Prokuroria e Tiranës ka kërkuar vendosje e sekuestros preventive mbi kuotat dhe asetet/aktivet (pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj) të Micro Credit Albania dhe Final.
Banka e Shqipërisë në Maj u hoqi licencat të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k
Vendimi erdhi, pasi prokuroria e Tiranës njoftoi se kishte nisur hetim ndaj nëntë personave, mes tyre dhe administratores së Micro Credit Albania, Elda Ibro, dhe administratorit të subjektit “Final’ Arben Meskuti nën dyshimin se kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra apo përmes shantazhimit të tyre duke i bllokuar pronat e luajtëshme apo të paluajtëshme.
Prokuroria e Tiranës ndërkohë ka sekuestruar llogari bankare në vlerë 10 mln euro të administratorëve të subjekteve financiare që u përfshinë në skemën e mashtrimit me kredi dhënien.
Llogaritë bankare të sekuestruara janë të dhjetë personave dhe 3 subjekteve financiare mikrokredi që janë nën akuzë për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’. Paratë e sekuestruara i përkasin subjekteve ‘Microcredit Albania’ shpk, ADCA shpk dhe ‘Final’ shpk.
Njoftimi i prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon vendosjen e sekuestros preventive mbi kuotat dhe asetet/aktivet (pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj) të:
Personit juridik – Micro Credit Albania, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3;
Person juridik – “Final” i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3 (më shumë se një herë), “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë Kriminale” të kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 të Kodit Penal.
Nga hetmet, rezultoi se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetet të tyre (aktivitetit të blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.
Shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë:
Përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj);
Përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefona të vazhdueshme( dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive;
Përdorur gënjeshtrën që konsistonte në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore;
Sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor;
Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe
Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.
Të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat.
Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.
Nga analiza e sipërcituar rezulton në procedimin penal 2123 të vitit 2020 janë administruar të dhëna të mjaftueshme nga të cilat krijohet dyshimi i arsyeshëm se pasuritë e shoqërive të sipërcituara janë produkt i veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 143/3, e për rrjedhojë krijohen dyshime se disponomi i këtyre pasurive mundet që të rëndojë apo të zgjasë më tepër pasojat e veprës penale apo mundet që të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale, si dhe konsiderohen pasuri që duhet të konfiskohet.
Skema si u mashtruan mijëra shqiptarë
Një skemë e mirëfilltë mashtrimi përmes mikrokredive ka çuar në arrest 8 persona, 4 prej të cilëve në burg dhe 4 të tjerë në arrest shtëpie.
Në kuadër të këtyre hetimeve, me kërkesë të dy prokurorëve, gjykata e Tiranës caktoi masat e arrestit në burg për për shtetasit Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, dhe Arben Meskuti.
Ndërkohë, u caktua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetaset Kejda Seferi, Elda Ibro, Alketa Tanushi, Alban Kote dhe Jorsida Dervishi.
Skema funksiononte e tillë: nga bankat e nivelit të dytë bliheshin kreditë e këqia nga zyrat përmbarimore, të lidhura me institucionet e mikrokredive, duke formuar kështu një rrjetë merimange, ndërsa qytetarët trajtoheshin si një mundësi e “artë” për ti rrëmbyer gjithçka.
