E diel, 3 Maj, 2026

Nga armëpushimi te marrëveshja finale, zbardhen 5 propozimet e Iranit për SHBA

Share

Zbardhen detaje të reja nga propozimi i fundit i Iranit për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Shtetet e Bashkuara, ndërsa negociatat mbeten të brishta dhe tensionet të larta.

Sipas agjencisë Reuters, që citon një zyrtar të lartë iranian, plani i Teheranit përfshin pesë elemente kryesore: përfundimin e luftës me garanci që Izraeli dhe SHBA nuk do të sulmojnë më Iranin; rihapjen e Ngushticës së Hormuzit; heqjen e bllokadës amerikane; nisjen e bisedimeve për programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve; si dhe njohjen nga Uashingtoni të të drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore, me kusht që Teherani të pranojë pezullimin e procesit.

Ideja është që çështja më komplekse, ajo bërthamore, të shtyhet në fazën finale për të krijuar një klimë më të favorshme për marrëveshje”, ka deklaruar zyrtari iranian.

Më herët, agjencia shtetërore IRNA raportoi se Irani ia ka përcjellë këtë propozim SHBA-së përmes ndërmjetësve pakistanezë, pasi negociatat direkte kishin ngecur.

Të dyja palët kishin arritur një armëpushim më 8 prill 2026, por përpjekjet për një marrëveshje të qëndrueshme kanë hasur vështirësi. Propozimi i ri vjen në një moment delikat, ndërsa palët kërkojnë një zgjidhje afatgjatë.

Ndërkohë, ditët e fundit janë shoqëruar me kërcënime të ndërsjellta. SHBA dhe Izraeli kanë paralajmëruar mundësinë e sulmeve të reja nëse negociatat dështojnë, ndërsa Irani ka akuzuar Uashingtonin për bllokadë dhe ka paralajmëruar reagim nëse ajo nuk hiqet.

Përgjigja e SHBA pritet të përcaktojë nëse procesi do të avancojë drejt një marrëveshjeje apo nëse tensionet do të përshkallëzohen sërish. 

Te tjera

Lajme te tjera