Ish-kryeministri Sali Berisha vijon të provokojë sa i takon Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, për të cilën dje ka hedhur akuza të forta përmes një shënimi të gjatë të publikuar në rrjetet sociale. Edhe pse ka qenë doktor i Bllokut gjatë regjimit komunist dhe madje thuhet se ka pasur teserën Partisë Komuniste qysh në fund të viteve ’60, Sali Berisha këmbëngul se Çlirimi i Shqipërisë erdhi më 28 nëntor 1944 dhe jo një ditë më pas, pra më 29. Por përveç kësaj, për Berishën kjo ditë është dita më e zezë, sepse sipas tij, kjo ditë shënon ardhjen e komunistëve në pushtet. Edhe pse lufta partizane dhe ajo që erdhi më pas janë dy gjëra të ndryshme, ish-kryeministri përmes një shkrimi ka tentuar t’i njehsojë në një duke hedhur baltë mbi luftën partizane. Berisha ka deklaruar se nuk kanë vdekur 28 mijë dëshmorë, ndërsa po ashtu ka thënë se shumë beteja janë shpikur.
Po ashtu, Berisha ka sqaruar gjerë e gjatë arsyet se përse ai dhe politika e djathtë nuk feston 29 nëntorin si Ditën e Çlirimit të Shqipërisë. Sipas tij, festimi në këtë datë ‘është një rit enveristo-serb’, ndërsa thekson se ‘Enver Hoxha e falsifikoi këtë datë për t’a njehsuar këtë feste jo me Ditën e çlirimit, por me festën kombëtare të Federatës së Jugosllavisë’.
Berisha e quan të mjerë faktin që sot “ka shqip-folës që në shembullin e Edi Ramës vazhdojnë të kenë si Mekë Beogradin”.
Në komentin e tij të gjatë Berisha ndalet te fakti që 28 nëntori i vitit 1944 është jo vetëm dita e çlirimit nga pushtuesit, por edhe zëvendësimin e atij pushtimi me një pushtim të dyfishtë, sic e quan ai.
“28 nëntori i vitit 1944 shënoi jo vetëm çlirimin nga një pushtim i huaj, por dhe zëvendësimin e atij pushtimi me një pushtim të dyfishtë, një tjetër pushtim të huaj dhe një pushtim të brendshëm si kurrë ndonjëherë më parë. Kjo mbasi në fronin e pushtetit në Tiranë u ul një klikë shqiptaro-serbe me projekt kryesor zhdukjen e shtetit të pavarur të shqiptarëve”.
