E diel, 20 Prill, 2025

Muharrem Xhafa: Historia e ka damkosur Ballin Kombëtar si bashkëpunëtor të nazi-fashizmit, LANÇ është epopeja më e lavdishme e kombit shqiptar, kushdo që hedh baltë dhe vë në dyshime se gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ranë 28 mijë dëshmorë është tradhtar, po abuzohet me statusin e Dëshmorit të Atdheut

Share

Po të kishte qenë për Ballin, Shqipëria do të ishte rreshtuar me nazifashiznin, Romën, Berlinin e Tokion! Ishte Enver Hoxha gjenial ai që e rreshtoi vendin tonë me anglo-sovjeto-amerikanët, duke “groposur” kështu çdo tentativë ndryshe të Ballit Kombëtar. Kështu shprehet gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ish-funksionari i Partisë Komuniste Muharrem Xhafa, i cili ndër të tjera theksoi me bindje se LANÇ është epopeja me e lavdishme e kombit shqiptar. Ndërkohë zoti Xhafa shtoi se kushdo që hedh baltë dhe vë në dyshime se gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ranë 28 mijë dëshmorë është tradhtar. Sipas tij, po abuzohet me statusin e Dëshmorit të Atdheut.

– Zoti Xhafa, flitet se LANÇ-i nuk ka 28 mijë dëshmorë. Ju ç’mendim keni?

Pyetjes suaj do t’i përgjigjem, po, më parë, dua t’u kujtoj lexuesve se LANÇ-i i popullit shqiptar është lufta më të madhe dhe më e lavdishme në historinë e tij për çlirim kombëtar e shoqëror; është lufta antifashiste, demokratike e çlirimtare, që u shndërrua dora-dorës në revolucion popullor nëpërmjet kryengritjes së armatosur; është pjesë përbërëse e Luftës  së Dytë Botërore, e organizuar dhe e udhëhequr nga PKSH-së, që fillon më 7 prill 1939, me qëndresën e popullit tonë kundër agresionit fashist italian dhe mbaron me çlirimin e plotë të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj fashistë e nazistë dhe vendosjen e pushtetit popullor, më 29 nëntor 1944. Gjithkush duhet të dijë se gjatë LANÇ-it populli ynë heroik dhe partizanët tanë trima, të organizuar në repartet ushtarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, luftuan dhe fituan kundër dy pushtuesve të mëdhenj : Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, që njeri pas tjetrit pushtuan vendin tonë, si dhe kundër qeverive kuislinge e reaksionit të brendshëm dhe forcave të tyre të armatosura. Në Europë, Shqipëria është i vetmi vend që çlirimin e plotë të saj e realizoi me forcat e veta. Për arritjen e kësaj fitoreje historike, krijoi kushte të favorshme dhe lufta e Koalicionit të Madh Antifashist Botëror. LANÇ-i u shkaktoi armiqve pushtues italianë e gjermanë humbje të mëdha në njerëz e në teknikën luftarake. Në territorin shqiptar u vranë, u plagosën dhe u zunë robër mbi 70 mijë ushtarë e oficerë armiq. Po edhe vendi ynë pësoi humbje të mëdha. Bazuar në madhësinë e vendit (28 mijë km katrorë) dhe në numrin e vogël të banorëve (një milion banorë) gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria zë një ndër vendet e para për humbjet në njerëz dhe në të mira materiale. Truallin shqiptar e shkelën mbi 700 mijë ushtarë fashistë e nazistë, të cilët bënë rrënime dhe dëme të jashtëzakonshme: u vra dhe u gjymtua 7. 3 përqind e popullsisë; pati 28 MIJË TË RËNË; gati çdo familje shqiptare pësoi dëme në njerëz e në materiale; 21 përqind e shtëpive në fshatra e qytete ose u dogjën ose u rrënuan; urat, punishtet, fabrikat, minierat, portet, mjetet e ndërlidhjes etj. etj. ose u shkatërruan krejt ose u dëmtuan rëndë; u asgjësua një e treta e gjësë së gjallë etj. Në vlera monetare dëmet qenë kolosale! Së dyti, vijmë te pyetja juaj e fillimit. Rigels, çfarë nuk është thënë kundër LANÇ-it : janë mohuar jo vetëm të rënët, dëshmorët e saj, po edhe vetë LANÇ-i. Që LANÇ-i ynë ka pasur 28 MIJË TË RËNË dëshmorë, sa di unë, për herë të parë e ka deklaruar botërisht Enver Hoxha fill pas çlirimit në Konferencën e Paqes në Paris, e cila u mbajt nga data 27 korrik deri më 15 tetor të 1946-ës. Zoti Rigels, dëshmor i Atdheut nuk mund të quhet çdo njeri, po ai njeri që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, që jep (fal) jetën e tij për të mirën e popullit e të Atdheut. Ata që janë kundër LANÇ-it e të rënëve dëshmorëve të saj, ata janë që “çirren” dhe thonë se LANÇ-i nuk ka 28 mijë të rënë dëshmorë. I nderuar, të rënët për çlirimin e Atdheut nuk kanë nevojë as për dosje me dokumente, as për vendime të marra të organeve shtetërore, siç “bërtasin” ata që gjatë LANÇ-it bashkëpunuan me pushtuesit kundër saj. Cilido qoftë ai që dyshon ose që thotë se LANÇ-i s’ka 28 mijë të rënë, dëshmorë, duke sjellur “argumente” falso, të rremë, më e pakta bëhet qesharak.  Në gjuhën frënge, MARTYR (martir) do të thotë dëshmor, i rënë në luftë me armë në dorë kundër armiqve pushtues. Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të Konferencës së Paqes në Paris (1946), Enver Hoxha, që e dinte mirë frëngjishten, deklaroi para 21 delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në Konferencë, se Shqipëria e vogël ka 28 mijë martirë, të rënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, dhe askush nuk kundërshtoi, as Caldarisi grek, në atë kohë, kryeministër i Greqisë dhe armik i egër i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Sa qe gjallë, Enver Hoxhën nuk guxoi ta kundërshtonte asnjë njeri. Sot që nuk jeton, njerëz të shitur tek të huajt dhe për interesa karrieriste e pasurimi shpifin lloj-lloj gjërash kundër tij, kundër LANÇ-it, kundër martirëve, të rënëve dëshmorë! Rigels, shumë njerëz ose nuk dinë të bëjnë dallimin midis të rënëve dëshmorë, martirëve të Atdheut dhe viktimave të saj ose i ngatërrojnë me dashje! Se viktima nuk është martir, dëshmor; viktimë është ai njeri që plagoset ose vritet aksidentalisht, që dëmtohet a vdes, bie fjala, nga një tërmet, nga përmbytjet a forca të tjera të natyrës etj.; është ai njeri që pëson një të keqe të rëndë e të madhe (edhe vdekje) nga dikush. Sado i lartë të jetë, akti i viktimës nuk barazohet kurrë me aktin e të rënit martir, dëshmor i Atdheut.

– Pse bëhet kaq shumë zhurmë për numrin e të rënëve martirë, dëshmorë të Atdheut,  gjatë LANÇ-it?

I nderuar, rëndësi ka të kuptohet se kush e bën dhe për ç’qëllime bëhet kjo zhurmë. Së pari, këtë zhurmë e bëjnë organizatat tradhtare – Balli Kombëtar e Legaliteti, e bëjnë bashkëpunëtorët e pushtuesve të huaj, të cilët, duke qenë kundër LANÇ-it dhe duke mos iu bashkuar Frontit Nacionalçlirimtar, u vunë në shërbim të armiqve pushtues. Së dyti, veç atyre, e bën edhe llumi i shoqërisë socialiste, që e ka mision luftën kundër LANÇ-it dhe të rënëve dëshmorëve të saj. Historia e të rënëve në luftë martirë, dëshmorë, është historia e vetë kombeve. Martirët, të rënët dëshmorë për Atdheun e popullin e vet, u flasin të gjallëve. Ata e bënë fli jetën, që të gjallët të jetojnë me dinjitet. Nderimet për të rënët dëshmorë, për martirët e Atdheut, janë një detyrim moral me përmasa të shenjta. Një komb që nuk nderon të rënët, dëshmorët e vet, ai komb është i destinuar të zhduket, të vdesë! Kombet e qytetëruar, i kanë dhënë njerëzimit kulturë e zhvillim, ndaj krenohen me bijtë e tyre të rënë në luftën për lirinë e pavarësinë e vendit. Franca, Britania e Madhe etj. u bëjnë nderime të mëdha martirëve, të rënëve dëshmorë  në luftë. Ndonëse u vranë në Shqipëri e në vende të tjera si pushtues, si ushtarë të nazizmit, shteti i sotëm gjerman kujdeset për njerëzit e kombit të vet dhe ka ngritur për ta kudo memoriale. Po kështu, shteti italian i pas luftës së Dytë Botërore, i mblodhi eshtrat e ushtarëve italianë të rënë si pushtues kundër vendit tonë, jo se ai ka respekt e nderon fashizmin, po sepse janë bij të kombit të vet. Vendi ynë ka një ditë të veçantë për të rënët dëshmorë gjatë LANÇ-it, ka 5 Majin! Po u bënë më se 30 vjet që martirët, dëshmorët e popullit shqiptar, nuk nderohen me ceremoni shtetërore si më parë. Një njollë e zezë kjo, se dëshmorët nuk dhanë jetë për partitë politike, po për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Dëshmorë të LANÇ-it ka edhe bijë familjesh balliste e zogiste, të cilët, në kundërshtim me familjet e tyre, nuk pranuan të bëhen kundër LANÇ-it e bashkëpunëtorë të pushtuesve dhe rrokën armët e dolën malit për liri. Di që në SHBA është përcaktuar me ligj një javë në vit, 25 deri më 31 maj, si java e dëshmorëve, gjatë së cilës organizohen plot veprimtari për ta në çdo qytet.

