E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Kolegji Zgjedhor ‘certifikon’ zgjedhjet në 4 qarqe, rrëzohen ankimet e PD në Lezhë, Kukës, Korçë e Gjirokastër! Logut s’i ‘del’ e keqja me Rusmalin

Share

Shpresa e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshëm 11 majin dhe për t’u rikthyer në kutitë e votimit duke përsëritur zgjedhjet, u shua edhe në dyert e Kolegjit Zgjedhor. Të paktën për 4 qarqet e para, që Kolegji Zgjedhor shqyrtoi këtë të mërkurë, duke vendosur rrëzimin e ankimimeve të PD për Lezhën, Kukësin, Gjirokastrën dhe Korçën.

Trupa gjykuese nuk u bind nga argumentet e demokratëve se zgjedhjet ishin të parregullta, në to u përdor administrata zgjedhore, shitblerja e votës apo se u manipulua votimi nga jashtë.

Në ndihmë, PD-së nuk erdhi dot as argumenti i përfaqësuesit të saj Marash Logut, që nuk harroi të përmende betejën me anëtarin e KAS– Ilir Rusmajlin që sipas tij ka cenuar paanshmërinë e gjykimit të ankesave të opozitës në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve.

“Prania e Ilir Rusmajlit në KAS cenoi parimin e paanshmërisë, ne kemi kërkuar përjashtimin e këtij anëtari. Vetë ky anëtar ka shkruar vendimmarrjen për përjashtimin e tij. Ai as nuk duhet të ishte i pranishëm, as të merrte vendim, as të shkruante vendimin për kërkesën tonë për përjashtimin e tij”, tha Logu. 

KAS më herët rrëzoi të gjitha kërkesat e PD-së për shpalljen të pavlefshme dhe përsëritjen e zgjedhjeve për të 12 qarqet e vendit. Kolegji është hallka e fundit ku ankimohet rezultati.

Te tjera

Lajme te tjera