Partia Demorkatike duket se është përçarë akoma më shumë, pas vendimit të Sali Berishës për të thirrur qytetarët e Shqipërisë në një protestë kundër qeverisë më 7 korrikut dhe pas faktit se organizimi për këtë tubim, i është besuara ish-truprojës së kreut të “Foltores”, Agron Kuliçaj dhe dhëndrit të ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi. Gazeta “SOT”, e deklaroi një ditë më parë se ish-kryeministri Berisha po e tregon nga dita në ditë se protesta e 7 korrikut është për hallet e veta dhe jo të popullit, ndërkohë që në një mënyrë tejet të pabesë ai futi si pjesë të grupit të punës edhe deputetët demokratë pro Bashës, të cilët reaguan ashpër dhe përgënjeshtruan me forcë këtë vendim të paprecedent të “Foltores”. Por dje Berisha ka marra edhe një tejet goditje të fortë, teksa protagonistë kanë qenë zëra të spikatur të PD, sikundër janë Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj dhe Ferdinand Xhaferaj. Kështu, fillimisht ka qenë deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili duke folur në hyrje të Kuvendit, theksoi se Berisha nuk mund të përfaqësojë njerëzit që vuajnë, ndërsa tha se mënyra më e mirë për të bërë protestë është në Kuvend. “Do protestosh për krimin, duhet të flasësh këtu. Do protestosh kundër çmimeve të larta, kundër oligarkëve, unë besoj se mënyra më e mirë për të protestuar është këtu. Unë protestoj sot, protestoj në çdo rast. Detyra e çdo deputeti është kjo. Nuk mund të jetë Sali Berisha përfaqësimi i atyre njerëzve të cilët sot vuajnë gjithmonë e më tepër. Absolutisht jo. Më kuptuat mirë se çfarë thashë. Nuk është ai shpresa e njerëzve. Para se të shkojnë te sheshi dhe t’u thonë njerëzve hajdeni të protestoni të vijnë këtu dhe të thonë një gjë. Kanë guxim ta thonë? Për të protestuar për çmimet e larta duhet të thotë se çfarë qëndrimi ka ndaj oligarkëve”, deklaroi Alibeaj.
Bardhi “thumbon” Berishën
Ndërkohë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka ironizuar protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Bardhi ka konfirmuar më herët se nuk do të marrë pjesë, ndërsa në një shënim në rrjetet sociale, ai sqaron se qytetarët shqiptarë kanë sot më shumë arsye për të protestuar kundër qeverisë. Megjithatë, thekson Bardhi, ai do të jetë gjithmonë krah qytetarëve, por s’do të jetë kurrë krah një personi të shpallur non grata për korrupsion, duke iu referuar Sali Berishës. “Shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar ndaj Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës. Kam qenë dhe do jem gjithmonë krah qytetarëve, kërkesave të tyre legjitime, edhe pse s’më bashkon dhe s’do jem kurrë krah një personi të shpallur non grata për korrupsion” shkruan Bardhi.
Protesta e 7 korrikut, Xhaferraj refuzon thirrjen e Berishës
Po ashtu, edhe deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj u shpreh dje i prerë se nuk do të marrë pjesë në protestën e 7 korrikut, të thirrur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha. Ai deklaroi se protesta nuk do të bëhet për problemet e qytetarëve por për ato personale. “Në protestë nuk do të marr pjesë. Kjo protestë nuk ka të bëjë me problemet e qytetarëve por me hallet personale”, deklaroi Xhaferraj.
Açka: S’do marr pjesë në protestën e Berishës
Nga ana tjetër Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka deklaroi ditën e sotme se nuk do të marrë pjesë në protestën e 7 korrikut të thirrur nga Sali Berisha. Për gazetarët, jashtë Kuvendit të Shqipërisë, Açka tha se ka 30 vite që merr pjesë në protestat në vend mirëpo në këtë rast s’do jetë prezente. Sipas saj, ajo nuk është fizikisht nëpër protesta e tubime, mirëpo i bën çdo ditë me fjalë. “Unë nuk jam personalisht por çdo qytetar është i lirë të protestojë. Qytetari është i lirë të protestojë pastaj unë kam qenë prej 30 vitesh në të gjitha protestat jo vetëm të PD e opozitës por në protestat e shoqërisë civile, është në natyrën time të protestoj. Pastaj nuk është e thënë jam apo s’jam fizikisht, protestat e mia i kam bërë me fjalë çdo ditë”, deklaroi Açka.
Protesta e 7 korrikut, ankohet Agalliu: Ma vunë emrin në listë pa më pyetur fare
Deputeti i Partisë Demokratike Arbi Agalliu, u shpreh se ia nuk është pyetur teksa i vendosën emrin në grupin e punës së organizimit të protestës. Në fjalën e tij para mediave, para se të futej në Kuvend, Agalliu theksoi dje se emri i është shtuar në listë pa e pyetur fare. “Emri im është vënë në atë grup pune pa më pyetur fare. Unë apo rrjeti im dhe të gjithë demokratët e ndershëm do të mbështesim çdo nismë që ka të bëjë me refuzimin e varfërisë dhe korrupsionit nga kjo qeveri, deklaroi Agalliu.
“Foltorja”: Kushdo që tenton të vrasë protestat, është në shërbim të qeverisë
Megjithatë, para Parlamentit, deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar mbi deklaratën e mëparshme të Enkelejd Alibeaj për protestën e 7 korrikut. Në fjalën e tij për gazetarët, Këlliçi theksoi dje se fjalët e Alibeaj janë absurde dhe se çdo shqiptar ka të drejtë të protestojë. Sipas deputetit, kushdo që tenton të mbysë zërin e qytetarëve është pro Ramës. “Më vjen keq nëse kjo ka ndodhur. Është absurde nëse kjo thirrje është bërë. Çdo shqiptar ka 1001 arsye për të dalë në protestë, kushto që do të mbysë zërin e qytetarëve është në shërbim të qeverisë. Alibeaj apo çdo deputet i zgjedhur nga 25 prilli jemi zgjedhur për të qenë opozitë përballë Ramës, jo me Ramën. Është absurde që të shkojmë në drejtim të gabuar. Nuk ka fuqi, zero. Nuk e kam parë deklaratën por më duket absurde”, deklaroi Këlliçi.
/Rigels Seliman/