E diel, 3 Maj, 2026

A po vjen fundi i NATO-s?

Share

Uashingtoni do të tërheqë 5,000 trupa nga Gjermania dhe do të anulojë një vendosje raketash me rreze të gjatë veprimi të planifikuar, duke thelluar shqetësimin evropian mbi aftësinë e saj për të penguar Rusinë pa mbështetjen e fortë të SHBA-së.

Për muaj të tërë, zyrtarët në gjithë Europën e prisnin një lëvizje të tillë, në sfondin e sulmeve të përsëritura të presidentit Donald Trump ndaj NATO-s dhe kritikave të tij të vjetra se vendet europiane mbështeten shumë te mbrojtja amerikane dhe bëjnë pak për të mbrojtur veten.

Kjo ishte para zemërimit të tij për refuzimin e Europës për t’iu bashkuar luftës kundër Iranit.

Megjithatë, fakti që vendimi ishte i pritshëm nuk ka ulur shqetësimin në Europë për pasojat e tij, veçanërisht pasi zyrtarët druajnë se kjo mund të jetë vetëm fillimi i një procesi më të gjerë. Trump ka deklaruar tashmë se po shqyrton një tërheqje të plotë të SHBA nga NATO, një hap që do të trondiste ndjeshëm arkitekturën e sigurisë europiane në një kohë kur kontinenti druhet nga agresioni i mundshëm rus.

Njoftimi erdhi pas zemërimit të Trump për deklaratat e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili tha se Irani po e poshtëronte SHBA në negociata dhe se presidenti amerikan nuk kishte një strategji për menaxhimin e luftës. Merz, një konservator që erdhi në pushtet vitin e kaluar, kishte tentuar të ruante marrëdhënie të mira me Trump, duke e bërë kritikën e tij të pazakontë.

Trump reagoi duke thënë se kancelari “nuk e di për çfarë flet”. Brenda pak ditësh, ai deklaroi se do të shqyrtonte tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.

Sipas zyrtarëve të administratës, të cituar nga The New York Times, tërheqja e pjesshme synon të shihet edhe si një formë ndëshkimi për deklaratat e Merz dhe për refuzimin e Gjermanisë për t’iu bashkuar përpjekjeve ushtarake amerikane. Megjithatë, ndryshe nga disa vende të tjera europiane, Gjermania nuk ka kufizuar përdorimin e bazave të saj nga SHBA për sulmet ndaj Iranit.

Sipas planit të Pentagonit, 5.000 trupa do të largohen nga Gjermania brenda një periudhe 6 deri në 12 muajsh. Kjo përfaqëson rreth 14% të afërsisht 36.000 trupave amerikane të vendosura atje në fund të vitit 2025. SHBA gjithashtu do të anulojë vendosjen e një njësie të re raketore me rreze të gjatë, e konsideruar një element kyç për forcimin e frenimit ndaj Rusisë.

Pentagoni deklaroi se kjo lëvizje do ta kthejë praninë ushtarake amerikane në Gjermani në nivelet para pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Nuk është sqaruar nëse trupat do të kthehen në SHBA apo do të zhvendosen në baza të tjera në Europë.

Edhe nëse tërheqja realizohet plotësisht, Gjermania do të mbetet një nga vendet me praninë më të madhe ushtarake amerikane jashtë SHBA, e dyta vetëm pas Japonisë. Trupat amerikane janë të vendosura në rreth 40 instalime, përfshirë bazën ajrore Ramstein dhe Stuttgartin, ku ndodhen komandat amerikane për Europën dhe Afrikën. Gjermania gjithashtu strehon armë bërthamore amerikane.

Prania amerikane në Gjermani daton që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka shërbyer si kundërpeshë ndaj ndikimit sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Pas rënies së Murit të Berlinit, numri i trupave u reduktua, por roli i Gjermanisë mbeti kyç, si për frenimin e Rusisë, ashtu edhe si qendër logjistike për operacionet amerikane në Lindjen e Mesme.

Trump ka kërcënuar edhe më parë me reduktim të pranisë ushtarake në Europë. Gjatë mandatit të tij të parë, ai kritikoi Gjermaninë për shpenzime të ulëta në mbrojtje dhe njoftoi plane për të ulur trupat me një të tretën, por kjo u anulua më pas nga administrata Biden.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius deklaroi se vendimi ishte i pritshëm dhe theksoi se prania amerikane është e rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për vetë SHBA. Ai shtoi se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj dhe përmendi planet për rritjen e ushtrisë gjermane në rreth 260.000 trupa.

Zyrtarë të tjerë gjermanë ishin më kritikë. Deputeti Peter Beyer tha se vendimet e Trump, përfshirë edhe rritjen e tarifave ndaj makinave europiane, duken më shumë si reagime politike sesa si pjesë e një strategjie të qëndrueshme.

Ndërkohë, Europa mbetet e shqetësuar se kjo mund të jetë pjesë e një tërheqjeje më të gjerë amerikane që do të dobësonte NATO-n dhe do të inkurajonte Rusinë. Vendet e krahut lindor të aleancës janë veçanërisht të shqetësuara.

Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se rreziku më i madh për komunitetin transatlantik nuk vjen nga jashtë, por nga dobësimi i vetë aleancës.

Në të njëjtën kohë, SHBA po përballet me presion edhe nga brenda. Kongresi ka miratuar një masë që ndalon uljen e pranisë ushtarake në Europë nën 76.000 trupa, çka mund të krijojë përplasje të reja me administratën Trump.

Qeveritë europiane janë gjithashtu të shqetësuara për vonesat në furnizimet me armë nga SHBA, pasi lufta me Iranin ka reduktuar rezervat amerikane. Uashingtoni ka paralajmëruar aleatë si Britania, Lituania dhe Estonia për vonesa të gjata në dërgesa.

Në të njëjtën kohë, SHBA ka shpallur marrëveshje të mëdha armësh me aleatët në Lindjen e Mesme, përfshirë Izraelin, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, një sinjal tjetër i mundshëm për një zhvendosje graduale të fokusit strategjik larg Europës. 

Te tjera

Lajme te tjera