E diel, 3 Maj, 2026

I vetëm në garë/ Berisha: Përballja me Mereme Selën, qesharake! Salianji u shit te krimi! Ish-deputeti i kujton non gratën: Je i lidhur me krimin e organizuar

Share

Vendimi për të qenë i vetmi kandidat në zgjedhjet e 23 majit, po e përball Sali Berishën me demokratë të pakënaqur.

Në Dibër, ai iu përgjigj këtij anëtari të PD-së, se refuzimi i kandidaturës së Ervin Salianjit lidhet me marrëdhëniet, që Sali Berisha supozon se ish deputeti ka ndërtuar në burg teksa vuante dënimin, me eksponentë të krimit, afër Partisë Socialiste.

“Informacione të verifikuara: ky në burg drekonte me Pëllumb Gjokën dhe Oltion Bistrin. Ky opozitë, ata byrazerë të qeverisë.Gjatë verës, ky shkonte në Qerret te Ergys Agasi. Shkon në Elbasan. Më vinin mesazhe që Suel Çela u kërkonte të merrnin pjesë në takime me kërcënim. I mora mesazhet, i verifikova dhe i thashë: ‘E ke përjashtuar veten nga PD. Ti nuk mund të përdorësh bandat kundër demokratëve’. Pas 10 ditësh, në drekë me Taulant Ballën. Kur plasi skandali i Belinda Ballukut, ky krijonte lajme për të sfumuar lajmet për Ballukun”, tha Berisha.

Ndërsa kandidaturën e Mereme Selës, mjekes nga Fushë-Kruja që po ashtu PD e skualifikoi, e quajti qesharake.

“Për të kandiduar Meremja që të drejtojë demokratët, duhet të ketë disa prova të tjera, sepse përndryshe gara bëhet qesharake. Një garë e tillë nuk të nderon”, tha Berisha.

Për lidhjen e supozuar me krimin, Ervin Salianji iu përgjigj Berishës duke i kujtuar vendimin e Gjykatës së Londrës për të lënë në fuqi non gratën e tij, për shkak të lidhjeve të verifikuara me eksponentët kriminalë. 

“Sali “kolltuku” i damkosur, jo i akuzuar kot!

Vendimi i gjykatës britanike konfirmon se nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për prova të mjaftueshme që lidhin Sali Berishën me korrupsion dhe krim të organizuar. E vërteta e hidhur; Ndërkohë që demokratët kërkojnë alternativë dhe fitore, ata mbahen peng nga një figurë që është shpallur problem sigurie nga aleatët strategjikë të Shqipërisë. Kjo është drama reale e Partisë Demokratike: jo përballja me kundërshtarin se atë e mundim, por pengmarrja nga e shkuara”, shkroi Salianji.

Të premten, PD zyrtarizoi zgjedhje me vetëm një kandidat: Sali Berishën për 23 majin. Të refuzuarit e quajtën shenjë frike për përballje dhe gare reale. Ervin Salianji paralajmëroi se do të njoftojë ndërkombëtarët dhe familjen e PPE-së, ndërsa Mereme Sela paralajmëroi një tjetër betejë në dyert e gjykatave.

Në mungesë të alternativave, edhe demokratët duket se do ta braktisin procesin, teksa një prej të pranishmëve i tha: Unë nuk do të vij të votoj se pse të vij?

Në Dibër, rezerva ndaj Berishës pati edhe për strategjinë e protestave teksa një prej demokratëve i tha “Me drita të ndezura nuk largohet Edi Rama”.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera