Kryebashkiaku në detyrë i Himarës Jorgo Goro është arrestuar me urdhër të SPAK.
Raportohet se në pranga kanë përfunduar edhe 4 persona të tjerë.
Lajmin e ka bërë me dije kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi. Ai e cilëson arrestimin e Goros si një lajm të mirë që duhet të shoqërohet me arrestime të tjera.
”Arrestimi i Jorgo Gorës është një lajm i mirë, që duhet të shoqërohet me arrestime edhe të bashkëpunëtorëve zë Edi Ramës, që në shkelje të ligjit kanë përfituar prej tij statusin e investitorëve strategjik.
KM duhet me urgjencë të urdhëroj shkarkimim e tij nga detyra’‘, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Kujtojmë se Jorgo Goro është kryetar në detyrë i kësaj bashkie, pasi Fredi Beleri ndodhet në burg, pasi u arrestua nën akuzën për shitblerje votash në zgjedhjet e 14 majit.
Ndaj Goros janë bërë dy kallëzime penale, njëra prej të cilave nga Fredi Beleri, kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, i cili ndodhet në burg.
Beleri i referohet auditimit të KLSH në bashkinë e Himarës për vitet 2019-2021, ku sipas tij janë gjetur shkelje të ligjeve në procedurat e tenderimeve publike, mosmbledhjes së të ardhurave, mospasqyrimit të drejtë të të ardhurave dhe debive në buxhetin e bashkisë dhe në dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.
Së fundmi, vizitat e tij në SPAK kanë qenë të shpeshta. Jorgo Goro, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme ku u mor në pyetje. Ndërkohë, 1 javë më parë, krebashkiaku në detyrë i Himarës u mor në pyetje për 3 orë nga SPAK.
Kujtojmë që më herët është zbardhur edhe padia që Fredi Beleri ka bërë për Jorgo Goron, ish-ministren Xhaçka dhe bashkëshortin e saj për shfrytëzim toke në mënyrë të paligjshme.
Ndaj Jorgo Goros ka dy gjetje, kryesorja është ajo e raportit zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka evidentuar disa dyshime në lidhje me shkeljen e barazisë në tendera, por edhe me investime të caktuara në qytetin e Himarës, gjatë kohës kur Goro mbante postin dhe mandatin e tretë të kryebashkikakut të Himarës.
