njerëzve që e drejtonin atë në atë kohë.
10. Shenasi Rama: Berisha ishte njeriu i sistemit
Shenasi Rama, pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit, protagonist i ngjarjeve që sollën përmbysjen e regjimit, ka rrëfyer se Sali Berisha ishte njeriu i sistemit komunist dhe se ishte kudnër rënies së bustit. “Saliu ishte njeriu i sistemit. Ai e din e që unë di më shumë se shumë të tjerë, sepse gjithmonë kam ditur më shumë se shumë të tjerë, mirëpo, në atë pikë, puna ishte që duhej krijuar ekuilibër. Me Azemin që u turr të mblidhte hajnat e gangsterët, me këta që u turrën të fusnin të gjithë të përdorurit, duhej krijuar ekuilibër, dhe këtë ne e krijuam duke ftuar e inkurajuar, duke iu lëshuar vendin e duke i ngritur të persekutuarit e të lëçiturit. Kjo krijoi shumë pakënaqësi, mirëpo, kjo krijoi edhe ekuilibra të reja në politikën shqiptare. Saliu ishte njeriu që duhej. Vetë Z. Xhelil Gjoni e kishte zgjedhur dhe rekomanduar si për botim tek ZP ashtu edhe për avancim. Dhe duke e parë gjendjen, edhe ne e mbështetëm. Unë e di saktë e pa ekuivoke se Ramiz Alia kishte ndërmend dikë tjetër, mirëpo unë e disa të tjerë zgjodhëm Saliun dhe me 11 Dhjetor u vendos që ky do të ishte pala tjetër. Me një fjalë, ky ishte Makbethi i sistemit dhe unë mendoj se ka qenë zgjidhja më e mirë. Edhe sot, të njëjtën zgjidhje do të kisha bërë siç mendoj se edhe të tjerët do të kishin bërë të njëjtën zgjidhje…. Jo, jo. Saliu ka qenë kundër deri në momentin e fundit, si kundër heqjes së emrit, ashtu edhe kundër heqjes së statujës së Enver Hoxhës, sepse ai kishte një detyrë për të kryer dhe deri aty e kishte lejen. Asnjëherë nuk ka folur kundër Enver Hoxhës, edhe pse kalonte përditë para statujës së tij. Ai e dinte se nga kjo mund t’i ikte koka. Dhe Saliu nuk ishte aq trim, sa të luante me kokën e vet”.
11. Liljana Hoxha: Berisha në shtëpinë tonë
Liljana Hoxha, gruaja e djalit të Enver Hoxhës, ka pohuar se Berisha shkonte në shtëpinë e tyre për ditëlindje, siç edhe vërtetohet nga fotot. “Në vitet 1990, menjëherë pas pluralizmit me parlamentin e parë kur kryetar ka qenë Skënder Gjinushi, PS nëpërmjet elementëve të caktuar kishte fotografi të Sali Berishës në shtëpinë tonë, në ditëlindjen tonë dhe donin ta emetonin atë. Atë ja kisha dhënë unë për kuriozitet një miku. Kur kam marrë vesh se kanë dashur ta emetojnë e kam kundërshtuar, s’e kam lejuar dhe i kam thënë që këto s’janë metodat e mia, nuk të lejoj ta emetosh. Siç nuk do të desha të kishte dalë kjo që ka dalë nga forca të tjera të cilat mbajnë çdo gjë nën dorë, si e si ta vënë kundërshtarin në pozitë të vështirë, siç do të më kishin vënë mua në pozitë të vështirë po të kisha ngecur diku. Por s’kam ngecur dhe s’kanë çfarë bëjnë dhe u ngelet kjo foto për të më luftuar edhe mua përveç Sali Berishës”.
