E diel, 20 Shtator, 2026

Berisha bashkëbisedim me shqiptarët në Amerikë: Pa qeveri teknike, Shqipëria do të ketë vetëm farsë elektorale. Rruga e vetme për të mbrojtur votën është largimi i Ramës

Share

Pas fjalës së mbajtur në takimin madhështor me shqiptarët e Amerikës, në New Jersey, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi edhe një bashkëbisedimin me shqiptarët duke dhënë mesazhe të forta politike mbi krizën më të rëndë që po kalon Shqipëria: largimin masiv të shqiptarëve, varfërimin, goditjen e ekonomisë, kapjen e institucioneve dhe lidhjen mes pushtetit dhe krimit. Për kreun e Partisë Demokratike, këto nuk janë probleme të ndara, por pjesë të një sistemi qeverisës që, sipas tij, po e shtyn vendin drejt një krize demografike dhe ekonomike pa precedent.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një prej shqiptarëve të Amerikës për shkaqet e emigrimit, lideri i demokratëve Sali Berisha lëshoi akuzat ndaj Edi Ramës dhe politikave të qeverisjes së tij. ‘E vërteta është se në një farë mënyre, po t’i referohemi konventës, nenit 5 të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për gjenocidin, ajo politikë që ka ndjekur qeveria shqiptare, është politikë e krijimit të kushteve të kalkuluara për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria dhe kjo quhet gjenocid. Edhe kjo quhet gjenocid’, deklaroi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Berisha e lidhi krizën e emigrimit me atë që ai e konsideron si kapje të ekonomisë nga paratë e paligjshme. Duke folur për ndërtimet dhe çmimet e apartamenteve, ai tha se: ‘Një i ri duhet të punojë 100 vjet për të marrë një apartament, nëse e merr dot. 50 mijë apartamente rrinë të pashitura në Tiranë. Çmimi i metrit katror është një e treta e vendit me më të larta në Evropë. Narkoshteti është shumë i pamëshirshëm ndaj shqiptarëve. Narkoekonomia pasuron narkoqeveritarët, pasuron trafikantët, narkobiznesmenët, shkatërron ekonominë e të tjerëve.’

Përballja politike, sipas liderit të opozitës Sali Berisha, nuk mund të mbyllet vetëm me denoncime. Ai u shpreh qartë se një nga kërkesat kryesore të opozitës mbetet krijimi i një qeverie teknike, e cila është kusht për rikthimin e garancive në procesin zgjedhor. ‘Vota, zgjedhjet janë një farsë absolutisht si në ditën e diktaturës. Vota e tëra merr fund pa ardhë në kuti. Klanet e fuqishme të drogës diktojnë me dhunë, terror, shpërblim të rinjtë, votën e qytetarëve. Administrata është shndërruar e tëra në patronazhistë’, deklaroi Berisha.

Për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, Berisha premtoi një politikë të posaçme rikthimi, duke e vendosur diasporën në qendër të programit të tij politik. ‘Por një gjë dua të theksoj: me këtë shok të tmerrshëm demografik që ka pësuar, rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri është i vlefshëm për çdo çmim. Dhe ky do jetë parimi mbi të cilin ne do vendosim politikat e rikthimit’, deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në bshkëbisedimin me shqiptarët në Amerikë.

Te tjera

Lajme te tjera