E diel, 3 Maj, 2026

Mashtrimi me bursat e studimit në SHBA, arrestohet 20-vjeçari nga Devolli; si u zbulua skema nga Ambasada amerikane!

Share

Është finalizuar me arrestimin e 20-vjeçarit, Ermes Hoxhalli, nga Devolli, shkatërrimi i skemës së mashtrimit me bursat e studimit dhe vizat falas për në SHBA, e pikasur 6 muaj më parë nga Ambasada SHBA në Tiranë.

Fillimisht më 4 qershor u arrestuan dy gra të cilat dyshohet se ishin pjesë e projektin “Let’s Talk Together About US24.” , krijuar nga 20 vjeçari, me anë të të cilës mashtroheshin qytetarët dhe studentët.

Njëra nga gratë e arrestuara në qershor u bë e ditur se ishte pjesë e sistemit të arsimit, më saktë, zyrtare arsimore në nivel vendor, pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.

Pas një hetimi 6 mujorë të kryer nga një grup hetimor i posaçëm hetuesish nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës është bërë i mundur shkatërrimi i grupit dhe kapja e personit që krijoi skemën, Ermes Haxholli.

Sipas informacioneve 20-vjeçari kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë, për ta bërë të besueshme skemën e mashtrimit. 

Pjesë e këtij mashtrimi mësohet se kanë rënë qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.

Arrestohet një shtetas shqiptar, i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin. Më datë 22.07.2024, është arrestuar shtetasi E. H., 20 vjeç, banues në Devoll.

Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar një masë sigurimi “Arrest në burg”, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Pas një hetimi gjashtëmujor, nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zbuluar një skemë mashtrimi e organizuar nga shtetasi tashmë i arrestuari E. H., i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.

Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë që morën pjesë në këto programe mashtruese.

Policia e Shtetit shqiptar falënderon Prokurorinë e Seksionit të Përgjithshëm, Tiranë dhe Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, për ndihmën në këtë hetim kompleks dhe për partneritetin e vazhdueshëm”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Ndërkohë që në qershor, Ambasada amerikane ju bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga skemat mashtruese, që premtojnë viza amerikane me çmim të lirë dhe në mënyrë të shpejtë. Ajo gjithashtu kërkoi nga qytetarët që të denoncojnë çdo rast mashtrimi që lidhet me ambasadën.

Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.

U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën”, njoftonte asokohe ambasada e SHBA.

Te tjera

Lajme te tjera