Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duket se ka zbutur qëndrimet e ashpra ndaj SHBA dhe ambasadores Yuri Kim. Ditën e djeshme, gjatë ceremonisë së dekorimit të Komandantit në Komandën Operacionale të NATO-s, gjeneral Tod Daniel Ëolters me medaljen“Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike”, shefi i qeverisë në prani të ambasadores Yuri Kim vendosi të mbante deklaratë në anglisht duke u “justifikuar” se nuk donte të krijonte keqkuptim për diplomaten amerikane dhe Departamentin Amerikan të Shtetit për shkak të gabimeve të mundshme në përkthim. Këtë batutë Rama e ka përdorur gjithmonë për të fshehur sulmet dhe kritikat ndaj Uashingtonit.
“Do ta nis duke shkelur protokollin e do flas në anglisht, për të nderuar mikun tonë të nderit, por po ashtu edhe për të shmangur përkthimin e keq, që ndonjëherë krijon probleme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në këtë vend”, u shpreh Rama përpara se të niste fjalimin e tij. Pavarësisht mbështetjes të parevokueshme të SHBA ndaj qeverisë shqiptare dhe në veçanti ndaj PS, kryeministri ka shprehur disa herë pakënaqësi dhe kritika ndaj Kim dhe shtetit amerikan lidhur me qëndrimet e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (u ka kërkuar hetimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta) dhe për çështjen e strehimit të refugjatëve afganë. Nuk dihet arsyeja se përse Rama këtë herë është “zbutur” ndaj SHBA. Më poshtë do t’ju sjellim 3 deklaratat e ashpra të kreut të mazhorancës socialiste dhe Uashingtonit.
Rama dhe Kim për SPAK: S’mi tregon dot njeri ndërhyrjet në anglisht
Pasi në 7 maj Rama u shfaq i nervozuar se përse SPAK nuk ka nisur hetimet për Sali Berishën, i shpallur “non grata” nga SHBA dhe për Metën në Asamblenë e PS, ambasadorja amerikane Kim deklaroi dy ditë më pas në një mbledhje me Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku ishte i pranishëm dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja se drejtësia nuk duhet të veprojë nën urdhrat politikë. Ajo nënvizoi se qëndrimi i kryeministrit nuk përputhet me standardet e drejtësisë së vërtetë, që nuk duhet të veprojë nën presionin politik. “Do të quhet normale kur politikanë në apo jashtë fuqisë të mos kërkojnë hetimin e këtij apo atij. Këto nuk janë standardet që kërkojmë të arrijmë në Shqipëri. Këto nuk janë standardet që kërkojnë shqiptarët kur flasin për reformën në drejtësi. Duhet një drejtësi, ku drejtësia është e verbër, të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kur veprojnë prokurorët, nuk duhet ta bëjnë se i ka kërcënuar dikush, i ka porositur dikush apo u ka dhënë para dikush”, u shpreh Yuri Kim në 9 maj. Dy ditë më pas, gjatë një konference me gazetarët, Rama reagoi ndaj deklaratave të ambasadores amerikane se askush nuk mund t’i flasë për presione ndaj drejtësisë në gjuhët shqip, anglisht apo gjermanisht, duke nënkuptuar se nuk merr parasysh zërat e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm politikë dhe institucionalë. “Jam shumë dakord me këtë, pikë për pikë thjesht adresa është gabim se nuk jam unë ky që them se drejtësia po gabon se po vjen te ana ime. Unë po them që si po vjen në anën tonë të shkojë dhe në anën tjetër, ne duam drejtësi 360 gradë. Jam shumë dakord me ambasadoren amerikane që nuk kam asnjë dalim këtu, ku e shihni ju dallimin? Po flas për ndërhyrjet, për ndërhyrje për presion. Këtë mua nuk ma thotë dot askush as anglisht, as shqip, as gjermanisht fare”, tha Rama 2 ditë pas kritikave të diplomates amerikane në Tiranë.
