Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa zhvilluan një bashkëbisedim me banorë të lagjes “Skënder Libohova”. Në fjalën e tij Balla vuri theksin te puna e bërë nga Eriselda përgjatë këtyre 30 javëve që ka qenë në krye të kësaj bashkie dhe kërkoi votëbesimin për zgjedhjet e 6 marsit, ndërsa lëshoi akuza të forta në adresë të kandidatëve të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” që mbështet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Prerë dhe qartë deputeti Balla iu bëri thirrje qytetarëve më 6 mars të votoni kandidatët e PS, ndërsa theksoi se emrat e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” i përkasin “non grata” dhe sipas tij, nuk meritojnë të marrin asnjë votë. “Përkrahja për Eriseldën vjen pasi ajo ka përgatitjen dhe eksperiencën për të bërë punë në Lushnjë, ndërsa për sa i përket kandidatëve të tjerë i mëshoj fjalës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku personat “non grata” nuk mund të gëzojnë asnjë votë nga qytetarët e qytetit të Lushnjës. Ajo që kërkojmë është pjesëmarrja sa më e madhe në votime sepse ne do të kemi obligime më tepër për të bërë më shumë punë për Lushnjën”, është shprehur deputeti Balla në fjalën e tij.
Në vijim të inspektimeve në këtë lagje Balla dhe Sefa diskutuan edhe për ndërhyrjet që duhet të bëhen në disa godina në shërbim të komunitetit dhe në pallatet e ndërtuara para viteve ’90, të cilat janë në një gjendje të vështirë dhe duhen bërë ndërhyrje në pjesët e brendshme të këtyre godinave. Një tjetër problem është edhe markata e fruta-perimeve e cila do të ndërtohet së shpejti si dhe rregullimi i hapësirave brenda blloqeve të pallateve të cilat duhen bërë, ndaj për të bërë të gjitha këto punë Balla kërkoi mbështetjen e qytetarëve në 6 mars.