– A ka pasur në socializëm Status të Dëshmorit të Atdheut?

Sigurisht që ka pasur. Në çdo periudhë të historisë njerëzore, të rënët në luftën për çlirimin dhe mbrojtjen e Atdheut, populli i ka nderuar dhe bëmat (veprat) revolucionare të tyre i ka përcjellur me këngë e me vargje, që mund të thuhet se ka qenë statusi a lapidari i parë moral i përjetësimit të tyre. Gazetarët, që duhet të lexojnë më shumë se të tjerët, do të kenë dëgjuar se Eposi i Kreshnikëve e ka ngritur lart Gjergj Elez Alinë si “trim mbi trimat”! Apo jo? Di që jo e jo më parë, po edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, s’ka pasur një status ligjor për të rënët në luftën për mbrojtjen e Atdheut. Siç do ta them më poshtë, një status i tillë, u vendos më 28 gusht të vitit 1945, dmth fill pas çlirimit të Atdheut. Kush e ngriti në piedestalin e nderit të kombit Heroin Kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeun? Kush i ngriti në piedestalin e nderit dhe i shpalli Heronj të Popullit Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Selam Musanë, Shote Galicën, Mujo Ulqinakun, Heronjtë e Shkodrës, Heronjtë e Vigut, Heroinat e Mirditës, Nik Pjetër Ndrekën e Vermoshit, Mustafa Kaçaçin e Babë Rexhën e Krujës etj., etj., etj.? Mbreti  Zog? Jo, i nderuar, se ky shumë nga ata i vrau! Në piedestalin e nderit dhe heronj të popullit ata i vuri dhe i shpalli pushteti popullor i Enver Hoxhës. Apo jo? Në vitet e LANÇ-it, ndonëse vendi ynë ende nuk ishte i çliruar krejtësisht dhe pushteti popullor ende nuk ishte vendosur, vlerësohej lart figura e të rënit në luftë. Atyre u ngriheshin këngë e poezi, që bëheshin burim frymëzimi për të tjerët; emri i të rënëve u vihej njësive e reparteve partizane; për aktin heroik të tyre shkruhej në shtypin e luftës e në fjalime të ndryshme; trimat partizanë betoheshin para trupit e varrit të të rënit; bëhej edhe parakalim ceremonial; u jepej edhe ndihmë materiale familjeve të të rënëve; bëhej edhe zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga njerëz të afërt të tyre etj., etj., etj. Ishte kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar ajo që, siç thashë, miratoi, më 28 gusht 1945, ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Një tjetër ligj, ai me nr. 1635, i 5 marsit të vitit 1953, përcaktonte  pensionet për familjarët e oficerëve dëshmorë. Ndërsa në vitet ’60-të, u përkufizua qartë cilësimi, dekorata  “Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj u përfshinë edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, ndërtuar në qendrat e të gjitha rretheve të vendit. Apo jo? Në të u përfshin varret e të gjithë të rënëve dëshmorë, përveç atyre të Pezës së Tiranës e të Kuçit të Vlorës, që mbetëm më vehte. Majë kodrës dominuese e të bukur të Tiranës u ngritën Varrezat (kombëtare) e Dëshmorëve të Atdheut me monumentin Nëna Shqipëri në ballë. Statusi i Dëshmorit konfirmonte prerë se nuk mund të shpallej dëshmor i Atdheut një person i kapur a i vrarë nga armiku pa qëndresë me pushkë, pavarësisht se mund të kishte qenë i inkuadruar në Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Kushdo të ishte, ai që nuk kishte luftuar me armë në dorë kundër armikut, cilësohej viktimë e LANÇ-it, jo martir, dëshmor i Atdheut. Statusi i Dëshmorit të Atdheut kishte kërkesë themelore : “rënë në luftë, duke luftuar”.

