E mërkurë, 22 Janar, 2025

NATO, BE, Britania e Madhe, Gjermania dhe ambsadorët urojnë Shqipërinë për 110-vjetorin e Pavarësisë

Share

NATO uron Shqipërinë për 110-vjetorin e Pavarësisë

NATO ka uruar dje Shqipërinë për 110 vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në Twitter, Aleanca Euro-Atlantike, u bën thirrje përdoruesve të rrjetit social të bashkohen me festën e Shqipërisë. “Bashkohuni me ne për të festuar me aleatin tonë, Shqipërinë në Ditën e tyre të Pavarësisë”, shkruhet në Twitter shoqëruar me një foto të Forcave të Armatosura shqiptare duke mbajtur flamurin kuq e zi.

Yuri Kim uron 28 Nëntorin: SHBA-të janë të nderuara të punojnë me ju!

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka publikuar dje në rrjetet sociale një mesazh urimi drejtuar shqiptarëve me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë.

Diplomatja amerikane vlerëson kontributin e Shqipërisë në 100 vjet marrëdhënie diplomatike me SHBA dhe shprehet se është krenare për një aleat të tillë. “Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është nderi im të uroj popullin e Shqipërisë në 110-vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu krenare të festojnë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe partneritetin e gjerë e të fortë që kemi ndërtuar së bashku”, shkruan Kim.

Ambasada Gjermane: Qëndrojmë krah Shqipërisë në rrugëtimin drejt BE

Ambasada Gjermane ka uruar Shqipërinë për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa shkruan se do të qëndroj në krah të vendit tonë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. “Ambasada Gjermane i uron të gjithë shqiptarët me rastin e Festës së Pavarësisë! Ne qëndrojmë krah për krah me partnerët/et tanë në Shqipëri në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, shkruan ambasada.

Ambasada britanike uron 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Britania e Madhe ka uruar dje në rrjetet sociale Shqipërinë për 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ambasadori britanik, Alastair King Smith tha se ky vit kishte qenë i veçantë edhe për të personalisht, duke shtuar se kishte arritur të zbulonte pasuritë e mrekullueshme të vendit tonë. “Ky ka qenë një vit shumë i veçantë për ne dhe për mua personalisht. Gjatë gjithë këtij viti, kam pasur mundësinë të zbuloj këtë vend të mrekullueshëm dhe të shoh pasuritë dhe shumëllojshmërinë që ai ofron. Prandaj sot dua t’u them të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit”, shkruan King Smith.

Dita e Flamurit, ambasadorja e BE-së në Tiranë uron Shqipërinë

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri Christiane Hohmann, ka uruar dje në rrjetet sociale Shqipërinë për ditën e pavarësisë. “Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri! Tani që Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ne jemi plotësisht të përkushtuar të mbështesim vendin për ta bërë realitet ëndrrën e qytetarëve të saj”, shkruan Hohmann.

Presidenti gjerman uron Begajn: Shqipëria, hap historik drejt BE-së

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier i ka shprehur urimet e tij presidentit Bajram Begaj me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Shqipërinë dhe Gjermaninë i lidh një partneritet i ngushtë, në nivel dypalësh dhe si vende aleate të NATO-s. Gëzohem që përmes nisjes së bisedimeve të anëtarësimit këtë korrik Shqipëria ka bërë edhe një hap historik drejt Bashkimit Europian. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë në mënyrë aktive vendin tuaj në këtë rrugë si mik dhe partner”, është shprehur Steinmeier, shkruan ambasada gjermane në Tiranë.

Te tjera

Lajme te tjera