12. Skënder Gjinushi: Porositë e Ramizit për Berishën
Skënder Gjinushi ishte ministër i Arsimit në dhjetorin ’90 dhe pjesë e zhvillimeve në prapaskenë. “Është bërë një takim në komitetin e Partisë së Tiranës të dielën, ku ne kemi takuar Xhelil Gjonin. Na është thënë që të shkojmë e të takojmë studentët sëbashku me Sali Berishën. Që kishte shkuar në Komitetin e Partisë para nesh dhe priste në zyrën e Robert Kolit. Jemi nisur që të shkojmë bashkarisht… U tha se e kërkon Ramiz Alia, ka qënë në zyrën e tij, dhe tha ndër të tjera që në orën 11.00 është lënë takim me studentët dhe e ka lënë doktor Berisha takimin. Ramizi na tha që të shkohet bashkë me Berishën e Lisienin dhe ti takojmë. Pra Ramizi na e tha që është lënë takimi me studentët. Normal që pyeta Ramizin se ku ta gjeja Berishën, që e njihja vetëm si imazh e kisha marrë një përshëndetje prej tij kështu me “korrespondencë” prej tij për diskutimin në Kuvend. Ramiz Alia na tha se është këtu te zyra e Xhelilit, ka dy orë që pret. Por donim të dinim çfarë do thonim zyrtarisht. Nënvizova i kisha takuar të shtunën studentët, ishte rrëmujë, natën, biseda me ta ishte e paorganizuar, aty kam njohur për herë të parë dhe Azem Hajdarin që ishte me një megafon në dorë, që kishin kërkesa ekonomike e politike. Ramizi, me njëfarë qesendie na tha që ti takonim dhe njëherë, ti dëgjonim e t’ju thonim dhe pluralizmin që e kisha thënë unë. Ishte një formë ngacmimi. Ndërkohë kishte mbërritur Sali Berisha në zyrë. Kam pyetur sërish se çfarë qëndrimi do mbajmë, kush është mendimi për pluralizmin. Ramizi tha: të shohim, se siç e ka thënë doktori, si e the ti shoku Sali? Berisha u përtyp, si ata nxënësit e kapur në faj dhe rrinte kokulur s’po përgjigjej. U përgjigja unë duke thënë se doktori në takimin me intelektualët tha që masat e marra kohët e fundit janë më të avancuara se sa psikologjia shoqërore, pra po avancohej më shpejt”.
13. Hamdi Jupe: Berisha tha se vendi nuk ishte gati për pluralizëm
Hamdi Jupe, ish gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, ka treguar debatin mes Ramiz Alisë dhe Ismail Kadaresë në takimin e 10 dhjetorit 1990, si dhe diskutimin e Sali Berishës, i cili asokohe ishte i mendimit se populli shqiptar ende nuk ishte gati për pluralizëm politik. “Doktor Sali Berisha ndërhyn: Unë, në radhë të parë, i përmbahem një shprehjeje: Never say never!. Kurrë mos thuaj kurrë. Unë jam i bindur se në stadin aktual ky popull nuk është i përgatitur edhe po t’ia japësh (pluralizmin partiak – H.J.). Jam për pluralizmin e mendimit”. Ai, pra, tregohet i “kujdesshëm”: edhe “kurrë mos thuaj kurrë”, edhe “ky popull nuk është i përgatitur”. Por ai hedh në sallë një “popël” të padëgjuar: ” ‘Zëri i popullit’ të jetë organ i partisë, jo i Komitetit Qendror”, siç ka qenë për 48 vjet”.
14. Vito Kapo: Sali Berisha ishte pjesë e ekipit mjekësor të Hysni Kapos
Bashkëshortja e Hysni Kapos, bashkëpunëtorit të afërt të Enver Hoxhës, Vito Kapo rrëfen se në ’78-ën Sali Berisha është caktuar në ekipin mjekësor të Hysniut. Ajo pohon se pas infarktit të parë që pati pësuar Hysni Kapo, u krijua një grup i posaçëm për të ndjekur situatën shëndetësore të tij. “Pas problemit shëndetësor të Hysniut, ministri caktoi për mbikëqyrjen e shëndetit të tij Sabitin, pra Sabit Brokajn, Saliun. Po në interesimin direkt për shëndetin e Hysniut kanë qenë kryesisht doktorët Dine Abazi, Petrit Gaçe, Vangjel Malo apo Iliriana Kondi nga Kuçi etj”, pohon Vito Kapo. Ajo deklaronte gjatë një interviste disa vite më parë për Sali Berishën se e njihte në përgjithësi,para se Berisha të ishte pjesë e ekipit shëndetësor të bashkëshortit. “E njihja si mjek, si kardiolog se ai vinte ndonjëherë në klinikën e udhëheqjes, e kisha njohur si njeri, si profesor… Kur shkoja unë në ndonjë rast në spital me ndonjë shoqe, më ndihmonte”. Ajo përshkruan takimin e Mehmet Shehut me Hysni Kapon me këto fjalë: “Ishte një skenë shumë e çuditshme. Ndërsa Hysniu ishte i shtrirë në krevat, Mehmeti ishte ulur mbi krevat në anën e tij, i drejtuar i tëri nga Hysniu, me dorë të vënë para për të mbështetur trupin, ku dukej se fliste me dashamirësi të madhe, apo më mirë të them se dukej se sikur i fliste me një dashamirësi të madhe për ta bindur që të shkonte me patjetër në Paris për të bërë kurimin dhe ndërhyrjen për sëmundjen që kishte, ndërkohë që Hysniu reagonte me mosbindje duke i thënë: ‘Jo, unë e di që bëhen këtu, s’kam pse të shkoj në Paris’. Por ishte një skenë që të emociononte se qanin të dy teksa flisnin. Pra Hysniu gjysmë i shtrirë dhe Mehmeti në buzë të krevatit, qanin të dy”, citohet Vito Kapo në GSH .
