Rigels Seliman
Kanë kaluar 16 vite nga masakra e “Gërdecit”, një nga ngjarjet më tragjike në vend, si pasojë e shpërthimit të fabrikës së municioneve. SPAK ka rihapur hetimet po vazhdon gjykimin e ish-ministrit Fatmir Mediu. Por çfarë ndodhi më 15 mars 2008 dhe kush janë ata që duhet të dalin para drejtësisë? Demontimi i armëve në “Gërdec”, nisi si një biznes fitimprurës për kompaninë Albademil dhe SAC, por që nga shpërthimi, humbën jetën 26 persona (mes tyre dhe baxhanaku i kryeministrit), u plagosën mbi 300 vetë dhe u dëmtuan mbi 4000 prona. Tre ditë më vonë dha dorëheqjen ministri i Mbrojtjes, ndërkohë që u prangosën Ylli Pinari, drejtor i MEICO, Mihal Delijorgji pronar i Albademil dhe Dritan Minxolli drejtor i fabrikës. Hetimet një vjeçare vunë nën akuzë 29 persona. Korrupsioni i Gërdecit dhe dosja hetimore nxorën në pah shumë elementë. Nga këta persona disa u dënuan me gjobë dhe disa vite minimale burgim. Dënimi më i rëndë, me 14 vite u dha për Ylli Pinarin, 10 vite burg. Ndërsa Mihal Delijorgji u dënua me 7 vite burg. Familjarët e viktimave i cilësuan të ulëta dënimet. Ajo që ra në sy ishte fakti se u dënuan vetëm ushtarakët dhe mbetën të pafajshëm zyrtarët e qeverisë.
Implikimi i politikës
Por ajo që i vuri kapak ishte një kabllogram i ambasadës amerikane. Në shkresat që i dërgonte DASH, ish-ambasadori Xhon Uidhers fliste për implikimin e Shkëlzen Berishës në Gërdec si dhe për sulmin e ish-kryeministrit ndaj prokurorëve. Uidhers ka udhëzuar ish-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Stuart Jones, para takimit me ish-kryeministrin Berisha. Në kabllogramin e tij, Uidhers theksonte se hetimi i Gërdecit ishte një presion në rritje për ish-kryeministrin Sali Berisha, që sipas tyre, intensivisht në mënyrë të çrregullt muajt e fundit kishte sulmuar ish-Prokuroren e Përgjithshme dhe sistemin e drejtësisë, duke tentuar limitimin e dëmit politik dhe potencialisht kriminal për veten, familjen dhe aleatët. Gjithashtu, zhdukja enigmatike e Kosta Trebickës, dëshmitarit kyç për Gërdecin, vijon edhe sot e kësaj dite të mjegullojë dhe errësojë me dyshime dhe pikëpyetje ngjarjen më të rëndë të pluralizmit shqiptar. Kosta Trebicka ishte i pari që denoncoi Sali Berishën dhe familjarët e tij në gazetën New York Times, ndërsa solli edhe gazetarin e Neë York Times në Gërdec. Artikulli për trafikun e armëve drejt vendeve në konflikt dhe Afganistanit u botua dy ditë pas shpërthimit.
Alibitë
Ndërsa Sali Berisha sajonte alibi pas alibie për të fshehur implikimin e familjarëve të tij në Gërdec, i biri i tij kërcënonte me jetë gjeneralët e ushtrisë, drejtorët dhe ministrat për të mbyllur gojën rreth rolit të tij në Gërdec. Ndërsa Sali Berisha hidhte poshtë dëshmitë që implikonin të birin si shpifje dhe sajime, Shkëlzen Berisha kërcënonte ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxhën, sot i dënuar me burg për Gërdecin. Nëse nuk do të zbardhej një kabllogram i ambasadës amerikane drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit për Gërdecin, kurrë nuk do të zbulohej se Shkëlzen Berisha kishte kërcënuar Luan Hoxhën, me anë të një telefonate. Kabllogrami i datës 20 qershor 2008, përcjell detaje të rëndësishme deri dhe të panjohura për tragjedinë e Gërdecit, të cilat ambasada amerikane i kishte siguruar pas një takimi që ish-ambasadori Uithers ka zhvilluar me ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha, me kërkesë të këtij të fundit. “Në një klimë politike të nxehtë, shefi i Ushtrisë, Luan Hoxha, kërkoi të takohej me ambasadorin për të folur rreth shkarkimit nga detyra, bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme përfshi pikëpamjet dhe faktet rreth Gërdecit”, shkruhet në hyrje të kabllogramit. Sipas kabllogramit, gjatë gjysmës së projektit në dhjetor 2007, Hoxha ishte urdhëruar pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një djalë i ri, i cili më pas sipas Luan Hoxhës, u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit, Sali Berisha. Dëshmia e Hoxhës thotë se pas telefonatës u vijua me dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, pa patur asnjë vonesë. Gjithnjë, sipas kabllogramit, gjeneral Luan Hoxha është pyetur nga ambasadori Uithers nëse këtë informacion ja ka përcjellë Prokurorisë, ai është përgjigjur “Po” dhe se ja ka paraqitur të gjithë dokumentacionin prokurorëve, por jo atë pjesë për djalin e kryeministrit, pasi për Hoxhën ishte jo e sigurt që të fliste.
