E premte, 1 Maj, 2026

Zgjedhje formale për kreun e PD/ Berisha i vetëm në ‘garë’, skualifikohen nga kandidimi Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj

Share

Shpresa e mjekes Mereme Sela për të rivalizuar doktorin që drejton PD-në, zgjati vetëm 24 orë. PD i hapi pragun për të dorëzuar dosjen e aplikimit, por nxitoi t’i mbyllte derën e garës, duke legjitimuar vetëm Sali Berishën kandidat për kreun e PD-së në zgjedhjet e 23 majit.

Bashkë me Mereme Selën, që pasi i bëri skanerin, PD thotë se nuk ka një profil të lartë publik e politik ndaj nuk mund të jetë kandidate, u skualifikua edhe një tjetër emër i cili u mësua publikisht vetëm këtë të premten, Vladimir Mulaj, tërësisht i panjohur dhe siç thotë selia blu, pa eksperiencë në drejtimin e strukturave demokrate.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve elektorale në PD nuk ka marrë fare në shqyrtim dokumentet që mbërritën në disa mënyra qoftë fizikisht, por edhe përmes postës elektronike të Evi Kokalarit, Alesia Balliut dhe Ervin Salianjit. Justifikimi për të tre, është “vetëpërjashtimi”.

“Kërkesat e mbërritura, për shkak se nuk plotësojnë kushtin e paraqitjes nga një anëtar i Partisë Demokratike, nuk mund të shqyrtohen”-thuhet në vendim.

Por teksa fituesi i garës për kryetar tashmë u paracaktua, PD po punon seriozisht mbi ndryshimet në statut.

Grupi i punës u mblodh për të caktuar kalendarin e punës duke i lënë afat 14 majin çdo kujt që dëshiron të bëjë propozime. Brenda 25 majit drafti do t’i paraqitet kryesisë për miratim për t’i lënë më pas vendin miratimit final në Kuvendin e thirrur më 30 maj.

Report Tv ka mësuar se heqja e nenit “Basha” ku kryetari ikën nga partia pasi humb zgjedhjet parlamentare, nuk është opsion, por diskutime po bëhen mbi primaret, të vendosura me bujë nga Sali Berisha, por që tashmë po shihet me skepticizëm pas dështimit për të qenë vota e demokratëve ajo që i vendos vulën vendimmarrjeve në parti.

Te tjera

Lajme te tjera