Kryeministri Edi Rama e cilësoi “thashethem” emrin e drejtoreshës e kabinetit të tij, Vali Bizhga, për t’u propozuar si kandidate për presidente.
“Nëse do të bënim javë kulturore për thashethemet, Shqipëria do të mbante flamurin e kryesuesit të aftësisë prodhuese. Por do të doja të mos e shfokusonim vëmendjen nga kjo nismë, pasi na duhet mbështetja e të gjithëve ju, në mënyrë që të gjithë të mësojnë përmbajtjen e saj dhe pastaj me gjasë të interesohen dhe të zgjedhin, dhe të përfshihen si spektatorë, apo si vizitorë në të gjitha këto seri javësh që fillojnë sot dhe përfundojnë në fund të vitit me një ndërprerje në mes të pushimeve verore. Kështu që nuk do të doja të shfokusoheshim dhe për më tepër e kam thënë që në fillim, që ky procesi i zgjedhjes së presidentit është një proces që stimulon maksimalisht thashethemet dhe përzihen në vorbullën e thashethemeve shumë emra, në më të shumtën e herës pa dëshirën e tyre fare, si në rastin në fjalë për të cilën mu bëtë pyetjen. Kështu që edhe përgjigjja ime është negative për pyetjen konkrete, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në këtë”, deklaroi Rama.