Shfaqja teatrore “Tre dimra”, pjesa e parë e operës shqiptare “Mrika”, si dhe opera premierë absolute “Dido and Aeneas” erdhën me regjinë e Rozi Kostanit. Regjisore, aktore dhe pedagoge e arteve Rozi Kostani ka një aktivitet të vlerësuar. Si regjisore në vijim të punës së saj premiera teatrore “Tre dimra” shënoi një sukses në teatrin Metropol. Regjisorja Kostani shprehet se një vepër që ka përmbajtje thelbësore në marrëdhëniet njerëzore është e pashmangshme, që publiku mos ta ndjejë dhe mos ta përqafojë këtë. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisorja Rozi Kostani flet dhe për punën me shfaqjet operës “Mrika” dhe “Dido and Aeneas” në Fakultetin e Muzikës që u mirëpritën. Sipas saj ka qenë një sfidë në rrafshin profesional në raport me operën. Rozi Kostani ndalet dhe te vështirësitë që hasin sot artistët, kryesisht të rinjtë, që kanë pak mundësi për tu shfaqur në skena, por përshëndet Festivalin e të Rinjve për teatrin. Problem për Kostanin është dhe fakti, që në skenën e Teatrit Kombëtar nuk mund të ngjitet kushdo. Sipas regjisores dhe aktores së njohur sot duhet të ketë më shumë vlerësim për artistët.
-Jemi drejt fundit të këtij sezoni artistik në teatro, por për ju po mbyllet me sukses. Keni realizuar vepra jo vetëm në teatër, por dhe me të rinjtë sa i takon operës. Shfaqja “Tre dimra” në teatrin Metropol u mirëprit shumë nga publiku, në role emra të njohur të skenës. Çfarë mund të na thoni për punën tuaj si regjisore dhe e prisje këtë sukses, ku biletat mbaroheshin çdo natë?
Vepra teatrore pati sukses. Por ajo që mua më bën entuziaste, suksesi është i pritshëm kur shikon që një vepër ka përmbajtje thelbësore në marrëdhëniet njerëzore dhe është e pashmangshme që publiku mos ta ndjejë, mos ta përqafojë këtë. Kasti i aktorëve, që kam përzgjedhur për ta tejçuar punën time tek publiku besoj që i ka përligjur sukseset. Por do të thosha, që puna e vazhdueshme e imja e ka sjellë deri këtu. Për mua nuk ka ndonjë surprizë, ky sukses me shfaqjen “Tre dimra”, falë punës dhe këmbënguljes. Kisha një besim të brendshëm, që kjo shfaqje do të kishte sukses. Sigurisht kam pasur sfida të mëdha, qoftë edhe nga njerëzit që kisha afër që a do të kuptohet, por unë isha e sigurt dhe kur ke një besim në vetvete të mbështetur në shumë elementë skenikë dhe detaje regjisoriale e çojnë dhe e bëjnë të prekshme te publiku atë çfarë unë kisha nevoja të ishte e dukshme, pra e padukshmja e dukshme. Këtu ka meritë shumë dhe teatri Metropol, që e bëri të mundur këtë vepër teatrore, sepse unë e dashurova që ditën e parë që e lexova dhe është meritë dhe e atyre që e panë këtë dëshirë dhe entuziazëm timin. Ta filloj që me Jonida Beqon, që edhe ajo duhet ta ketë parashikuar këtë gjë, përderisa e propozoi këtë tekst dhe i jam shumë mirënjohëse. Ajo ma propozoi dhe më pas në vijim u miratua, sepse ka qenë dhe pandemia. Për një javë që unë do të filloja provat ne u mbyllem nga pandemia. Sigurisht që puna ime nuk ka reshtur me të si vepër edhe gjatë pandemisë, pavarësisht se nuk e dija nëse do realizohej apo jo.
-Një vepër që u vlerësua, a do rikthehet sërish në skenën teatrore për publikun?
Kam një përgjigje pozitive nga drejtoresha aktuale Armela Demaj në teatrin e Metropolit, që kjo vepër do rikthehet për periudhën e vjeshtës. Pas shfaqjes së repertorit diku nga nëntori do rikthehet, sepse ka pasur dhe një kërkesë të madhe nga publiku dhe është përqafuar shumë fort nga çdo element do të thosha edhe i audiencës, por edhe i kolegëve. Një shfaqje që ka arritur të thotë të vërteta dhe më ka thënë edhe mua disa të vërteta kjo shfaqje, që kësaj radhe edhe armiqtë dhe miqtë ishin dakord me këtë prurje regjisoriale.
-Jo vetëm në teatër, por si regjisore keni sjellë në Universitetin e Arteve dy shfaqje opere. Pjesën e parë të operës “Mrika” të Prenk Jakovës dhe operën “Dido and Aeneas” me muzikë nga Henry Purcell premierë absolute. Si ka qenë puna me studentët për këto dy shfaqje, që u përcollën me interes?
