Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga disa vende europiane, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Gjermaninë, duke i akuzuar aleatët se nuk kanë ofruar mbështetje në konfliktin me Iranin.
Duke folur për gazetarët, Trump e cilësoi “të mundshme” tërheqjen e trupave edhe nga Italia dhe Spanja përveçse në Gjermani. “Pse të mos e bëj? Italia nuk na ka ndihmuar fare dhe Spanja ka qenë e tmerrshme, absolutisht e tmerrshme”, deklaroi ai. Sipas tij, vendet europiane nuk kanë reaguar me shpejtësinë dhe angazhimin e duhur, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm Ukrainën.
Presidenti amerikan shtoi se administrata e mëparshme kishte dhënë rreth 350 miliardë dollarë për Ukrainën, një vendim që ai e konsideroi të gabuar, duke argumentuar se konflikti nuk lidhet drejtpërdrejt me SHBA-të. “Ne jemi të ndarë nga një oqean. Është çështje e tyre, por ne po i ndihmojmë”, theksoi Trump, duke nënvizuar se në momentet kur Uashingtoni kishte nevojë për mbështetje, aleatët europianë nuk ishin të pranishëm.
Në të njëjtën kohë, Trump ka sulmuar edhe kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke i kërkuar të fokusohet më shumë në luftën në Ukrainë dhe problemet e brendshme të Gjermanisë, si emigracioni dhe energjia, dhe të mos ndërhyjë në përpjekjet për eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian.
Ndërkohë, nga Berlin ka ardhur një reagim i ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan. Sipas një zyrtari të qeverisë gjermane, i cituar nga Politico, “politika e kërcënimeve të ashpra” e Trump ka “arritur kufirin” dhe nuk është më efektive.
Burimi theksoi se një tërheqje e trupave amerikane nga Gjermania do të dobësonte vetë Shtetet e Bashkuara dhe shtoi me tone kritike: “Pyesim veten se kur ‘të rriturit’ në Uashington do të rikthehen në skenë”. Gjermania pret që SHBA të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj aleatëve të saj në kuadër të marrëdhënieve transatlantike.
