E premte, 8 Maj, 2026

Nga Irani te NATO, Rubio: Vende të Aleancës refuzuan SHBA, ky është problem i madh

Share

Nëse aleatët e NATO-s refuzojnë lejen për të përdorur bazat në vendet e tyre, ky është një problem dhe duhet të shqyrtohet, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

“E thashë publikisht, dhe e kam thënë vazhdimisht, kam qenë një mbështetës i fortë i NATO-s gjatë gjithë karrierës sime në Senat dhe madje edhe tani, dhe një nga avantazhet e të qenit në NATO është se na lejon të kemi forca të vendosura në Evropë dhe baza që na lejojnë një aftësi logjistike për të projektuar fuqi në rast të emergjencave”, tha Rubio.

Teksa Donald Trump ka paralajmëruar tërheqjen e trupave amerikane nga disa vende të NATO-s, Sekretari i Shtetit tha se këto janë vendime që duhet të merren nga Presidenti.

“Patëm një emergjencë dhe disa vende në Evropë, si Spanja për shembull, na mohuan përdorimin e atyre bazave për një emergjencë shumë të rëndësishme që në disa mënyra, mohimi i këtyre bazave në fakt pengoi misionin, jo rëndë, por pati një kosto dhe në fakt, madje krijoi disa rreziqe të panevojshme”, shtoi Sekretari i Shtetit.

Në vijim ai shtoi se “nëse një nga arsyet kryesore pse SHBA-të janë në NATO është aftësia për të pasur forca të vendosura në Evropë që mund t’i projektojmë në raste të tjera, dhe tani ky nuk është më rasti, të paktën kur bëhet fjalë për disa anëtarë të NATO-s, ky është një problem dhe duhet të shqyrtohet”.

Ai theksoi se tërheqja e pjesshme e trupave amerikane nga Gjermania përbën vetëm “më pak se 14% të pranisë sonë totale të trupave atje” dhe është pjesë e një plani “të paraprogramuar” për të “zhvendosur” një pjesë të barrës brenda NATO-s.

Deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, u bënë pas takimit që ai zhvilloi me Giorgia Melonin, kryeministren e Italisë.

I pyetur lidhur me sulmin ndaj Iranit, Rubio theksoi se SHBA-të “iu kundërpërgjigjën” sulmeve iraniane.

“Po sikur të qëlloni një dron ose një raketë drejt shkatërruesit tonë, çfarë duhet të bëjmë? Ta lëmë ta godasë? Duhet t’i përgjigjemi. Duhet ta rrëzojmë raketën. Duhet të shkatërrojmë çdo gjë që e ka lëshuar atë raketë. Alternativa është ta lëmë të fundosë një nga anijet tona. Kjo është çmenduri”, theksoi ai.

“Mendoni se nuk duhet ta rrëzojmë dronin? Ky është një qëndrim idiot. Sigurisht, ne u kundërpërgjigjëm. Ata po qëllonin drejt nesh. Kjo është ajo që prisja të bënim. Vetëm vendet budallaqe nuk kundërpërgjigjen kur të qëllojnë, dhe ne nuk jemi një vend budalla”, shtoi ai.

Duke u kthyer te reagimet evropiane ndaj Iranit dhe përpjekjes së tij të dukshme për të kontrolluar ngushticën e Hormuzit, ai thotë se pyetja është nëse Bota po planifikon ta pranojë këtë situatë.

“Nëse përgjigjja është jo, ne nuk mendojmë se Irani duhet të jetë në gjendje të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit, atëherë pyetja tjetër do të jetë për të gjithë: çfarë do të bëni në lidhje me këtë?

Pyetja themelore që çdo vend, jo Italia, çdo vend, duhet t’i bëjë vetes është, a do ta normalizoni një vend që pretendon se kontrollon një rrugë ujore ndërkombëtare?

Sepse nëse e normalizon këtë, vendos një precedent që do të përsëritet në një duzinë vendesh të tjera dhe nëse përgjigjja është jo, nuk duam ta normalizojmë, atëherë është më mirë të kesh diçka më shumë sesa thjesht deklarata të formuluara fort për ta mbështetur atë”, tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Te tjera

Lajme te tjera