Në kuadër të operacionit “Territor i pastër”, në fshatin Shëngjin, Tiranë janë vënë në pranga 4 shtetas, autor të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Po ashtu janë proceduar penalisht katër persona të tjerë, kryetari i fshatit Shëngjin, 2 punonjës të zonave të mbrojtura dhe 1 punonjës policie.
Njoftimi i polcisë:
Tiranë
Në zbatim të masave të planit operacional “Territor i pastër”, u finalizua operacioni policor i koduar “Mountain”, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Shëngjin.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 4.
Vihen në pranga 4 shtetas, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Procedohen penalisht për shpërdorim detyre, 4 shtetas (kryetari i fshatit Shëngjin, 3 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe 1 punonjës policie).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mountain”.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Gj., 60 vjeçe, I. Gj., 37 vjeç, J. Xh., 34 vjeç, dhe E. E., 30 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Gj., 56 vjeç, kryetar i fshatit Shëngjin, Zall Bastar; R. K., 57 vjeç dhe R. L., 59 vjeç, punonjës (rojë) të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Gjithashtu, në bashkëpunim me AMP, ka filluar procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e Policisë (SPZ) E. D., 38 vjeç.
4 shtetasit e arrestuar dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në fshatin Shëngjin, Zall Bastar, ndërsa shtetasit e proceduar në gjendje të lirë, dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Një pjesë e bimëve narkotike u asgjësua me anë të djegies, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.