E diel, 27 Shtator, 2026

2023, viti i SPAK dhe Altin Dumanit, ja si amerikanët i prenë duart politikës për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë dhe mbushën qelitë me politikanë të peshave të rënda, nga Arben Ahmetaj, te Vangjush Dako dhe Sali Berisha

Share

Rigels Seliman

Viti 2023 është viti i Prokurorisë së Posaçme. Është viti i Altin Dumanit, pasi SPAK me të në krye dhe nën udhëzime nga amerikanë tronditi politikën. Uragani i drejtësisë së re nuk kurseu as “peshqit e mëdhenj”, shkundi pluhurin në dosjet e vjetra, “kapi” biznesmenë të lidhur ngushtë me krimin, madje preku të “paprekshmit” e politikës. Por këto zhvillime të  bujshme nuk mund të ndodhnin pa ndihmën e amerikanëve. SHBA-të janë partneri më i madh i Shqipërisë dhe një ndër vendet që ka investuar miliona dollarë për reformën në drejtësi në Tiranë, ndërkohë që mbështetje e madhe financiare e Uashingtonit ndaj Shqipërisë është evidente prej 30 vitesh në thuajse të gjitha fushat. Kjo lëvizje e SHBA ka bërë që krerët e lartë  të  korruptuar të  politikës të mbeten pa mburojën e tyre të fuqishme që i ka shpëtuar nga skandalet dhe aferat gjithë këto vite.

Arrestimet e SPAK

“Gjëma” e SPAK nisi në muajin e parë të vitit 2023, pra në janar. Një pastrueseje iu gjetën plot 420 mijë euro në tubin e sobës. Kjo solli fundosjen e ish-zyrtares së Ministrisë së Financave dhe shefe e kabinetit të ish-ministrit dhe ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi. Më pas, del çështja “McGonigal”, ku për herë të parë SPAK nis hetimet që rrezikojnë zyrtarë të lartë përfshirë kryeministrin Rama. Gjithashtu prokurorët specialë arrestuan si të dyshuar për shpërdorim të detyrave, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutajn, drejtorin e çështjeve ligjore Fatmir Hoxhaj si dhe përmbaruesit privat Alban Ruli. Ndërkohë, kujtojmë se pak muaj më parë një ndër ngjarjet që bëri bujë të madhe në vend, ishte arrestimi sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro. Arrestimi i zyrtares së lartë u bë me urdhër të SPAK dhe ajo akuzohet për veprën penale të korrupsionit. Joana Duro, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë akuzohet se mori 330 mijë lekë të reja për të favorizuar kompaninë “DRICONS” në një tender të hapur nga Ministria për supervizimin për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.

Arrestimi i ish-numrit 2 të qeverisë

Steka e goditjeve të SPAK u ngrit më lart. Prokurorët fundosën ish-numrin 2 të qeverisë Arben Ahmetaj, funksionarin më të rëndësishëm pas Ramës në PS.  Ndaj ish ministrit rëndojnë 3 akuza: – Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,  “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë; – “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal. Dosja voluminoze prej 320 faqesh përmendte veç Ahmetajt, biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtirin. Por, jo vetëm këta pasi në këtë hetim të thelluar nga SPAK ka shumë personazhe të tjerë, qoftë edhe jashtë politikës. Të rrezikuar janë edhe oligarkë e biznesmenë të fuqishëm. Disa thuhet se janë arratisur jashtë vendit.

Video-skandali i Safet Gjicit

Gjithashtu, u arrestua dhe kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, nën akuzën për korrupsion, pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua, me të cilën më pas bisedonte për financimin e mundshëm nga ana e Bashkisë të një projekti të propozuar prej saj. Më herët, u arrestua dhe ish kryebashkiaku tjetër socialist Vangjush Dako, nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, në të paktën dy raste. Ndërsa në muajin mars të këtij viti, në pranga përfundoi kryetari socialist i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, nënkryetarja, si dhe 6 zyrtarë të tjerë të kësaj Bashkie, të cilët akuzohen për veprat penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,“Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikim i formularëve”. Në muajin korrik, listës së ish-kryebashkiakëve të arrestuar do tu shtohej edhe ish-kryebashkiaku socialist i Fushë Arrëzit Fran Tuci. Ai u arrestua me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Gjithashtu arrestime pati para disa ditësh dhe në Bashkinë e Tiranës për çështjen e inceneratorëve. Po ashtu janë arrestuar biznesmenë, prokurorë, shefa policie që kanë rënë nën përgjimet e SKY. Dosjet e tyre erdhën nga ndërkombëtarët dhe SPAK zbatoi një për një detyrat.

Prokuroria Speciale fundos familjen “Berisha”

Themi se viti 2023 është viti i SPAK, pasi ai po bën detyrën që është krijuar. Për herë të parë drejtësia e re shkon në këto nivele të larta. Prokurorët  u futën në oborrin e familjes “Berisha” duke arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit dhe kanë izoluar kreun e Foltores në arrest shtëpie për aferën e Klubit Partizani. Situata e tij nuk mbaron me kaq, pasi dosjet e tij janë mal në SPAK.

SPAK në skaner familjen “Meta”, ish-ministra, ministra e deputetë

Nga ana tjetër, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj; ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani; ish-ministrja e Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca; ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku; ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro; ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj; ish-ministri Damian Gjiknuri; ish-ministri Fatmir Mediu, ish-ministri Aldo Bumçi; ish-ministri Arben Imami; ish-ministri Petrit Vasili; ish-ministri Vangjel Tavo; ish-ministri i Berishës, Ilir Meta dhe një grup biznesmenësh e oligarkësh të fuqishëm në Shqipëri, duket se janë një hap larg burgut. Të gjithë emrat e sipërpërmendur dyshohet se janë përfshirë në afera të rënda korruptive dhe kriminale. Dosjet që mbajnë emrat e këtyre ish-ministrave, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po i kopsit një nga një. Të gjitha këto hetime u thelluan në vitin 2023. SPAK e BKH iu ka futur në sitë pasurinë, iu ka sekuestruar prova dhe iu ka bërë kontrolle në banesa dhe biznese. Nga ana tjetër Olta Xhaçka ndodhet në ditët e saj më të vështira. Ajo dhe burri i saj janë bërë si të shtëpisë në SPAK për abuzimet me pronat. Po ashtu të rrezikuarit kryesorë janë dhe Fatmir Mediu, Shkëlzen Berisha, Sali Berisha së bashku me Bumçin dhe Imamin. Dosja e Gërdecit dhe Kompleksi Partizani ku shfaqen emrat e tyre po hetohet me thellësi nga SPAK. Madje Dumani zbuloi para pak ditësh se po merren dhe informacione nga amerikanët. Shumë shpejt mund të trokasin prangat. Gjithashtu drejtësia e re mund të presë fletë-arreste dhe tek kupola e LSI. Lobimi me para të pista dhe dosja CEZ-DIA që mban emrin e Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve të tij ish-ministrja janë drejt qepjes.

Roli i amerikanëve

Gjithë këto zhvillime ndodhën me ardhjen në krye të SPAK të Altin Dumanit, i cilësuar ndryshe si njeriu i amerikanëve. Politika u përpoq të kapte prokurorinë, por nuk ia dolën falë ndërhyrjes së fuqishme të SHBA. Ishte Uashingtoni që nuk lejoi Ramën të ndikonte në zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. Gjatë një mbledhje plenare maratonë që zgjati afro gjashtë orë më 16 dhjetor 2022, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK. Votimi u krye pasi tre prokurorët kandidatë, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili paraqitën platformat e tyre për mënyrën se si do të drejtonin SPAK, si dhe u intervistuan prej anëtarëve të këshillit. Dumani u emërua si drejtues i SPAK për tre vitet e ardhshme me pesë vota të 10 anëtarëve të Këshillit të pranishëm. Në media dhe në korridoret e politikës u përfol për një përplasje të fortë mes qeverisë “Rama” dhe amerikanëve, për shkak se socialistët synon të kapnin institucionin e SPAK me ndërhyrje të forta brenda KLP, në mënyrë që të katapultonin në krye të saj një “besnik” të tyre, por në fund kryeministri Rama e humbi betejën me amerikanët. Loja e pistë u nuhat nga Uashingtoni, i cili ka mbështetur reformën në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj me miliona dollarë fonde, ndërsa u fut në lojë, duke “prerë” duart e zgjatura nga politika, për të kapur Prokurorinë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe shantazhuar anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nëse SPAK binte në duart e Ramës, asnjë prej pushtetarëve të lartë të korruptuar nuk do të shkonte në burg. Berisha e Meta jo e jo.

Te tjera

Lajme te tjera