Kujtesë dhe respekt për ata që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e Shqipërisë.
Krerët më të lartë të shtetit nderuan dëshmorët e atdheut.
Në ceremonialin shtetëror të organizuar pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vendosën kurora me lule dhe u përkulën në respekt të sakrificës sublime të dëshmorëve.
Kreu i shtetit Bajram Begaj zgjodhi të shprehë mirënjohjen ndaj të rënëve duke shënuar një mesazh në rrjetet sociale.
“Idealizmi i tyre dhe atdhedashuria vetëmohuese duhet të na frymëzojnë të gjithëve për ta dashur më shumë Shqipërinë tonë, një Shqipëri që zhvillohet, bën përpara në rrugën e bashkimit me familjen evropiane! Ky është misioni ynë i përbashkët, nën shembullin e martirëve kombëtarë”, shkroi Begaj.
“Përulësisht me respekt. Të paharrueshëm Dëshmorët e Atdheut”, shkroi shkurt kreu i qeverisë Edi Rama duke shpërndarë në rrjetet sociale homazhet në nderim të rënëve për lirinë qe vendi gëzon sot.
Dëshmorët e Atdheut i kujtoi me një postim në rrjetet sociale, nga paraburgimi, edhe ish-presidenti Ilir Meta, duke theksuar se “vepra e tyre mbetet një thirrje për të qëndruar të gatshëm për çdo sakrificë në mbrojtje të lirisë të kërcënuar sot.”
Kryesuar nga Tedi Blushi, deputetë të partisë së tij, i bënë homazhet më vete, pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.
“Amaneti i dëshmorëve është një kushtrim i madh për të mbrojtur si sytë e ballit vlerat e lirisë të cenuara sot nga uzurpatorë që e kanë pushtuar Shqipërinë jo me tanke e blinda, por me promovimin e antivlerave”, tha Blushi.
Edhe veteranë të luftës nacional-çlirimtare e familjarë të dëshmorëve bënë homazhe. Nuk munguan as ithtarët e Enver Hoxhës.
Dita e Dëshmorëve lidhet me vrasjen e Qemal Stafës më 5 maj të vitit 1942, një figurë simbolike e rezistencës antifashiste, ditë e cila pas çlirimit u caktua si moment për të nderuar të gjithë dëshmorët.
Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, prehen edhe efektivë të rënë në detyrë.
