Arrestimi i serial killerit, Nuredin Dumani, e veçanërisht dëshmia e tij dhënë para prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pritet që të fundosë dhe të çojë para drejtësisë shumë zyrtarë të lartë qofshi këta majtas apo djathtas. Javën që shkoi gazetari i njohur, Artan Hoxha teksa i referohej dëshmisë së Dumanit, u shpreh se presidenti Ilir Meta ka porositur vrasjen e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka. Kjo deklaratë e fortë trazoi ujërat e plotës dhe opinionit publik, ku edhe sot që flasim gjithkush pyet se sa qëndron ky pretendim, i cili nëse do të ishte i vërtetë do të ishte një skandal i përmasave të madh, edhe pse për hir të së vërtetës Ilir Meta është akuzuar edhe më parë se është përfshirë në vrasje.
Por dëshmia e Dumanit, është komentuar edhe dje në seancën parlamentare, duke shkaktuar debate të forta mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Fillimisht ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nga foltorja e Kuvendit ka bërë një deklaratë të foto, ndërsa ka zbuluar se 6 ministra dhe disa ligjvënës socialistë kërkohen të arrestohen për llogari të disa vendeve të Bashkimit Europian. “Denoncoj Qeverinë që sjell në Kuvend marrëveshjen 6 ministra dhe shumë e shumë deputetë të tjerë socialist janë kandidatë për ekstradim. (…) Ajo që është më interesante, dalin edhe komunikime të bandës qeveritare të Elbasanit, me bandat qeveritare në vendet e Benelux-it. Unë kërkoj edhe njëherë atë që shtrova në Parlament, sjelljen me urgjencë të marrëveshjeve të ekstradimit në këto vende që po japin kontribut historik në luftën kundër kriminalitetit në Elbasan. Është dramatike situata dhe dëshmitë e anëtarëve të bandës së Elbasanit. Ju garantoj se Taulant Balla Bego Yaris është një personazh familjar i bandës, një anëtar me të gjitha atributet sipas dëshmive të banditëve të anëtarëve të kësaj bande. Dhe kjo përbën një problem shumë serioz për vetë Parlamentin, për vetë shtetin. Unë do insistoj çdo ditë që marrëveshjet e ekstradimit me këto vende të vijnë në Parlament. Emrat do t’i sjellë drejtësia e vendeve mike, e vendeve partnere. Nuk jam unë zëdhënës i prokurorive të tyre. Unë jam këtu për të deklaruar si politikan shqiptar se marrëveshjet po i pengojnë pikërisht implikimi i politikanëve shqiptarë me bandat atje të cilat kanë bërë kërdinë”, deklaroi Berisha. Pra duket qartë që dëshmia e Dumanit, pritet të fundosë shumë zyrtarë të lartë të opozitës dhe mazhorancës të përfshirë në krime e korrupsion.
Vendet e BE kërkojnë kokat e ministrave, Manja i përgjigjet Berishës
Ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mori fjalën në Kuvendit dhe e pyeti Berishën sesi ka mundësi që informacione të tilla kalojnë për parë nga zyra e kreut të PD-së dhe jo nga ajo e ministrit të Drejtësisë. Po ashtu, ministri tha se me secilën nga vendet e Beneluksit marrëdhëniet Shqipëria e i ka të shkëlqyera. “Se di si paska shkuar më parë në zyrën e Berishës, dhe jo në atë të ministrit të Drejtësisë. Sot nuk ka asnjë pengesë, në fushën e bashkëpunimit gjyqësor, as me Belgjikën, as me Holandën e Luksemburgun. Por është në nivelet më të kënaqshme të mundshme. Me Belgjikën kemi një marrëveshje dypalëshe për transferimin e të dënuar. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer dhe nuk ka asnjë kërkesë nga këto shtete për asnjë ekstradim, në momentin që do ketë, do t’i nënshkruajmë me kënaqësi. Kur s’ke votues që t’u qash hallin do merresh me ekstradimet”, deklaroi Manja.
Opozita përplasjet me mazhorancën për Begajn
Ndërkohë nga ana tjetër edhe zgjedhja e Presidentit ishte pjesë e debatit në seancën e djeshme plenare. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se PS i dha vendit një President që e meritojnë shqiptarët. “Si deputete dhe ministre e PS dhe deputete e grupit të negociatave do të them disa të vërteta që dua t’i ndaj me ju. Ne tentuam të respektojmë frymën e Kushtetutës që kërkonte një presidenti mbi palët. Nuk kishim asnjë prapavijë tjetër. Na keqkuptuan vetëm ata që nuk donin të na kuptonin. Hodhën gurë mbi durimin tonë dhe nga pozitat e pafuqisë dhe të arrogancës vendosën kushte pas kushte. Ata flisnin me ne po e kishin mendjen te personazhi (Berisha) që foli para këtu. Ishte kaq e dhimbshme derexheja ku ishin futur. E vetmja gjë mund t’i jepte fuqi ishte serioziteti në tryezë dhe mençuria në propozim. Asnjërën dhe as tjetrën nuk patën”, deklaroi Spiropali. Ndërkohë për deputetët e opozitës, me zgjedhjen e Bajram Begajt si President të Shqipërisë, mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama kapi edhe institucionin e Presidencës, i cili deri më dje konsiderohej si “ishull”.
Presidenti i ri, Balla: Procesi kushtetues
Kreu i grupit parlamentar ka komentuar në Kuvend procesin e zgjedhjes së presidentit të ri ku tha se u bë sipas kushtetutës. Balla tha se opozita deklaroi se s’do e bojkotonte procesin kurrë më, por e mbajti fjalën vetëm tri javë. “Mendoj që Kuvendi i Shqipërisë përgjatë këtij procesi ka bërë gjënë e duhur sipas Kushtetutës duke vendosur disa standarde që duhet të vlejnë për proceset e ardhshme. Keqardhje e madhe për bojkotin e një pjese të opozitës. Frika nga vota është diçka që mendoj që partia kryesore e opozitës, PD duhet t’i largohet. Kaq shumë bojkote e kanë dëmtuar PD. Edhe disa që gjoja bënë Kuvende dhe bënë deklarata se nuk do bojkotojnë kurrë e mbajtën fjalën për tri javë. Si tha ajo vesi del me shpirtin, kuptuam kush e kishte pasur këtë frymëzim për bojkote. Duhet të kuptojmë që opozita duhet të marrë pjesën e vet të përgjegjësi dhe se bojkoti është fyerja më e madhe dhe opozita i detyrohet një ndjesë të madhe qytetarëve”, deklaroi Balla.