E diel, 20 Shtator, 2026

Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme! Pas PDK e Aleancës, 6 deputetë të LDK kundërshtojnë kandidaturën e Sejdiut për President! Abdixhiku: I kërkoj falje popullit

Share

Gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për President të Kosovës, duke rrezikuar që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili njoftoi se vendimi i Kryesisë së LDK-së, ku emri i Sejdiut u votua unanimisht si kandidat për President, u hodh poshtë nga 6 deputetë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar.

Konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin Bekim Sejdiu për President të Kosovës. Abdixhiku e dënoi veprimin e 6 deputetëve dhe i kërkoi falje popullit të Kosovës, duke paralajmëruar se vendi po shkon sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Për fatin e keq, 6 deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së. Konkretisht Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar. Konsideroj që i bëjnë dëm të gjithë procesit, duke humbur një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën, për ta çuar vendin në zgjedhje. Kemi pasur një kandidaturë të shkëlqyer, të propozuar nga LDK. Unë me 12 deputetë të tjerë do të jem në sallë ditën që do të votohet dhe do të votoj, nuk mund të bëj më shumë. I kërkoj falje popullit të Kosovës”, tha mes të tjerash Abdixhiku pas mbledhjes me Grupin Parlamentar të LDK-së.

Por përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të siguruar mbështetje sa më të gjerë për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president ka hasur edhe në kundërshtimin e dy partive kryesore opozitare. Pas Partisë Demokratike të Kosovës, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bëri të qartë se nuk do ta votojë kandidatin e propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se partia e tij nuk do t’i bashkohet marrëveshjes së arritur mes dy partive dhe nuk do të mbështesë Sejdiun për president.

“Nuk ka ndryshim të qëndrimit. Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, tha Hamza.

Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim me Sejdiun dhe se, nëse zgjidhet president, ai duhet të jetë një figurë unifikuese.

“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, u shpreh kreu i PDK-së.

Në të njëjtën linjë u pozicionua edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i cili deklaroi se partia e tij nuk ka asnjë detyrim ndaj marrëveshjes së arritur mes LVV-së dhe LDK-së.

“Qëndrimi i Aleancës është i qartë që prej datës 7 qershor. Ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshjeje që bëjnë dy parti politike të tjera. S’kam kohë për kësi lojërash të fëmijëve që janë me qëllim mashtrimin e opinionit publik dhe dërgimin e Kosovës në zgjedhje. Jemi qind për qind unik. Çfarëdo vendimi që merret në Aleancë, grupi parlamentar është unik”, tha ai. 

Bekim Sejdiu u propozua si kandidat i përbashkët për president nga LVV-ja dhe LDK-ja pas marrëveshjes së arritur më 31 gusht, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik që ka bllokuar krijimin e institucioneve të reja në Kosovë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Presidenti i Kosovës zgjidhet me 61 vota, por kriter është që në sallë në momentin e votimit duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë.

Te tjera

Lajme te tjera