E diel, 20 Shtator, 2026

Berisha “vizitë historike” në SHBA, reagon Salianji: Hap krahun, vendi ka nevojë për opozitë

Share

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar vizitën e kreut të PD-së, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar si një hap pozitiv në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve me aleatin strategjik të Shqipërisë.

Salianji e sheh këtë udhëtim edhe si një mundësi që Berisha të reflektojë për të ardhmen e tij politike dhe për nevojën e një ndryshimi në drejtimin e Partisë Demokratike.

Sipas tij, statusi “non grata” i Berishës për korrupsion nuk ka rënduar vetëm mbi ish-kryeministrin si individ, por ka ndikuar edhe mbi Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare.

“Udhëtimi sot tregon një paradoks të madh, Berisha mund të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara, por nuk mund të udhëtojë politikisht në Shqipëri.”, shprehet Salianji.

Ai rendit edhe disa prej vështirësive që, sipas tij, PD-ja dhe Berisha hasin në terren, duke argumentuar se problemi kryesor i opozitës nuk ndodhet në Uashington, por në Tiranë.

“Nuk mund të bindë Fierin për të organizuar një takim, nuk e viziton dhe as mund të fitojë Shkodrën, nuk organizom dot takim e nuk mund të ndezë Vlorën, nuk bën dot takim në Berat dhe është non grata nga protestuesit në Tiranë. Mbi të gjitha, nuk mund të bindë shumicën e shqiptarëve se është zgjidhja për të ardhmen”, shkruan ai.

Salianji argumenton se largimi i Edi Ramës nga pushteti nuk mund të arrihet përmes përsëritjes së të shkuarës, por përmes ndërtimit të një alternative të re dhe të besueshme politike.

“Edi Rama nuk largohet duke përsëritur të shkuarën. Largohet duke ndërtuar një alternativë që shqiptarët besojnë se mund ta zëvendësojë dhe sot, pengesa më e madhe për këtë alternativë është fakti që PD-ja vazhdon të mbahet peng i një beteje për të shkuarën, në vend që të ndërtojë betejën për të ardhmen”, thekson Salianji.

Në këtë kontekst, ish-deputeti e konsideron vizitën e Berishës në SHBA si një moment që mund të shërbejë për reflektim dhe përsërit thirrjen e tij për dorëheqjen e kreut të PD-së.

“Prandaj, ndoshta ky udhëtim është një mundësi, një mundësi që, larg zhurmës së përditshme, Sali Berisha të reflektojë për atë që do i kërkojnë, dorëheqjen! Të kuptojë se historia e tij nuk mund të jetë përgjithmonë historia e Partisë Demokratike. Të kuptojë se një parti nuk mund të jetë peng i një individi dhe të kuptojë se një dorëheqje dinjitoze nuk është humbje personale, por mund të jetë kontributi i fundit i madh politik për Shqipërinë dhe PD-në.”, shkruan ai.

Salianji e mbyll reagimin e tij me argumentin se PD-ja duhet të ndryshojë për të krijuar mundësinë e një fitoreje ndaj socialistëve.

“Nëse Berisha e do vërtet Partinë Demokratike dhe ka interesin publik të parin ai duhet t’i japë Partisë Demokratike atë që nuk ia ka dhënë dot deri tani; mundësinë për të fituar.

Sepse Shqipëria ka nevojë për një opozitë që fiton, jo për një opozitë që vetëm mbijeton.

Koha për ndryshim është tani! Edi Rama e ka humbur mbështetjen popullore, qytetarët presin të ndryshojë opozita për të larguar Ramën një orë e më parë!”, përfundon Salianji.

Te tjera

Lajme te tjera