Frika nga Shkëlzeni
Luan Hoxha i ka rrëfyer një version tjetër ambasadës amerikane sa i takon Gërdecit. “Në këtë takim gjeneral Hoxha ka treguar ngjarjen, sipas versionit të tij, për atë që ndodhi më 15 mars 2008. “Ndryshe nga ajo që tha në deklarimin publik duke fajësuar mënyrën se si operohej në Gërdec, Hoxha, sipas dijenisë së tij, thotë se ish-ministri Mediu ka marrë të gjitha vendimet, që nga zgjedhja e Gërdecit si pikë demontimi, çfarë lloj municionesh do të shkatërroheshin përfshi kohën e kryerjes së demontimit. Sipas Luan Hoxhës, personeli i ushtrisë ishte drejtuar të transportonte municionet, të ruante zonën e demontimit dhe asgjë më shumë. Që hetimi të jetë i suksesshëm, atëherë ata që e dinë të vërtetën duhet të flasin. Z. Hoxha gjatë bisedës ka pranuar që në interes të drejtësisë ai duhet të flasë, por nuk ka konfirmuar nëse do ta bënte një gjë të tillë”, thuhet në kabllogram.
Sipas Idajet Beqirit, “në lojë” ishin 10 miliardë dollarë
Nga ana tjetër, sipas avokatit të njohur Idajet Beqiri në një prononcim për gazetën “SOT”, çështja “Gërdeci” duhet trajtuar seriozisht nga SPAK, pasi provat janë të kopsitura dhe të njohura edhe nga publiku. Ai theksoi se pyetjet e duhura nga familjarët e viktimave mund të arrestojnë në sallë Shkëlzen Berishën. Beqiri përmend dhe shifrën 10 miliardë dollarë. “Para se të ndodhte fatkeqësia, Shkëlzen Berisha, ishte koka e këtij krimi, e organizoi si fillim dhe futi njerëz për ta studiuar çfarë përfitimi kishte nga demontimi i armëve. Ka qenë Shkëlzen Berisha dhe pastaj me ndihmën e të atit Sali Berishës, motrës Argita Berisha dhe me ndihmën e njerëzve të afërt të tyre dhe duke shpërdoruar hapur detyrën me ministrin e mbrojtjes dhe me ministrin e drejtësisë se këta ishin dy kryesorët, donin të bënin dhe ministrin e financave për vete por nuk e arritën dot. Këta pra e studiuan dhe nxorën, që nga demontimi i armëve ishte fitimi 10 miliard dollar dhe pasi jua dhanë shifrën e saktë atëherë ata ftuan njerëzit që ta bënin këtë biznes dhe të bënin demontimin. Ndërkohë e ritheksoj se ‘Gërdeci’ nuk bëhej dot po nuk kishin me vete kryeministrin e Shqipërisë, nëse ministri i Mbrojtjes nuk do ishte pjesë e krimit të organizuar, nëse nuk do ishte edhe ministri i Drejtësisë. Madje edhe ministri i Financave, zoti Ridvan Bode. Por ky i fundit u distancua që në momentin që u bë kjo aferë, sepse ai paska kundërshtuar dhe kjo është edhe në procesverbalin e Këshillit të Ministrave dhe ka thënë që pa tender nuk mund të kalonte kjo punë dhe e dyta kishte rezervat e veta se pse demontimi i armëve të bëhej nga një firmë private. Në ndërtimin e Gërdecit kishte dorë në radhë të parë Sali Berisha, pastaj ministri i Mbrojtjes i cili u tregua servil dhe u zbatoi urdhrat dhe pastaj ministri i Drejtësisë, i cili e kishte për detyrë ta pengonte një veprimtari të tillë kriminale, por nuk e pengoi, sepse dëgjoi urdhrat e djalit të Sali Berishës. Për rrjedhojë ai që e ekzekutoi këtë krim, ai që ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve, është Shkëlzen Berisha. Ky biznes u bë për Shkëlzen Berishën”, u shpreha ai.
“Gërdeci”, sipas Frrok Çupit
Gjithashtu, analisti i njohur Frrok Çupi për gazetën “SOT” është shprehur se nëse nuk dënohet Sali Berisha për “Gërdecin”, atëherë mund të vihet në diskutim vetë ekzistenca e SPAK. Sipas tij, struktura antikorrupsion do të humbte besueshmërinë tek publiku dhe se ‘shteti do të binte përballë Berishës’. Ne kemi të bëjmë me një vijë të hollë midis politikës dhe drejtësisë. Në këtë rast, janë shumë ngjitur me njëra-tjetrën. Për arsyen kryesore sepse kjo vrasje masive e njerëzve është e urdhëruar dhe politike, për shkak të kryeministrit dhe të bijve të tij. Një vepër që është kryer në rrethana të ushtrimit të frikës, tensionit dhe presionit mbi ministrat e qeverisë. Në këto rrethana, unë kam përshtypjen se nuk mund, e njoh parimin e pafajësisë, e respektoj atë që thotë Daci, por do të thosha që ky është një rast, është një mijë herë më mirë të krijohet një precedent me shkeljen e prezumimit të pafajësisë sesa të shkelet një precedent i vrasjes masive nga qeveria i një populli. Ndodhemi para dy precedentëve, njëri juridik dhe tjetri politiko-juridik. Cili është më afër asaj që quhet interesi i popullit? Drejtësia dhe gjyqet në tërë botën kanë prevaluar interesat politiko-sociale të një populli të caktuar. Ndodhemi para një zgjedhjeve, nëse nuk dënohet ish kryeministri Sali Berisha, këtu varet edhe vetë ekzistenca e SPAK. SPAK në atë moment humb tërë besueshmërinë në publik. A na duhet ne një drejtësi e re e promovuar prej SHBA, BE prej vullnetit qytetar. Ne e marrim SPAK-un, jo si një gjë të brishtë. E marrin si gjyqet e Nuremberugt, po aq i fuqishëm. Nuk kemi sy të shikojmë një SPAK të dobët. Nëse nuk reziston kësaj here drejtësinë, bie shteti përballë Berishës, përballë një dhune shumëvjeçare që ka rezultuar me Gërdecin”, tha analisti.
