E mërkurë, 22 Prill, 2026

Shqipëria në Bordin e Paqes për Gazën/ Spiropali: Ftesa e Trump vlerësim i lartë! Tregimet se do paguajmë miliarda dollarë, trillime të opozitës

Share

Qeveria shqiptare mohoi edhe njëherë publikisht akuzat se Shqipëria do duhet të paguajë 1 mld dollarë për tu ulur në tryezën e Bordit të Paqes për administrimin e Gazës. Ishte ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali e cila në një konferencë për mediat i hodhi poshtë akuzat duke i konsideruar si trillime të opozitës, ndërsa mohoi edhe lajmet që kanë qarkulluar për strehimin e palestinezëve në vendin tonë.

Duke e konsideruar ftesën e Trump një vlerësim të lartë për rolin që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, ministrja Spiropali tha se është e turpshme se si në Tiranë “morën dhenë” lloj tregimesh a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo që u ftua me nder nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t’i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë – çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë – në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për bordin, e me palestinezët që do i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord”, tha Spiropali.

E pyetur nga gazetarja e Report Tv, Raziela Myslimaj nëse Shqipëria synon të jetë anëtare e përhershme në Bordin e Paqes, Spiropali dha këtë sqarim.

“Duhet të sqaroj që në fillim se Bordi i Paqes nuk është vetëm për Gazën, edhe pse zgjidhja e situatës në Rripin e Gazës ka urgjencë më të madhe dhe buron edhe nga plani i paqes i presidentit Trump me 20 pika, ku në fazën e dytë për planin gjithëpërfshirës, pas kalimit të rezolutës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i hapet rrugë krijimit të Bordit të Paqes. Nuk ka detyrime financiare. Është një ftesë nga presidenti Trump, pra e drejtpërdrejtë. Nuk ka angazhim tjetër përveçse angazhimit të shpallur botërisht dhe që ne sot e deklarojmë për marrjen pjesë në këtë bord. Shqipëria, me statusin e anëtarit themelues, do të shohim në vijim angazhimet që burojnë nga statuti”, tha Spiropali.

Ministrja nuk la pa përmendur edhe akuzat e opozitës se Shqipëria është futur në listën e zezë të SHBA-së pas vendimit për pezullimin e vizave migratore për 75 vende, duke u thënë kundërshtarëve politikë se përgjigjen e morën direkt nga Donald Trump me ftesën e Bordit të Paqes, duke konfirmuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mrekullueshme.

“Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën “SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë”, duke komentuar me ngazëllim  gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, tha Spiropali.

Ishte media amerikane “Bloomberg” që sqaroi se si do të funksionojë Bordi i Paqes, ku vendet amëtare si Shqipëria do të kenë një mandat 3 vjeçar. Nëse ky mandat 3-vjeçar do të zgjatej apo jo, kjo do të varej nga drejtuesi i Bordit. Pagesa prej të paktën 1 miliard dollarëshe i referohet vetëm atyre shteteve që do të duan një mandat të përhershëm në Bord.

Te tjera

Lajme te tjera