Takimi me investitorët e huaj të energjisë, Rama e quan SHBA “perandori”
Gjatë një takimi me përfaqësues të kompanive amerikane dhe europiane të furnizimit me energji në 27 prill, ku e pranishme ishte dhe ambasadorja Yuri Kim, Rama e konsideroi SHBA si “perandori” dhe shtoi se falënderimet ndaj tyre nuk sjellin kënaqësi. Lidhur me mbikëqyrjen e shumë zhvillimeve politike dhe institucionale në Shqipëri nga Uashingtoni, Rama la të kuptohej se nuk i pëlqen roli monitorues i SHBA. “Sepse të falënderosh perandoritë nuk është kënaqësisjellëse, por njëkohësisht jam vërtetë mirënjohës dhe më duhet të them se pas 30 vitesh që na kanë furnizuar me parime dhe standarde më së fundmi, SHBA po na jep vërtetë karburant dhe energji. Nuk e kam për natyrë, por jeta kështu e ka dhe ndaj na pëlqen ta jetojmë këtë jetë dhe që të jemi në partneritet me ta, që jemi të gjithë së bashku këtu dhe që ata na vëzhgojnë sepse ata gjithmonë na thonë “Ju vëzhgojmë’, deklaroi ai.
Takimi në UBT, Rama: Rroftë miqësia shqiptaro-afgane
Në një takim mes përfaqësuesve të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit të Michiganit në 18 mars, ku ishte e ftuar dhe ambasadorja Yuri Kim, Rama reagoi i indinjuar me çështjen e strehimit të refugjatëve afganë. Sipas tij, Shqipëria kishte strehuar më tepër afganë se ç’ishte parashikuar, ndërsa SHBA nuk i kishte përmbushur zotimet e veta për ta. Madje, ai e krahasoi Kim me ish-sekretarët e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe veten e tij me dekanin e universitetit që i premton se do t’i përmbushë zotimet e kërkuara. Në formë ironie, Rama përshëndeti miqësinë shqiptaro-afgane në vend të shprehjes “miqësia shqiptaro-amerikane”. Kjo përgjigje solli reagimin e Kim e cila e pyeti se çfarë e shqetësoi Ramën. Kryeministri tentoi ta kapërcente situatën e sikletshme duke fajësuar përkthyesen e anglishtes duke shtuar me humor se do ta pushonte nga puna.
Replikat Edi Rama-Yuri Kim në UBT në 18 mars 2022
Rama: Kanadaja ka marrë një pjesë të madhe, edhe SHBA po marrin, jo aq sa premtuan por një pjesë. Se e kanë çik si këtë zakon që premtojnë shumë edhe bëjnë më pak se ç’premtojnë kur vjen puna tek gjërat konkrete. Por kur vjen puna te standardet dhe vlerat pastaj, aty na japin pa pushim gjatë gjithë kohës se nga ato kanë shumë. Po ne i marrim me kënaqësi edhe po qe puna për standard, për vlera dhe për predikime i kemi këtu, ditë, natë na japin me bujari të madhe çfarë duhet të bëni. Kur vjen puna te këto gjërat konkrete, japin por një çikë më me kujdes se nuk kanë të shkretët, nuk janë në pozitë që të japin shumë. S’ka problem. Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori ‘ju garantojmë zonja ambasadore…’. M’u kujtua koha kur vinte sekretari i partisë nga komiteti dhe i thoshte ai dekani i vjetër: ‘Ju garantojmë, shoku sekretar i komitetit të partisë, se ne do punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne. Edhe ne ju garantojmë, patjetër. Faleminderit shumë, këto kisha unë edhe suksese dhe rroftë miqësia shqiptaro-afgane.
Kim: Si e ke hallin? Jam e sigurt që kishte diçka me përkthimin, nuk ishte i saktë. Dëgjova diçka të çuditshme.
Rama: Sigurisht, është faji i përkthyeses shqiptare. Thjesht pushojeni nga puna. Ja do pushohet tani.
Përkthyesja-Kim: Mendojnë se do të pushohem.