Prokuroria e Posaçme ka mësyrë sërish në Bashkinë e Tiranës. Mësohet se janë arrestuar disa zyrtarë.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka vendosur 9 masa sigurie, 3 prej tyre janë arrest në burg, 6 të tjera janë detyrim paraqitje. Mësohet se masë sigurie arrest me burg është firmosur për Mariglen Qaton, ish-drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish-drejtorin e UKT-së Redi Molla. SPAK ka kërkuar masë të dytë sigurie edhe për Taulant Tushen, ish-drejtor i Punëve Publike – Bashkia e Tiranës. Ky i fundit është në qeli për aferën me incenceratorin e Tiranës.
Ndërsa detyrim paraqitje janë lënë Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari dhe Debora Keçi.
Arrestimet vijnë në kuadër të dosjen 5D, për të cilën opozita ka bërë disa denoncime.
Sipas të dhënave, SPAK-u ka kryer hetime intensive duke e zgjeruar një kallëzim të kryer nga Belind Këlliçi në një dosje voluminoze ku përfshihen disa drejtorë kryesorë, të cilët kanë qarkulluar në disa prej drejtorive kryesore të Bashkisë Tiranë.
Bëhet fjalë për të dhëna, të cilat shkojnë te subjektet dhe personat e përfshirë në dosjen e famshme “5D”.
Ka qenë politikani Belind Këlliçi, i cili gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 Majit denoncoi drejtorët që merrnin miliona euro tendera nga Bashkia e Tiranës.
Belind Këlliçi ka denoncuar korrupsionin galopant në Bashkinë e Tiranës, ku janë përfshirë zyrtarët më të lartë dhe njerëzit më të afërt të kryebashkiakut socialist Erion Veliaj. Konkretisht, bëhet fjalë për drejtorin e IMT-së, Mariglen Qato.
Mariglen Qato dhe familjarë të tij kanë marrë leje ndërtimi dhe tendera në Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për 29 procedura prokurimi me vlerë 25 milionë euro, që janë përfituar indirekt nga drejtori dhe krahu i djathtë i kryebashkiakut Erion Veliaj. “Mariglen Qato përmes të vëllait të tij dhe të afërmve të lidhur drejtpërdrejt me vëllain e tij nga viti 2016 ka hapur një kompani të cilës në fakt i ka ndërruar 3 emrin. Që quhej fillimisht IGOR ELEKTRIK, më pas V.A.S konstruksion dhe tashmë është e famshmja 5D konstruksion, janë 5 drejtorët e bashkisë me të cilën, do të thoni ju çfarë ka problem, ka marrë plot 29 tendera në vlerën 25.16 mln euro pa TVSH. Por nga i ka marrë këto tendera, se nuk është se ka bërë biznes të ndershëm. Këto tendera ky zotëri I ka marrë nga Bashkia e Tiranës, plot 15 të tilla në vlerën 10.5 mln euro. Nga UKT-ja ku ka qenë titullar dhe drejtues dhe ku ka familjarët e tij që drejtojnë financat ka marrë 10 tendera në vlerën 9.5 mln euro. Nga OSHEE ka marrë 3 tendera në vlerën 3.2 pothuaj mln euro dhe nga ARRSH-ja 1 tender në vlerën 1.89 mln euro“, u shpreh Këlliçi më 26 Prill 2023.
Ajo ka për pronar Muhamet Petritin, vjehrrin e shtetasit Alfred Qato. Ky i fundit rezulton se është vëllai i drejtorit të Inspektoriatit të Territorit, Mariglen Qato, drejtori i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