Punova me mjeshtren e dirigjimit dhe të korit shqiptar Suzana Turkun. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë dhe koncertmaestër në shfaqje ishte Elvis Peçi. Sollëm dy vepra, pjesën e parë të operës shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, që u vu në skenë në kuadër të 60 -vjetorit të Fakultetit të Muzikës, ndërsa vepra “Dido and Aeneas” u vu e plotë. Ka qenë një sfidë në rrafshin profesional në raport me operën. Si pedagoge tek Fakulteti i Muzikës jap mësim lëndën e regjisë së operës dhe për të vënë në skenë “Dido and Aeneas” ishte një sfidë që më ka joshur gjithmonë opera dhe ia kemi dalë me shumë sukses. U prit shumë mirë edhe për faktin se në Akademinë tonë prej vitesh nuk punohej opera. Bëheshin etyde të vogla, por jo një vepër e plotë. E kam dashur shumë atë vepër. E kam luajtur me disa plane. Jashtë kishte një etyd, dyert e Akademisë, skena ishte holli i Akademisë dhe një plan të katërt që vinte nga lart, ku qëndronte kori dhe një kuartet harqesh në të majtë të skenës, plus dhe klaviçembal Elivs Peçi, që ishte koncertmaestër dhe bashkëpunëtor shumë i mirë në këtë sipërmarrje madhore, që është bërë në Akademinë e Arteve. Të vihet opera e plotë, që nuk është vënë asnjëherë në Shqipëri, premierë absolute. Ka pasur shumë dimensione, shumë elementë skenik që janë zbërthyer dhe e kanë bërë më të kuptueshme operën. Nga ana vokale është e mrekullueshme puna e Suzana Turkut, që i dha dimension të lartë shpirtëror kësaj vepre.
-Në Fakultetin e Muzikës ju sollët dhe “Mrikën” vepër shqiptare. Por ka autorë të muzikës që shprehen se nuk po vihen më në skena vepra të mëdha të muzikës si opera apo balete shqiptare, nuk stimulohen autorët duke kritikuar Ministrinë e Kulturës dhe TKOB. Ju çfarë mund të na thoni?
Sigurisht që ka kryevepra bota. Por ne duhet të kemi identitetin, duhet të vetëpërfaqësohemi, edhe kur shkon jashtë ti ke nevojë që të thuash diçka tënden, të përfaqësosh vetveten dhe nëpërmjet operës shqip ti mund të vetëpërfaqësohesh.
-Edhe dramaturgët shprehen se pak janë vepra në teatro dhe kjo ndikon në zhvillimin e dramaturgjisë shqiptare. Si regjisore e teatrit, sa është shqetësuese kjo?
Autorët kanë të drejtë. Të përzgjidhet vepra me një komision, më pas duhet përzgjedhur regjisori nga prurjet dhe të ftojë ai më i miri. Një vepër duhet të jetë shqiptare në TK. Vepra shqiptare është identiteti jonë dhe duhet të jetë në skena, na përfaqëson. Ajo që do ta bënte më zhvilluese do të ishte koncepti regjisorial, që do të jepej mbi atë vepër dhe ajo pastaj zhvillohet. Duke pasur sa më shumë vepra shqiptare ne e zhvillojmë dramaturgjinë shqiptare, nuk ngelet infantile, por ajo zhvillohet.about:blank
-Si regjisore ju sollët shfaqje operash në Fakultetin e Muzikës. E shikoni veten, që në të ardhmen mund të vini dhe vepër në skenën e operës?
Kjo është një nga synimet e mia dhe më pëlqen shumë. Më pëlqen regjia e operës. Më bën që të prek një dimension tjetër, ku fjala tashmë ka një ngjyrim tjetër, ka tingullin e të kënduarit.
-Sezonit artistik dalëngadalë po i vjen fundi, por artistët herë pas here shprehen se nuk është vlerësimi i duhur ndaj tyre. Ju si e shikoni këtë?
Sigurisht që artistët duhet vlerësuar më shumë në vendin tonë. Besoj që artistët janë shtresa më e diskriminuar. E kam thënë, që ne i nxjerrim studentët aktorë dhe regjisorë çdo vit dhe ata e kanë shumë të vështirë të ingranohen apo të futen në rrjedhën e një produksioni teatror apo kulturor, sepse hapësirat janë të ngushta. Por duhet përgëzuar për një element, që Ministria e Kulturës ka rihapur përsëri Festivalin e të Rinjve. Kjo është për tu përgëzuar, sepse u mbyll për shumë kohë dhe ishte një hap i gabuar. Të rinjve do ti shërbejë shumë festivali, sepse do sprovohen që të arrish pastaj të futesh në skenën elitare të Teatrit Kombëtar ashtu siç do ishte mirë të ishte. Tani në Teatrin Kombëtar po hipën kushdo. Gjithsesi një regjisor i ri ka nevojë të sprovohet në skenën e Teatrit Eksperimental dhe ti jepet një hapësirë për tu rritur, zhvilluar, se ndryshe nuk ka se si. Ndaj është shumë pozitiv dhe gjithë këta studentë, që ne nxjerrim të paktën kanë një shpresë për tu sprovuar.
-Ju thatë që në skenën e TK nuk mund të ngjitet kushdo…
Teatri Kombëtar është elitar. Duhet një kriter selektiv më i mirë për ta bërë atë të jetë vërtetë Teatër Kombëtar i nivelit të lartë artistik.
-Një sezon artistik që po mbyllet me jo pak angazhime në jetën artistike, si dhe puna si pedagoge me studentët e arteve. Pushimet për ju këtë verë?
Pushimet e verës unë do ti kaloj në Shqipëri këtë vit dhe nuk do lëviz gjëkundi, sepse kam dhe disa projekte, që janë në proces e sipër. Do bëj dhe pushim edhe punë.