E premte, 8 Maj, 2026

“Klanet e drogës të lidhura me qeverinë”, Berisha: Protestat, zëri më i fuqishëm i shqiptarëve dinjitozë!

Share

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi për mediat, u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në protesta kundër korrupsionit dhe, sipas tij, regjimit të kryeministrit Edi Rama.

Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se protestat përfaqësojnë reagimin më të fortë të qytetarëve që nuk pajtohen me situatën politike dhe sociale në vend.

“Protestat janë zëri më i fuqishëm i shqiptarëve dinjitozë dhe që nuk pajtohen më situatën ku është Shqipëria”, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama se prej muajsh ka tentuar të fajësojë opozitën për raportet kritike ndërkombëtare ndaj Shqipërisë.

Berisha deklaroi se opozita do të vazhdojë të denoncojë problematikat që, sipas tij, prekin vendin, si në Shqipëri ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Ai shtoi se patriotizmi, sipas tij, lidhet me mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe jo të individëve të korruptuar.

“Edi Rama prej 3 muajsh u deklaronte shqiptarëve se janë këta që shkojnë dhe na padisin në Bruksel. Përpiqej, me mercenarë, të akuzonte opozitën se gjoja pengon integrimin.
Opozita në Tiranë, në Bruksel, në Berlin, në Uashington, në Romë dhe kudo do të thotë të vërtetat dhe vetëm të vërtetat.

Është e detyruar të ruajë raportin e saj me të vërtetën dhe nuk do aplikojë atë formë nacionalizmi që është strofull horrash. Nacionalizmi i vërtetë është patriotizëm dhe patriotizmi të detyron të mbrosh interesat e qytetarëve të tu kudo dhe jo të mbrosh interesat e horrave të kombit.
Nuk janë shqiptarët që vjedhin, janë qeveritarët shqiptarë që vjedhin qytetarët shqiptarë.
Nuk janë shqiptarët trafikantë, janë klanet e drogës të lidhur me qeverinë që bëjnë trafiqet. Nuk janë shqiptarët që duan që vota e tyre të plaçkitet, të grabitet, të manipulohet, është Edi Rama dhe qeveritarët shqiptarë ata të cilët shndërrojnë zgjedhjet në farsë elektorale.
Në këtë kuadër, opozita dhe do bëjë e palëkundur detyrën e vet.

Ndjehemi shumë të lehtësuar nga ky raport. Janë tetë rezoluta nga vjeshta e vitit 2024 gjer sot që denoncojnë gjendjen dramatike në Shqipëri. Por tani, shumë shumë i ngjashëm me këto rezoluta është një rezolutë e një komisioni parlamentar të përbërë nga të gjitha grupet parlamentare të Parlamentit Europian.

Pra, nuk është një dokument i një organizatë të qendrës së djathtë apo të djathtë, jo, është një dokument i të gjithë spektrit politik, i cili sanksionon një për një ato që ne kemi denoncuar.
Sanksionon përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit.”, tha Berisha.

Te tjera

Lajme te tjera