E diel, 3 Maj, 2026

Masakra e Lushnjës, dënohet me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu

Share

I shumëkërkuari, Laert Haxhi është dënuar nga GJKKO me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës, ku mbetën të vrarë 2 persona. GJKKO, pranoi kërkesën e SPAK-ut dhe vendosi të dënojë Haxhiun me burg përjetë.

31-vjeçari dyshohet se është atentatori kryeso kryesor i ngjarjes së 11 shtatorit 2017 në Lushnje, ku mbetën të vrarë dy persona, Jurgen Hoxhës dhe Samir Latifit. Gjithashtu ai është i akuzuar për vrasjen e Gerti Salës, i njohur ndryshe si “Iriqi”, anëtar në bandën e Lushnjës në vitin 2009.

Emri i Laert Haxhiut doli nga dëshmia e Artan Tafanit, që tregoi se grupi i Haxhiut ka organizuar disa vrasje dhe disa ngjarje të rënda kriminale që kanë ndodhur në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Korçë.

Ndërkohë Haxhiu dyshohet se ka qenë edhe autori kryesor i plagosjes me pistoletë me 25 shtator të 2016-ës të Saimo Xheliut, ku po në të njëjtin vit ai ka tentuar që të ekzekutojë edhe nipin e Aldo Bares, Xhuljo Shkurti në qendër të Lushnjës.

Ai është dënuar me 19 vite burg nga gjykata e Lushnjës për një tjetër atentat ku u plagosën disa persona dhe sërish objektivi i sulmit ishte Xhulio Shkurti.

Laert Haxhiu është i arrestuar në Greqi dhe po bëhen përpjektjet ligjore për të bërë të mundur ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Aktualisht ekstradimi i tij drejt vendit tonë është ngrirë, pasi Haxhiu ka ngritur pretendimet se i rrezikohet jeta në Shqipëri, për shkak të armiqësisë me Aldo Baren. Tani pritet që gjykata greke të marrë një vendim lidhur me ekstradimin, ose jo, të Laert Haxhiut në Shqipëri. 

Por kush është Laert Haxhiu? 

Laert Haxhiu, kreu i grupit kriminal, bashkë me të penduarin e policisë, Artan Tafani rezultojnë bashkëpunëtor në 4 vrasje në Shqipëri. Gjithashtu 31-vjeçari ka urdhëruar dhe dy vrasje në Greqi.

Të gjitha këto krime kanë ndodhur nga vitit 2018 deri në vitin 2021-shin. Ata vranë Çajup Selimin, Fridman Xhaferajn, Alban Semakun dhe Albi Bashaliun.

I pari, biznesmeni Çajup Selimi, u ekzekutua në Tepelenë në hyrje të shtëpisë së tij në lagjen “15 Shtatori” më datë 1 Qershor të vitit 2021. Ai doli nga shtëpia pasi u thirr nga një person dhe u qëllua në shkallët e katit të dytë të pallatit ku jetonte. Për eliminimin e tij bashkëpunuan 6 persona.

Një ditë më pas, anëtarët e grupit, kryejnë një tjetër vrasje. Ekzekutohet Fridman Xhaferaj në qytetin e Korçës, por trupi u zbulua 12 ditë më vonë, në rezervuarin e Gjançit. Në atë kohë, dyshimet e policisë ishin se 25-vjeçari ishte ekzekutuar për larje hesapesh, për shkak të konflikteve të mëparshme. Në vrasjen e 25-vjeçarin bashkëpunuar 7 persona.

Vrasja e tretë e zbuluar nga dëshmia e të penduarit Artan Tafani është dhe ajo e Alban Semakut, në 17 tetor të 2021. Ai njihej edhe me emrin Elton Kinezi. U gjet i vrarë në breg të lumit Shkumbin, pesë muaj pasi kishte dalë nga burgu. Në këtë krim morën pjesë: Laert Haxhiu, Artan Tafani dhe Lulzim Spahija.

