E diel, 3 Maj, 2026

“Godet” Evi Kokalari: Vetëm unë mund ta mund Berishën

Share

Evi Kokalari ka deklaruar publikisht se është personi i vetëm që mund të sfidojë Sali Berishën për drejtimin e Partisë Demokratike, duke theksuar rolin e saj në rikthimin e tij në krye të kësaj force politike.

Në një lidhje direkte me studion e “Terminal” në A2CNN, Kokalari u shpreh se pa mbështetjen e saj, Berisha nuk do të kishte arritur të rimerrte kontrollin e partisë. “Personi që mund ta sfidojë Sali Berishën jam unë. Të gjithë ata të PD-së e dinë shumë mirë: Sali Berisha PD-në nuk do e kishte marrë kurrë po mos i kisha dalë unë në krah. Jo vetëm që kam forcën e debatit, por mundësova kthimin e Partisë Demokratike nga Lulzim Basha tek Berisha, që s’kishte asnjë shans vetë në atë kohë”, deklaroi ajo.

Kokalari shtoi më tej se marrëdhënia e saj me Berishën është përkeqësuar që në vitin 2022, kur, sipas saj, ka evidentuar manipulime në proceset e brendshme të partisë. Ajo pretendon se Partia Demokratike është “marrë peng” përmes manipulimit të votave në Këshillin Kombëtar dhe në zgjedhjen e strukturave drejtuese. Sipas saj, përpjekjet për të kundërshtuar këtë situatë kanë nisur fillimisht në mënyrë private dhe më pas janë bërë publike.

Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një realitet tjetër brenda Partisë Demokratike. Sali Berisha pritet të garojë pa rivalë për postin e kryetarit, pasi Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) ka refuzuar të gjitha kandidaturat alternative.

Në vendimin e tij, KOKOE ka rrëzuar aplikimet e Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt, ndërsa ka mospranuar për shqyrtim edhe kërkesat e paraqitura nga figura të tjera, përfshirë Evi Kokalarin, Ervin Salianjin dhe Alesia Balliun. Arsyeja e dhënë lidhet me mosplotësimin e kushteve statutore, konkretisht faktin që aplikimet nuk janë paraqitur nga anëtarë të Partisë Demokratike, siç kërkohet nga rregullat e brendshme.

Në këtë mënyrë, gara për kreun e Partisë Demokratike duket se është mbyllur pa konkurrencë reale, duke i hapur rrugë Berishës për një mandat të ri në drejtimin e forcës më të madhe opozitare në vend.

Te tjera

Lajme te tjera