Kryesia e PD ka vendosur të miratojë sot me votë unanime vendimin e KOKOE në PD për të lënë kandidat në zgjedhjet e 23 majit vetëm Sali Berishën. Votë unanime për vendimmarrjen e saj edhe mbi përjashtimin e anëtarëve të tjerë, mes të cilëve për Ervin Salianjin, me argumentin se nuk është anëtar i PD.
Nga gara largohen përfundimisht edhe 4 kandidatët e tjerë, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Vladimir Mulaj e Mereme Sela, më këtë të fundit që çështjen e ka çuar në gjykatën e Tiranës.
Por, të qenit i vetëm në garën, për Sali Berishën nuk është tregues i një partie të mbyllur. Sipas tij qëndron e kundërta, se PD është një parti që mbetet e hapur ndaj garës. Në mbledhjen e Kryesisë, Berisha deklaroi edhe njëherë se PD është ndër të paktat parti në Europë dhe në botë që e zgjedh kryetarin me votë nga anëtarësia.
“PD ka qenë dhe mbetet parti e hapur ndaj garës më eprore. Partitë që zgjedhin kryetarë me një anëtar një votë nuk janë shumicë, por janë pakicë. Janë një pakicë që po rritet. Kemi instaluar me kohë, jemi dhe do mbetemi parti e garës së lirë, ndershme, por themelore partia e anëtarëve të saj.
Të qëndrosh parti e anëtarëve të saj, do të thotë t’iu japësh të drejtë atyre të shprehen dhe do të thotë të votohen ato që mbrojnë interesat dhe jo t’ua caktojë kandidatët dikush tjetër. Kjo nuk mund të ndodhë”, tha Berisha.
Berisha pretendon se kurrë nuk ka diktuar kandidatë formalë për tu përballur me të, ndërsa për përjashtimet thotë se nuk plotësuan kriteret e caktuara nga PD. Në mbledhjen e Kryesisë, ai tha se PD do jetë parti e anëtareve të saj dhe se kurrë s’do të pranojë në garë kandidatë të rremë.
“Kurrë dhe kurrë në jetën time, nuk kam tentuar dhe s’do tentoj të krijoj kandidaturë. Nga Berisha mos e prisni kurrë, në mënyrë absolute deri sot nuk i kam thënë njeriu të kandidojë. Si kam thënë kurrë Bashës të kandidojë, Olldashit, kurrë si kam kërkuar Uran Butkës të kandidojë me mua, kurrë Ibsen Elezit. Refuzoj në mënyrën më kategorike praktikën që të përpiqem të zgjedh rivalin.
Në përzgjedhjen e kandidatëve ka kritere, madje ka forca politike që kanë kritere të forta. Ne s’i kemi të forta. Kemi kritere ato që janë përcaktuar. PD ka qenë, është dhe do jetë parti e garës, parti e anëtarëve të saj, e votës së tyre. Por s’do jetë kurrë parti e kandidaturave kallpe. Kurrë si kam thënë Elezit për rival, ka kandiduar vetë”, vijoi Berisha.
Kreu i PD la porosi për ngritjen e grupit të punës për përgatitjen e Kuvendit Kombëtar më 30 maj, duke thënë se data u zhvendos pasi nuk kishin gjetur sallë.