Ngjarja kriminale e radhës, është vrasja e Albi Bashaliut në 27 dhjetor të 2021. u qëlluam me breshëri plumbash sapo zbriti nga makina për të shkuar në kafe. Krimi ndodhi në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Policia thotë se shkak ka qenë hakmarrja pasi i vëllai, Leonard Bashaliu, vrau Ylber Xhahysën.

Por Laert Haxhiu nuk ka qenë vetëm ekzekutor, ai urdhëroi dhe dy vrasje në Athinë ne periudha të ndryshme, atë të Lulzim Qorrit në dhjetor të 2018 dhe Dikens Halilit në tetor të 2021. Ata ishin pjesë e bandave të trafikut të drogës.

Armiqësia me Aldo Baren

Laert Haxhiu ishte fëmijë kur banda e Aldo Bares i dogji shtëpinë, i vranë dhe të afërm. Ai u rrit me ndjenjën e hakmarrjes, po ashtu dhe Orges Bilbili.

Laert Haxhiu nuk ka ndonjë arsimim, por ka profil të qartë kriminal. Ai ishte vetëm 18 vjeç kur bashkë me shokët e tij e qëlluan tre herë me pistoletë në kokë Gerti Lalën, në hyrje të pallatit të tij. Dyshohet se në krim mori pjesë edhe Orges Bilbili. Ishte nëna e Gerti Lalës që i identifikoi ata si vrasësit e të birit.

Laert Haxhiu u shpall fajtor për vrasjen dhe doli nga burgu në vitin 2014. Kishte vetëm 8 muaj që kishte dalë nga burgu, kur u arrestua në 2015-ën për trafik droge. Haxhiu tentoi t’i shpëtonte policisë; u hodh nga 3-4 metra lartësi, dhe theu këmbët. Në momentin e prangosjes, i tha policisë se u largua pasi mendoi se ishin njerëzit e Aldo Bares që e ndiqnin.

Haxhiu kishte një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se bënte edhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai u dënua me vetëm 17 muaj e 10 ditë burg, megjithëse policia i gjeti 1.2 kilogram kokainë.

Pika e kthesës në jetën e Haxhiut

Pas daljes nga burgu nisi menjëherë nga atentatet. Ngjarja që e bëri të njohur për të banorët është masakra e Lushnjes. Laerti, asokohe 25 vjeç, ekzekutoi bashkë me shokun e tij, Orgesin, Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën. Por shënjestra ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti.

Më 11 shtator 2017, ata hynë me automatik në krah në një lokal në Lushnje, duke i lënë të vdekur dy të rinjtë, ndërsa shënjestra shpëtoi.

Nëse për Laert Haxhiun u angazhuan dy Polici të vendeve të ndryshme për ta prangosur, Orges Bilbili u arrestua nga rastësia në prill të vitit 2020, kur i gjithë vendi ishte në shtetrrethim prej pandemisë së koronavirusit.

Bilbili ndodhej në zonën e Xhamllikut ku po lëvizte me këmbë kur është pikasur nga polici i ‘Shqiponjave’. Bilbili i tha policit se do e qëllonte dhe i drejtoi armën. Pasi u largua, polici e ndoqi nga pas dhe e qëlloi në këmbë duke mundësuar kapjen e tij.

Historia e bandës së Lushnjes

Pikënisje e përplasjeve të përgjakshme mes bandave në Lushnje, ishte vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllai i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), i cili deri në atë kohë ishte efektiv i Forcave RENEA. Pas vrasjes së vëllait të tij, Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja,  krijoi të ashtuquajturën “Bandë e Lushnjes”.

Fillimisht në këtë grup u mblodhën shtetasit Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë tashmë. Aldo Bare u hakmorr ndaj Artur Dajës, të cilin pasi e ekzekutoi, i preu kokën dhe e shkelmoi atë rrugëve të qytetit të Lushnjes. Por pas hakmarrjes, krimet vazhduan.

Te tjera

Lajme te tjera