E martë, 5 Maj, 2026

5 Maji, Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita: Lavdi e përjetshme dëshmorëve të policisë dhe të atdheut

Share

Dita e Dëshmorëve mblodhi së bashku, në një ceremoni të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të institucioneve në varësi të saj, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës.

Të pranishmit nderuan veprën dhe kujtimin e 231 Dëshmorëve të Policisë, emrat e të cilëve janë gdhendur në memorialin që iu kushtohet atyre.

Gjatë ceremonisë, u mbajtën fjalët e rastit, në shenjë vlerësimi për aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye dhe për shkak të detyrës.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në fjalën e tij, u shpreh se 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, është një ditë kur uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim, si një vijë e padukshme mes jetës së zakonshme dhe sakrificës së jashtëzakonshme.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë ceremonisë përkujtimore të Dëshmorëve të Policisë dhe të Atdheut, 5 Maj, 2026

Të dashur familjarë të kolegëve tanë të shtrenjtë,
Të nderuar zëvendësministra,
Të nderuar partnerë,
Të nderuar kolegë, të ftuar dhe pjesëmarrës,

Sot nuk jemi mbledhur thjesht për të kujtuar një datë, jemi mbledhur për t’u përkulur para një mungese që flet më fort se prania jonë. Para një heshtjeje që nuk është boshllëk, por amanet. Para emrave që nuk janë vetëm të gdhendur në pllaka përkujtimore, por të skalitur në ndërgjegjen e një kombi që nuk duhet të harrojë kurrë se siguria e tij ka patur dhe ka një çmim njerëzor.

5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, është një ditë ku uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim, si një vijë e padukshme mes jetës së zakonshme dhe sakrificës së jashtëzakonshme.

Sepse dëshmorët tanë nuk ishin statuja. Nuk ishin figura të largëta nga jeta. Ata ishin bij nënash që i prisnin në prag. Ishin baballarë që nuk arritën të ktheheshin për darkë. Ishin bashkëshortë që lanë përgjysmë një fjalë të butë, një premtim të vogël, një ëndërr shtëpie. Ishin prindër që nuk arritën t’i shihnin fëmijët duke u rritur, por u lanë atyre trashëgiminë më të rëndë, por më fisnike: emrin e nderit.

Në historinë e çdo kombi ka njerëz që nuk kërkojnë duartrokitje, por lënë pas dritë. Dëshmorët e Policisë së Shtetit, njëherazi të Atdheut, janë prej tyre. Ata janë ata njerëz të rrallë që, në çastin kur jeta kërkoi prej tyre zgjedhjen më të pamundur, nuk zgjodhën veten, zgjodhën ligjin dhe detyrën, qytetarin dhe Shqipërinë.
Dhe prandaj sot, përpara familjeve të tyre, ne nuk mund të flasim me fjalë të zakonshme. Sepse dhimbja, krenaria dhe mungesa që mbani në shtëpitë tuaja nuk është e zakonshme.

Ju, familjarë të dashur të dëshmorëve, jeni pjesa më e heshtur dhe më e madhe e kësaj sakrifice. Ju detyrohemi jo vetëm respekt, jo vetëm mirënjohje, por kujdes, prani, dinjitet dhe kujtesë të pandërprerë. Sepse dëshmori nuk i përket vetëm familjes së vet. Ai i përket Republikës. Ai i përket flamurit. Ai i përket çdo qytetari që jeton në paqen që ai mbrojti.

Për çdo punonjës policie sot, kjo ditë është edhe pasqyrë, edhe thirrje. Pasqyrë për të parë se çfarë peshe ka uniforma që mbajmë.
Thirrje për të mos e harruar kurrë se autoriteti pa njerëzillëk bëhet i ftohtë, ndërsa ligji pa shpirt bëhet i largët. Policia e Shtetit nuk është vetëm forca që lufton krimin. Është edhe dora që ndihmon të moshuarin, fjala që qetëson qytetarin, prania që rikthen besimin, syri që vigjilon kur të tjerët pushojnë.

Dëshmorët tanë na mësojnë se uniforma nuk nderohet nga grada, por nga karakteri. Nuk ndriçon nga metali i stemës, por nga morali i njeriut që e mban. Nuk bëhet e shenjtë nga ceremonia, por nga gatishmëria për të qëndruar aty ku rreziku është më i madh se frika.

Sot, kur vendosim kurora, kur ulim kokën, kur shqiptojmë emrat e tyre, ne nuk kryejmë vetëm një ritual. Ne rinovojmë një kontratë të pashkruar me kujtesën. Një kontratë që thotë, nuk do t’ju harrojmë. Nuk do t’i lëmë emrat tuaj të zbehen. Nuk do ta lejojmë kohën t’i mbulojë gjurmët tuaja me pluhur indiference.

Sepse një shtet që harron dëshmorët e vet, varfëron shpirtin e vet. Ndërsa një shtet që i kujton me nder, ndërton mbi sakrificën e tyre një të ardhme më të drejtë, më të sigurt dhe më njerëzore.

Në emër të Policisë së Shtetit, sot shpreh përuljen më të thellë për të gjithë punonjësit e Policisë që dhanë jetën në krye të detyrës.
Për ata që u nisën në mëngjes me uniformë dhe nuk patën kohë të thoshin lamtumirë, por u kthyen në përjetësi me flamur, duke lënë pas një mesazh që nuk shuhet: se detyra kur vishet me ndershmëri, bëhet më e madhe se jeta.

5 Maji nuk është një ditë trishtimi. Është një ditë krenarie e mbushur me dhimbje, dhe dhimbja e mbushur me krenari, të dyja njëkohësisht, të dyja pa kompromis. Sepse 231 dëshmorë ranë në këmbë dhe ne që jemi pjesë e Policisë së Shtetit, kemi një detyrë të vetme, të mos ulemi kurrë.

Le të jetë kujtimi i tyre jo vetëm dhimbje, por busull; jo vetëm ceremoni, por ndërgjegje; jo vetëm histori, por frymë.

Lavdi dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut!
Nderim i përjetshëm familjeve të tyre!
Ju faleminderit!

Te tjera

Lajme te tjera