Rigels Seliman
Ish-presidenti Ilir Meta ka filluar ta dëgjojë tringëllimën e prangave. Për 32 vite ka livadhisur i qetë, ndonëse i ka dalë emri në shumë skandale, por duket se laku po ngushtohet. Gazeta “SOT” e paralajmëroi këtë javë se Meta ka llogari të hapura me SPAK, ndërkohë që dje hetimet për “CEZ-DIA” e rikthyen kreun e Partisë së Lirisë sërish në dyert e Prokurorisë Speciale, një aferë që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi 414 mln euro, teksa ka dhënë sinjale se ka filluar të trembet. Ndonëse u tregu garip dhe deklaroi se do shkojë në prokurori sa herë ta thërrasin sepse është me “duar të pastra”, dje ai kërcënoi organin e akuzës dhe këdo që i ka kapur telashe me drejtësinë. Për mbi dy orë, prokurorët morën në pyetje ish-presidentin dhe Kreun e Partisë së Lirisë, ndërsa në dalje të SPAK, ai sulmoi denoncuesin e kësaj afere, Romeo Kara. Hetimet i cilësoi thjesht një telenovelë duke thënë për mediat se çështja është gjykuar dy herë, por është rihapur sërish nga një kallëzues i rremë (Romeo Kara). “Telenovelën CEZ-DIA. Është telenovelë që është gjykuar 2 herë dhe është rihapur në dhjetor të 2019-ës nga një kallëzues i rremë i cili është dënuar 2 herë nga gjykata për shpifje dhe një herë nga gjykata për dhunë në familje. Romeo Kara punonjës i OSHEE, përdoret nga regjimi për shpifje. Në procesin e parë nuk ka përmendur emrin tim, më pas për arsyet e tij më ka përmendur”, deklaroi ai.
Çështja “CEZ-DIA”, Meta: Asnjë vendim që më implikon
Më tej Meta theksoi se nuk ka asnjë akt apo vendim nga ana e tij si ministër i Ekonomisë asokohe, që e implikon në këtë aferë. “Nuk ekziston asnjë akt, asnjë shkresë, asnjë dokument, asnjë urdhër, asnjë iniciativë për ligje apo akte nënligjore dhe gjithçka tjetër nga Ilir Meta nga posti i zv/ kryeministrit apo ministrit të Ekonomisë në interes të askujt, përfshirë DIA-n dhe CEZ-in, u shpreh ai. Po ashtu, Meta theksoi se kjo dosje po përdoret politikisht nga Edi Rama për të larguar vëmendjen nga skandalet e qeverisë. “Diktohet politikisht nga Rama për të shmangur vëmendjen nga skandale, për të spostuar vëmendjen në thashetheme që kanë të bëjnë me 15 vite më parë. Marrjet në pyetje janë bërë në mode se kemi një qeveri që dëshiron të shmangë vëmendjen nga skandale, që tek inceneratori. Jam këtu, do djem transparent për çdo akt vendimmarrje që kam marrë në të kaluarën”, tha ai. Ndërkohë Meta iu përgjigj edhe pyetjes nga gazetarët nëse pozita e tij përballë drejtësisë mund të rëndohet. “Nuk më habit asnjë keqpërdorim i institucioneve te drejtësisë, unë jam këtu përballe jush e qytetarëve për të gjithë shqiptarëve”, nënvizoi Meta.
