E enjte, 13 Shkurt, 2025

Të akuzuar për drogë dhe vrasje, kush janë 10 shqiptarët më të kërkuar nga Interpol?

Share

Interpol ka shpallur listën e 10 shqiptarëve më të kërkuar. Mes tyre janë dhe dy persona të kërkuar nga drejtësia amerikane si të dyshuar për vrasje. Krimet për të cilat kërkohen shqiptarët janë vrasje, grabitje dhe trafik lëndësh narkotike.

Vetëm dy nga 10 shqiptarët e listës së Interpol kërkohen nga drejtësia në Shqipëri.

Lista kryesohet nga Bedri Noka, 40-vjeçari nga Novoseja e Vlorës. Ai kërkohet nga Belgjika, për shkak se dyshohet si anëtar i një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha kokaine në Europë. Po ashtu 40-vjeçari dyshohet edhe për pastrim parash.

Andi Kuka, 31-vjeç është një tjetër i kërkuar nga Belgjika, për përfshirje në grup kriminal, trafikim i lëndëve narkotike dhe pastrim parash.

– Ndërkohë nga Greqia, kërkohet Taulant Memo. 38-vjeçari akuzohet nga shteti grek, për armë mbajtje pa leje, por edhe për një dëm ekonomik prej 10 milionë eurosh për shkatërrimin e një sipërfaqeje të madhe pyjore.

-Po për llogari të Greqisë, kërkohet edhe Ergest Memo, i afërmi i Taulant Memos.

-I pesti nga më të kërkuarit në listën e Interpol renditet 56-vjeçari Aleks Burreli. Ai kërkohet nga Qipro, si i dyshuar, organizim krimesh, armëmbajtje pa leje, përdorim eksplozivi, vrasje me paramendim, tentativë vrasje në disa raste, si dhe për vjedhje e zjarrvënie.

-Për llogari të Shqipërisë, Interpol kërkon Romeo Rustemajn. 35-vjeçari i dënuar në Shqipëri, u arratis nga burgu në vitin 2013, ndërsa që prej atij viti, vijon të jetë në kërkim.

 Gazment Nebiu, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Vlorë gjatë periudhës 1997-2000, është një tjetër i kërkuar nga Interpol. Ai dyshohet si pjesë e një organizate kriminale, që ka kryer dhjetëra ngjarje të rënda.

– Interpol për llogari të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kërkon, 37-vjeçarin Ervis Meçollarin, si të dyshuar për vrasje. Interpol thotë se fotot e tij janë të vjetra dhe mund të ketë pësuar ndryshime në fytyrë për shkak të operacioneve në hundë.

– Një tjetër shqiptar i kërkuar nga Interpol, rezulton të jetë 51-vjeçari Spartak Sageri, i cili dyshohet për vrasje ndaj dy ose më shumë personave dhe organizatë kriminale.

-Dhjetëshen e më të kërkuarve e mbyll 44-vjeçari Artan Sulstarova. Ai kërkohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulstarova me orgjinë nga Pogradeci, dyshohet për vrasje me paramendim në dy raste dhe armë mbajtje pa leje./Abc News

Te tjera

Lajme te tjera