E hënë, 13 Janar, 2025

Pas fitores së parë të Alibeajt në gjykatë, Çim Peka sulmon Yuri Kim: Mos harro ç’i ndodhi kolegut tënd

Share

Pasi gjykata rihapi çështjen për kontrollin e Partisë Demokratike, gazetari Çim Peka nuk ka nguruar të sulmojë ambasadoren Yuri Kim, të cilën e cilëson si ‘shantazhuese dhe minuese të demokracisë’. Revolta e Çim Pekës vjen pas përplasjeve të Sali Berishës me ambasadoren amerikane, e cila iu përgjigj akuzave të ish kryeministritduke i përmendur sërish se është i shpallur ‘non grata’ nga SHBA. 

Peka kujton rastin e një ish-ambasadori të SHBA në Tiranë që sipas tij shpëtoi nga arrestimi prej FBI si i korruptuar pasi kryeministri i asaj kohe nuk pranoi të dëshmonte kundër tij.

Në shkrimin e tij, gazetari Peka pretendon se gjykata mori vendim pro Alibeajt për të rihapur çështjen sepse Kim është takuar me ish kreun e ‘G99’ që do të bëjë vettingun e gjyqtares Blerina Muça. Ishte pikërisht gjyqtarja Muça që vendosi në Dhomë Këshillimi se PD  përfaqësuar nga Alibeaj ka të drejtë ta paraqesë ankimin në Apel të vendimit të Zhukrit. 

Ndër të tjera, i bën të qartë se nuk ka aspak frikë nga shantazhet ashtu si gazetarët e tjerë, për të cilët pretendon se marrin këshilla nga Yuri Kim dhe kanë frikë ta akuzojnë për investimin pa tender ndërkombëtar të Skavicës. 

“Për Yurin, minuesen e demokracisë!

E nderuar zonjë!

-Jo të gjithë gazetarët kanë probleme me ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe ju mund ti shantazhoni.

-Jo të gjithë gazetarët kanë frikë prej jush se kanë përvetësuar prona edhe në mënyrë të dyshimtë dhe ju prapë mund ti shantazhoni.

-Jo të gjithë gazetarët pranojnë orientime nga ju se kush duhet të ftohet në studio e kush jo.

-Jo të gjithë gazetarët kanë frikë nga ju dhe pranojnë “këshillimet” për temat e debateve në studio.

-Jo të gjithë gazetarët kanë frike tu pyesin dhe pse jo tu akuzojnë se pse po i bëni marketingun një investimi mbi një miliardë dollarë pa tender ndërkombëtar, por me procedure të mbyllur siç është rasti i “Skavicës” nga ju.

-Jo të gjithë gazetarët kanë frikë të denoncojnë faktin që ju dje keni takuar ish kreun e “G99”, pasi njeriu që ka në dorë vetingun e gjyqtares që mori vendim “Pro” Alibeajt në shkelje të ligjit, është një ish kandidat për deputet i “G99” në vitin 2009.

– Jo të gjithë gazetarët kanë frikë të denoncojnë faktin që ju nuk po e inkurajoni drejtësinë, por po e shantazhoni nëpërmjet politikanëve të mazhorancës që e kontrollojnë atë.

-Së fundi, jo të gjithë gazetarët kanë frikë të të kujtojnë se një ambasador amerikan në Shqipëri, që “fliste në emër të Presidentit” amerikan, shpëtoi nga arrestimi prej FBI si i korruptuar, vetëm se kryeministri i vitit 2000 nuk pranoi të dëshmonte kundër tij.

PS: Në mos e korruptuar, së paku ju jeni një shantazhuese e drejtësisë dhe minuese e demokracisë”, shkruan Çim Peka.

Ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës ka pranuar ankimin e Partisë Demokratike, përfaqesuar nga Enkelejd Alibeaj,  kundër vendimit të Agron Zhukrit që regjistroi ndryshimet Statutore në Partinë Demokratike sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të Sali Berishës. Gjyqtarja Blerina Muça vendosi në Dhomë Këshillimi se PD, përfaqësuar nga Alibeaj ka të drejtë ta paraqesë ankimin në Apel të vendimit të Zhukrit. Tashmë, i takon Gjykatës së Apelit të vendosë nëse do të pushojë ankimimin, apo do të kthejë për shqyrtim po në Gjykatën e Tiranës por me trupë tjetër gjykuese, kërkesë padinë e Rithemelimit për regjistrimin e statutit të 11 dhjetorit që Zhukri e vulosi më 25 mars 2022. Nëse vendimi i Zhukrit rrëzohet në apel, Sali Berisha e humbet sërish kontrollin e PD që në fakt e mori pa pritur shkallët e tjera të vendimit.

Ndërkohë, po një ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha vijoi akuzën ndaj ambasadores së SHBA, Yuri Kim se ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të ankesës së paraqitur nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e Statuti të Kuvendit të 11 dhjetorit.

Berisha shprehej se Kim me deklaratën e saj të fundit pranoi ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë, ndërsa shtoi se ka pasur ndihmë edhe nga qeveritarë të rëndësishëm të Partisë Socialiste.

Berisha i shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i ka kërkuar pikërisht këtij të fundit të mos lejojë ambasadoren të ndërhyjë në çështje të drejtësisë në Shqipëri.

Te tjera

Lajme te tjera