Partia Socialiste në Elbasan ka nisur zyrtarisht zbatimin e nismës më të re dëgjimore për qytetarët, e titulluar “Prania Besnike”. Përmes një komunikimi, deputetja e PS-së, Sara Mila, ka bërë me dije bashkimin e forcave me familjen politike të gjashtë njësive administrative të zonës Shkumbin Sipër — Bradashesh, Papër, Funar, Gracen, Labinot Fushë dhe Labinot Mal — me synim koordinimin e punës në terren dhe adresimin e çdo shqetësimi të komunitetit.
Sipas deputetes Mila, në qendër të këtij procesi është dëgjimi me vëmendje i çdo problemi deri në kthimin e një përgjigjeje apo zgjidhjeje konkrete. Takimet me qytetarët do të jenë të përjavshme, çdo të premte në orën 17:00, duke garantuar prani të vazhdueshme dhe komunikim të drejtpërdrejtë sy më sy në çdo cep të territorit. Standardet kryesore mbi të cilat mbështetet ky angazhim përmblidhen në katër shtylla: Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim.
Hapi i parë praktik i kësaj nisme ka startuar tashmë nga Njësia Administrative Papër. E shoqëruar nga Ardit Demiri dhe Ergys Kateshi, deputetja Mila zhvilloi dëgjesën e parë publike, ku bashkëbisedoi nga afër me banorët vendas.
Mila ka falënderuar të gjithë qytetarët që u bënë pjesë e këtij takimi të parë duke ndarë shqetësimet e tyre, ndërsa rikonfirmoi zotimin se ekipi politik do të rikthehet çdo të premte për t’i ndjekur çështjet hap pas hapi deri në zgjidhjen e tyre.
Postimi i deputetes Mila
LIVE nga selia e PS në Elbasan, me familjen politike të 6 njësive administrative Shkumbin Sipër; Bradashesh, Papër, Funar, Gracen, Labinot Fushë e Labinot Mal për të koordinuar punën në vijim për #PRANINËBESNIKE me koordinatorët tanë e ku në fokus të këtij procesi është DËGJESA e problemit deri në PËRGJIGJE. Për qytetarët tanë, në çdo cep të territorit, çdo ditë, e sy më sy me ta, çdo të premte në orën 17.00.