15. Berisha i bëri Hysni Kapos kallëpin e maskës së fytyrës dhe dorës në vitin 1979
Gazeta “SOT” po risjell sot disa shënime nga vdekja e Hysni Kapos. Ato janë botuar disa vite më parë nga avokat i njohur, Idajet Beqiri. Mes të tjerave, ai shkruan se Berisha i bëri atij, kallëpin e maskës së fytyrës dhe dorës. “Pas vdekjes së Hysniut, Vito Kapo u shfaqi mjekëve shqiptarë që ndodheshin aty dëshirën që të kishte dorën e djathtë të Hysniut të derdhur sipas formës origjinale të saj në një masë plastike të qëndrueshme për t’i rezistuar kohëve dhe ambientit. Donte një kujtim të përjetshëm të tij. Kërkesa e Vitos u përcoll me habi dhe skepticizëm prej shumicës së mjekëve tanë të ndodhur pranë trupit pa jetë të Hysni Kapos në Spitalin e Parisit. Ajo punë kishte një kosto dhe donte një angazhim. Në moment e mori fjalën Sali Berisha, për të cilin, sipas shënimeve të Nexhipit në Fletore, “kjo gjë ishte shumë e thjeshtë për t’u realizuar”. Ai i mori përsipër Vito Kapos jo vetëm që t’i jepte thuajse si origjinale dorën e Hysniut, por madje edhe fytyrën e tij. Berisha ndihej si në shtëpinë e vet në atë spital, falë marrëdhënieve me profesor Gurgonin, shtetas francez me origjinë nga ish Jugosllavia. Brenda një kohe rekord Berisha realizoi marrjen e formës nga origjinali të dorës dhe fytyrës së Hysni Kapos, dhe pasi i përgatiti të dyja ato me një cilësi të tillë, sa dukeshin origjinale, ia dha në dorë Vitos, para se kufoma të vendosej në morgun e nëndheshëm të Spitalit, ku qëndroi për 3 ditë. Sjellja e kufomës së Hysni Kapos në Shqipëri u bë me një avion special qeveritar francez. I gjithë personeli mjekësor dhe i shërbimit që u ndodh pranë Hysni Kapos në ato afro dy muaj të qëndrimit të tij në spitalin e Parisit, ndryshe nga hera e parë kur u nisën nga Tirana pjesë-pjesë dhe me linja ajrore dhe hekurudhore të ndryshme, erdhën me të njëjtin avion ku ndodhej trupi pa jetë i Hysni Kapos. Gjatë gjithë udhëtimit në avion sundonte një heshtje e rëndë, të cilën e impononin kryesisht Vito Kapo dhe njerëzit më të afërt që i kishin shërbyer nga afër dhe një jetë të tërë Hysni Kapos, lotët e të cilëve nuk ndaleshin. Avioni mbërriti në Rinas në datën 26 shtator 1979. Për të pritur trupin e Hysni Kapos në Rinas kishin dalë të gjithë burrat e shtetit të asaj kohe, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, e deri te të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme, të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë, pjesëtarë dhe të afërm të familjes “Kapo” si dhe qytetarë të shumtë”, shkruan Beqiri.