Reagon Berisha
Por afera “CEZ-DIA” konsiston në një skemë përvetësimi parash, koordinuar mes kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt dhe CEZ, me anë të mbledhjes fiktive të borxhit të keq (faturave të papaguara të energjisë elektrike). Nga dosja penale e dënimit të Kastriot Ismailajt me 11 vite burg, rezulton se nga zbatimi i skemës së nisur në vitin 2010 janë përvetësuar të paktën 5 milionë USD, para të cilat CEZ ia ka kaluar Ismailajt, i cili paraqiste letra false për punë që gjoja i kishte kryer me mbledhjen e borxheve. I pyetur dje në lidhje me deklaratat e tij më 10 shtator 2015 në Kuvend se Ilir Meta s’ka pasur asnjë tagër për të negociuar lidhur me çështjen e CEZ DIA dhe se ka kërkuar hetim nga prokuroria për Metën në lidhje me këtë çështje, Berisha bëri të paditurin. Ish-kryeministri theksosi se s’ka pasur dijeni sepse ajo ka qenë veprimtaria e CEZ. “Nuk kam patur asnjë dijeni dhe kurrë për CEZ DIA sepse ajo ka qenë veprimtari midis CEZ që ishte kompani çeke me operatorë privatë. Dhe CEZ nuk njoftonte për asnjë nga aktivitetet e tij private. Kishte detyrim, kjo është përgjigja ime. Nuk kam dijeni edhe sot se Ilir Meta ka negociuar me CEZ në qendër për asnjë çështje lidhur me CEZ DIA. Ky ka qenë dhe ky është qëndrimi im. CEZ DIA është hetuar, me sa di unë në mënyrë intensive, ai është burgosur, ish-presidenti i saj, një tjetër, një grua e huaj që jetonte në Vjenë, duhet të jetë pyetur, ose duhet të jetë vënë nën hetim. Pra, nuk kam asnjë dijeni më shumë se sa kam thënë. Nuk kam bërë akuza, unë kam deklaruar. Se nuk di të jenë bërë negociata, dhe nuk di në emër të qeverisë asnjëlloj, askurrkush. Gjatë mandatit që ne kemi qenë në aleancë ne e çuam atë në gjykatë. Ne shkuam drejt prishjes së marrëveshjes, sepse ai shkeli çdo kusht të marrëveshjes, kjo është e vërteta”, nënvizoi Berisha.
Akuzat mes Metës dhe Berishës shtator-tetor 2015
Sali Berisha: Këto ditë mediat kanë zbuluar një akt tjetër korruptiv, sipas të cilit, njëra nga kompanitë e kontraktuara nga vet CEZ-i, DEP International e një farë “nacionali”, që quhet Kastriot Ismailaj, i ka dhënë ryshfet ministrit të Jashtëm të asaj kohe. Nga ana tjetër, një padi tjetër vjen nga ish-administratori i CEZ-t, se Ilir Meta, ministër i Jashtëm, e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hasekun për Kastriot Ismailajn. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta, si ministër i Jashtëm nuk ka pasur asnjë tagër, asnjë detyrë për të negociuar me CEZ-in për asnjë lloj problemi të asaj kohe. Me CEZ-in ka qenë i ngarkuar ministri i tij Edmond Haxhinasto, ka qenë e ngarkuar Ministria e Financave, ka qenë i ngarkuar grupi i punës i përbërë nga të gjithë të tjerët, por në asnjë rast e në asnjë rrethanë, nga asnjë zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kurrë! Cilat janë motivet që e kanë shtyrë Ilir Metën të takojë në Pragë Hasekun, të negociojë për Kastriot Ismailajn? Ato duhet t’i shpjegojë ai, ndaj dhe ne kemi kërkuar dorëheqjen e tij në mënyrë që të shpjegojë gjithçka për këtë çështje. Edhe një herë e them: është akuzuar nga Tim Schreiber, se i është paguar ryshfet nga Ismailaj atij. Këtë akuzë ia transferoi Vilson Ahmetajt, i cili tha se s’ka asnjë lidhje. Po atëherë nëse nuk është Vilsoni, është Petriti se ishte anëtar i ERE-s. Dhe Petriti është sot kryetar i ERE-s. Po Petritin nuk e emëroi Sali Berisha, por Edi Rama. Tani a është ky korrupsioni më i madh në historinë e vendit? Jo. Nëse është i vërtetë, dhe unë them se duhet hetuar me çdo kusht, është një akt i mirëfilltë korruptiv. Më i madhi, më i tmerrshmi, është ai që gjobiti shqiptarët çdo qytetar të këtij vendi me 1100 euro gjobë nga marrëveshja që bëri në prapaskenë Edi Rama, mundet i ndikuar ose jo, e kam thënë edh atëherë, nga Stefan Fule, i biri i të cilit ishte eksponent kryesor i CEZ-it. I kam shkruar unë këto.
