E diel, 20 Shtator, 2026

“Biletë shumë e shtrenjtë dhe kartë falso”, Petro Koçi shpërthen ndaj Berishës: Njolla e ‘non-grata’-s nuk i hiqet, shpresa e PD për pushtet mbetet e fikur

Share

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka bërë një reagim të fortë në rrjetet sociale ku zhvesh maskën e Sali Berishës dhe analizon pasojat politike të vizitës së tij të fundit. Ai komenton udhëtimin e kreut të Partisë Demokratike në SHBA, ndërsa thekson se bileta marramendëse dhe zbritja në tokën amerikane nuk përbëjnë asnjë amnisti apo pafajësi për mëkatet e tij.

Sipas Koçit, Berisha mbetet një pasagjer që bart me vete ngarkesën e rëndë të njollës së “non-grata-s”, e cila nuk i hiqet dot pavaresisht shpenzimeve shumëshifrore nga arka familjare. Ai sqaron se kjo “kartë falso” shërben vetëm për të konsoliduar pushtetin e tij brenda një opozite ku servilizmi ka instaluar memecërinë absolute. Për këtë arsye, PD do të vazhdojë ta mbajë atë në qafë për një kohë të gjatë, duke e lënë shpresën për të fituar zgjedhjet të fikur të paktën deri në mandatin 2029–2033.

 Në këtë mënyrë, lëvizja e Berishës është vetëm një shërbim i ri në favor të maxhorancës, por që paguhet nga vetë xhepi i tij. Në fund, Koçi i dërgon një këshillë të prerë PS-së, duke paralajmëruar se as ndeja në vend nuk i shërben askujt. Ai nëvizon se Partia Socialiste ka nevojë urgjente të ndërmarrë reforma themelore kushtetuese për t’ia kthyer Republikën qytetarëve, duke marrë hapa të fortë e korrigjues kundër korrupsionit në radhët e veta për të shmangur çdo rrezik që i kanoset.

Postimi i plotë i z. Petro Koçi

“Sali Berisha udhëton për SHBA me një triumfalizëm qesharak. Bileta për në SHBA dhe zbritja në tokën amerikane nuk përbën amnisti dhe as fare pafajësi. Ai do jetë një pasagjer që mbart me vete një ngarkesë shumë të rëndë e të cilën detyrimisht e ka paguar shumë shtrenjtë. Kjo ngarkesë quhet njolla. Njolla nuk i është hequr. Pavarësisht shpenzimeve shumëshifrore. Pra Berisha ka paguar një biletë shumë të shtrenjtë.

Zakonisht biletat e porositura herët kushtojnë lirë. Kjo porosia që daton para zgjedhjeve të 2025 i ka kushtuar shumë arkës së familjes. Përtej financave kostoja politike që paguan PD është shumë më tepër e shtrenjtë. Me këtë biletë që pasagjeri e shet si kartë, edhe pse krejt falso, Berisha mbetet i pakontestueshëm në një parti ku servilizmi bën kërdinë duke instaluar memecëri absolute. Që do të thotë se PD do të vazhdojë ta mbajë në qafë kryetarllëkun e tij për një kohë të gjatë e kështu shpresa për të fituar zgjedhje do mbetet e fikur. 

Të paktën edhe për një mandat tjetër parlamentar 2029-2033. Prandaj bileta Rinas- SHBA me pasagjer Sali Berishën konsolidon vetëm shanset e mazhorancës. Fiks si një shërbim i ri në favor të PS që e paguan nga xhepi i vet. Sepse prapakthimi nuk i shërben askujt. Por as ndenjja në vend. Prandaj PS ka nevojë për të ndërmarrë reforma themelore kushtetuese për t’ia kthyer Republikën qytetarëve dhe për të rivendosur një drejtpeshim demokratik në marrëdhëniet me institucioneve kryesore të shtetit, pa harruar ndërmarrjen e hapave të forta dhe korrigjuese në luftën kundër korrupsionit”, shkroi dje në rrjetet sociale ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi. 

Te tjera

Lajme te tjera