E mërkurë, 22 Janar, 2025

Ndryshim elitash, profecia e Vladimir Putinit që po i alarmon të gjithë, kush janë liderët e fuqishëm të rrezikuar sipas Rusisë që “do iu pritet koka” shumë shpejt

Share

Kriza politike në Itali përfundon me zgjedhje të parakohshme. Presidenti Sergio Mattarella pranoi dorëheqjen e dytë të kryeministrit Mario Draghi dhe menjëherë shpërndau Parlamentin. Data e votimit të parakohshëm është caktuar 25 shtatori. Kreu i Shtetit njoftoi se qeveria e Draghit do të qëndrojë në detyrë deri pas zgjedhjeve, kur të vijë kabineti i radhës. “Periudha që po kalojmë nuk lejon pauza në masat shumë të nevojshme që duhen për të luftuar efektet sociale dhe ekonomike të krizës dhe veçanërisht ndaj rritjes së inflacionit, e cila është shkaktuar kryesisht nga rritja e kostos së energjisë dhe ushqimit, duke shkaktuar pasoja të rënda për familjet dhe bizneset”, tha Mattarella. Draghi largohet një vit e gjysmë pasi u emërua si kreu i pazgjedhur i një qeverie uniteti.  Në artikullin që publikuam një ditë më parë, treguam se Liga e Matteo Salvinit, Forza Italia e Silvio Berlusconit dhe Lëvizja Pesë Yje (M5S) e Giuseppe Conte vendosën të abstenojnë nga një votëbesimi në Senat. Në politikën italiane janë hedhur dyshimet se në prapaskenat e këtij abstenimi fshihen ndërhyrje ruse, pasi Salvini, Berlusconi, apo Conte përfliten si “ushtarë” rusë nga linja pro ruse që kanë mbajtur gjatë politikës së tyre. Gjithashtu një profeci e bujshme e presidentit rus Vladimir Putinit në mes të qershorit “i vë vulën”. Putin tha pak javë më parë se ndër pasojat e sanksioneve të vendosura nga Perëndimi do të shkaktojnë “një valë populizmi” dhe “një ndryshim në elita” . Një parashikim që po t’i hedhësh një sy fuqive kryesore perëndimore, po realizohet në të gjitha aspektet. Cari ka folur për këtë në Forumin e Shën Petersburgut. Dhe me të vërtetë kanë rënë disa koka që atëherë: Boris Johnson në Angli, Mario Draghi në Itali. Madje edhe Macron nuk po shkon mirë, pasi humbi shumicën në Parlament pas zgjedhjeve.

Priten zhvillime të bujshme në Evropë dhe Perëndim

“Ne nuk duam të ndërhyjmë. Është një çështje e brendshme. Mund të shohim vetëm se periudha e qeverisë suaj përkoi me një fazë shumë fatkeqe në marrëdhëniet tona dypalëshe”, ishte komenti i zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov pas dorëheqjes së kryeministrit në Itali. Rusët distancohen edhe nga teoritë për përfshirjen e tyre në rënien e qeverisë: “Çfarë ka të bëjë Rusia me të?”, u përgjigj zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.Edhe pse jo të gjithë do të mendojnë në të njëjtën mënyrë. “Miku i Putinit, Giuseppe Conte, po përpiqet të rrëzojë qeverinë e Draghit në Itali”, shkroi në Tëitter disa ditë më parë Vladimir Milov, ish-zëvendësministër rus i Energjisë dhe sot këshilltar i kundërshtarit në burgun Navalnyj. Përtej këtyre hipotezave, megjithatë, me fundin e qeverisë Draghi, siç shpjegon Repubblica “narrativa ruse mbi demokracitë perëndimore të dobësuara nga reagimi i sanksioneve po forcohet”. Disa politologë flasin për këtë në gazetat ruse: “Operacioni special në Ukrainë shkaktoi problemet e brendshme politike të vendeve perëndimore, humbjen e presidentit francez Emmanuel Macron para parlamentarëve, dorëheqjen e kryeministrit britanik Boris Johnson, probleme serioze në Gjermani dhe tani në Itali”, shkruan Josif Diskin , nënkryetar i institutit të sondazheve të Kremlinit. Dhe ka edhe nga ata që vazhdojnë të bëjnë parashikime. “Trazirat do të jenë në Itali, Spanjë, Evropën Veriore dhe, mbi të gjitha, në Mbretërinë e Bashkuar. Por sfida më serioze do të jenë zgjedhjet afatmesme në SHBA,” tha Andrei Bystritsky, një anëtar i një instituti kërkimor pranë Kremlini.

Dorëheqja e Draghit, ironia e Medvedev: Kush e ka radhën?

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, ka reaguar pak ditë më parë me doza ironie pas dorëheqjes së kryeministrit të Italisë, Mario Draghi. Nënkryetari aktual i Këshillit të Sigurisë ruse postoi një foto të kryeministrit britanik, Boris Johnson, i ndjekur nga e Draghit dhe një kuti bosh ku ishte vendosur një pikëpyetje që nënkupton se “kush e ka radhën”.

Te tjera

Lajme te tjera