Ilir Meta: Mos u merrni me spekulime të tilla kaq të mjera, se është turp për të gjithë ju! Lexojini deklaratat edhe të Hejsekut, pavarësisht se unë nuk kam ndonjë besim te ky zotëri, sepse kam qenë ministër i Ekonomisë dhe zëvendëskryeministër në kohën që Hejsek ka qenë drejtor i CEZ-it, vazhdimisht kemi pasur debate dhe probleme, pasi asnjëherë nuk u përmbaheshin përgjegjësive dhe detyrimeve të tyre. Shqipëria ishte pa drita dhe përballej me probleme të jashtëzakonshme. Habitem sesi titullarë të tjerë të qeverisë paskan kaq besim te ky zotëri, i cili ka bërë një deklaratë në Pragë, natyrisht për të justifikuar veten e tij edhe në raport me eprorët e tij për problemet e CEZ-it me DIA-n, ku, në mënyrë eksplicite, ka bërë të qartë që këtë propozim për zotin Ismailaj ia ka bërë ambasadori i Shqipërisë në atë kohë, i cili ka qenë në atë detyrë kohë më përpara se Ilir Meta të bëhej ministër i Jashtëm, duke i thënë zotërisë në fjalë se “ky person ishte një njeri i besuar i ministrit të Jashtëm dhe i Kryeministrit, Sali Berisha”. Kjo është shumë e qartë dhe juve kjo gjë ndoshta nuk ju pëlqen, por ky nuk është një problemi im. Unë nuk e besoj që zoti Berisha ka qenë i implikuar në këtë rekomandim, edhe pse ambasadori ka qenë i emëruar prej tij, nuk ka qenë i emëruar prej meje, ju lutem, por ka qenë edhe deputet i djathtë zotëria dhe njeri i cili ka pasur raporte shumë të mira me të gjithë ju, le të mos e marrim nëpër gojë, por të flasim për të vërtetat tani. Juve ju pëlqen ajo pjesë që doni, ndërsa ne duhet t’ia themi publikut siç janë të vërtetat. Mos falsifikoni dhe mos manipuloni! Mos u bëni pjesë e një operacioni mafioz politik, mafioz mediatik dhe mafioz financiar, sepse është një operacion që paguhet për të gënjyer dhe për të mashtruar! Unë deklaroj, me përgjegjësi maksimale para jush dhe të gjithë shqiptarëve, se as më ka shkuar në mendje të shkoj në Pragë për të negociuar për një kompani të tillë apo për çdo lloj kompanie, por kam qenë në Pragë për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste Evropiane. Ka qenë edhe zoti Balla atje, por nuk i kishim marrëdhëniet shumë të mira atëherë, për arsye të koalicionit në të cilën unë ndodhesha dhe natyrisht që kam bërë edhe takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Çekisë. Unë nuk kam qenë atje për të diskutuar për CEZ-in, për çështje që nuk kishin lidhje me funksionin dhe me kapacitetin tim si ministër i Jashtëm apo si zëvendëskryeministër. …Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë favor dhe nuk i kam bërë asnjë favor. Kjo gjë duhet të jetë fare e qartë për ju dhe për cilindo tjetër…. Unë jam për një hetim ndërkombëtar, jam edhe për një hetim amerikan. E dini pse kam thënë hetim amerikan? Sepse kam dëgjuar të gjithë këta mafiozët që thonë se shkrimi është bërë me porosi të Ambasadës Amerikane, se këtë gjë na e tha filani nga Ambasada Amerikane. Unë jam nga ata që ballafaqohem me shqiptarët, me amerikanët dhe me evropianët pa asnjë shqetësim, sepse jam i bindur te drejtësia, jam i bindur tek e vërteta dhe jam i bindur tek transparenca…
