E diel, 3 Maj, 2026

Zbatohet Amnistia Penale! Hapen dyert e burgut për 780 të dënuar, ulje dënimi për 800 të tjerë! Manja: S’përfitoi asnjë zyrtar i lartë

Share

Burgjet e vendit hapën dyert mesditën e sotme (24 prill 2024)  për të gjithë ata që përfitojnë nga Ligji për Amnistinë Penale. 780 të dënuar u liruan nga burgu ndërsa për 2662 persona të dënuar me shërbim prove u mbaroi dënimi. Ndërkohë për protestuesit e opozitës që u pushohet çështja janë 232.

Të shumtë ishin familjarët që kishin shkuar për ti pritur. 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ishte në burgun e Rrogozhinës, aty ku ishte edhe numri më i madh i të dënuarve që u liruan. Manja kishte një mesazh për të gjithë ata që lanë qelinë, duke u kërkuar që t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. 

“Uroj t’i kthehen jetës së përditshme, t’i kthehen punës së ndershme dhe të mos e kthejnë më kokën pas. Kthejuni jetës normale se mbi çdo gjë është familja, por edhe shoqëria jonë, që për këtë gabim që kanë bërë kemi paguar për ta”, tha Manja. 

Manja iu përgjigj edhe njëherë akuzave të Partisë Demokratike, duke thënë se asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga GJKKO nuk ka përfituar. Ministri theksoi se amnistia i kursen buxhetit të shtetit rreth 30 milione euro.

“Asnjë zyrtar i lartë që gjendet duke vuajtur dënimin për shkak se është dënuar nga GJKKO apo se është në proces hetimi apo gjykimi nuk përfiton nga kjo amnisti. Me ulje dënimi janë një numër sa gishtat e një dore, nënpunës të thjeshtë që përfitojnë nga amnistia me ulje dënimi dhe lirohen me ulje dënimi. Nga amnistia zyrtarë të lartë nuk ka”, theksoi Manja. 

Në Shkodër, i pari që la qelitë e burgut të Reçit ishte ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, i dënuar me 3 vite burg për tjetërsim pronash në Shëngjin. 

‘Uroj, askush të mos e provojë burgun’ u tha gazetarëve që ndodheshin atje.

Në total, nga ky burg përfituan lirinë 140 të dënuar, dhe për drejtorin e policisë së Burgjeve Paulin Rajta, kjo zgjidh sidomos mbipopullimin.

Në Lezhë, nga burgu i Shën Kollit u largua sot Dritan Gjuzi i dënuar me 17 vite për trafik narkotikësh. E motra ka ardhur nga Gjermania për të pritur të vëllanë invalid. Në burgun e Shënkollit, 6 u liruan, dhe 3 të tjerëve u ulet dënimi.

Në Korçë ndër 55 të burgosurit që lënë qelitë në burgun e Drenovës është edhe një i dënuar i cili më në fund arriti të merrte në krah të birin jashtë hekurave.

Nga burgu i Fierit, 119 të dënuar lanë qelitë, dhe 311 të tjerëve u ulet dënimit. Klement Omeri, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, shprehu jo pak emocione që më në fund është i lirë.

Mes të liruarve nga burgu i Peqinit është dhe një i dënuar që 19 vite të jetës i kishte kaluar në qeli.

Te tjera

Lajme te tjera