-Me ndryshimin e rendit shoqëror e të sistemit shtetëror, a ka pësuar ndryshime Statusi i Dëshmorit të Atdheut?

Do të ishte budallallëk të mendohej ndryshe! Se, me ndryshimin e sistemit shoqëror e të regjimit shtetëror nga socialist në kapitalist, ndryshime pëson edhe Statusi i Dëshmorit të Atdheut. Në vendin tonë u shkatërrua gjithçka : industria e bujqësia, arsimi e kultura, shëndetësia, drejtësia, organizimi shoqëror e shtetëror etj., etj., etj.. Kështu do të shkatërrohej edhe Statusi i Dëshmorit të Atdheut. Dëshmorë të Atdheut janë shpallur edhe ata që kanë djegur e shkatërruar vendin. A nuk keni dëgjuar ju që varre e varreza të dëshmorëve në rrethe janë dhunuar egërsisht për hakmarrje ose për motive të tjera dhe kriminelët nuk janë “zbuluar”, po kanë “ikur” në drejtim “të paditur”? A nuk keni dëgjuar që janë dhunuar nga vandalët emrat, shtatoret, memorialët, përmendoret, pllakat përkujtimore, fotot e të rënëve dëshmorë etj? A nuk e dini ju se sa herë ka ndodhur rotacioni i pushtetit borgjez aq herë është ndryshuar edhe Statusit i Dëshmorit? Të gjithë e dinë se me ndryshimin e sistemit shoqëror e shtetëror ndryshon koncepti mbi armiqtë, po Statusi i Dëshmorit të Atdheut duhet të jetë vepër konsensuale e Kuvendit të Shqipërisë me devizën: Dëshmor i Atdheut është ai që ka rënë ose që bie kundër pushtuesve të huaj duke luftuar me armë në dorë. Në mbyllje të kësaj interviste modeste, dua t’ju them se ka të tjerë e të tjera më kompetentë se unë për këtë çështje. Njëherësh, duke ju falënderuar, dëshiroj të them përmes gazetës “Sot” se kush ngre dorë kundër LANÇ-it, prek kombin, prek popullin shqiptar, prek historinë e lavdinë e tij dhe shpejt a vonë do të paguaj shtrenjtë! LANÇ-i, me të rënët dëshmorë, martirë të saj, me kuadrot e saj, me PKSH, me Shtabin e Përgjithshëm të saj, me Komandantin e Përgjithshëm të saj, Enver Hoxhën, është lavdia e kombit shqiptar!

Duke e mbyllur, më lejon t’ju pyes drejtpërdrejt, se a ka meritë Balli Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore?

Balli Kombëtar ka vetëm “një meritë” në Luftën e Dytê Botërore! Kjo “meritë e tij” qëndron në faktin se Balli Kombëtar ka qenë gjithnjë në anën e pushtuesve gjermanë, u ka shërbyer atyre kundër interesave të atdheut! Tjetër meritë Balli nuk ka. PKSH-së u përpoq boll ta kthente Ballin në rrugë të mbarë, po ai ishte betuar në krah të gjermanëve pushtues, kishte edhe besim tek ata, edhe besimin e mbështetjen e tyre! Kush ka dëshirë të njohë më shumë veprimtarinë e Ballit gjatë LANÇ-it, ai le të lexojë dokumentet e shkruara të vetë gjermanëve pushtues, pastaj edhe të aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë e pastaj edhe arkivat shqiptare të kohës së Luftës së Dytë Botërore!

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera