Pesë persona janë arrestuar nga policia dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim nën akuzën e mashtrimit dhe ‘Falsifikimit të vulave stampave ose formularëve’. Në pranga kanë rënë Renato Nasto., Klea Prifti, Klaudio Leçini, Klaus Kapedani dhe Xhemal Seseri ndërsa është shpallur në kërkim Eduart Gjini. Të arrestuarit dyshohen si të përfshirë në një skemë mashtrimi të falsifikimit të formularëve dhe të dhënave me qëllim marrjen e vizave amerikane ndërsa organizatori ishte Renato Nasto.
Mësohet se Renato Nasto nëpërmjet një faqeje në instagram ‘viza_amerikane_insider’ u premtonte qytetarëve garantimin e vizave amerikane turistike 10 vjeçare kundrejt pagesës prej 10 mijë eurosh. Personat e tjerë të arrestuar, dyshohet se kanë bashkëpunuar me të për gjetjen e aplikantëve të cilëve më pas u kanë falsifikuar të dhënat e aplikimit në formularët zyrtarë.
Renato Nasto i cili u prezantohej aplikantëve si person me lidhje brenda ambasadës i shoqëronte para intervistës në Ambasadën Amerikane dhe u mësonte çfarë të thonin. Pasi të dilnin nga intervista u merrte pagesën prej 10 mijë eurosh.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore në funksion të këtij procedimi, rezulton se shtetasi R.N., nëpërmjet adresës në rrjetin social ‘Istagram’, emrin “viza_amerikane_insider”, kishte vendosur postimin “viza Amerikane me garanci 100%. “Ne garantojmë pajisjen me viza Amerikane 10-vjeçare. Ju paguani vetëm pasi viza t’ju aprovohet. 0683318483”.
Shtetasi R.N., garantonte marrjen e vizës Amerikane turistike 10-vjeçare me ndërhyrjen e tij në Ambasadë kundrejt shumës 10.000 euro.
Gjithashtu, hetimet provuan se shtetasi R.N., personave aplikantë i falsifikonte të dhënat e formulareve elektronikë në aplikimin për vizë amerikane me të dhëna të rreme, që aplikanti për vizë të kishte një profil kualifikues. Këtë gjë ai e bënte në bashkëpunim me aplikantin e vizës, sikundër janë aplikimet me shtetasit K.P., K.K., K. L., Xh.S., dhe E. Gj.,të cilët kanë rezultuar se në bashkupunim me shtetasin R.N., kanë falsifikuar formularët elektronikë për vizë amerikane duke e plotësuar me të dhëna jo reale.
Shtetasi R.N paraqitej ditën kur aplikantët kishin intervistën në konsullatë, në Ambasadën Amerikane për marrjen e vizës. Ai i shoqëronte dhe i udhëzonte se si të silleshin gjatë intervistës. Pasi ata përfundonin intervistën, në rast se kulifikoheshin (mernin vizën) shtetasi R.N merrte shumën prej 10.000 Eurosh”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.
