E enjte, 13 Shkurt, 2025

Agron Duka: Opozita duhet të bashkojë votat kundër qeverisë, PAA e hapur për bashkëpunime, Rama krahasohet me 2013-ën, si Enveri me 1938-ën, opozita të bashkohet

Share

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Z.Agron Duka, në një intervistë për gazetën “SOT” flet për vendimin e tij për të mos kandiduar më për deputet, por për të qenë ende në politikën aktive. Ai bën thirrje për bashkimin e partive opozitare, që të mos copëzohet vota opozitare, si garanci për të realizuar rrotacionin politik. Ai flet gjithashtu për rëndësinë që ka mbështetja e bujqësisë si sektori më kontribuues për ekonominë kombëtare, pasi sipas tij, fshatrat po braktisën dhe toka po mbetet djerrë, ndërsa tregu mbushet nga prodhimet e importit.

 – Zoti Duka, keni paralajmëruar se nuk do të kandidoni për deputet në zgjedhjet e 11 majit. Cilat janë arsyet kryesore që ju shtynë të merrni këtë vendim dhe si e shihni rolin tuaj në politikën e ardhshme?

Po, është e vërtetë. Unë e kisha deklaruar edhe më herët qëndrimin tim për të mos qenë më në listat e kandidatëve për deputet dhe tashmë këtë e bëra edhe zyrtare. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Në PAA ka burra e gra, të rinj e të reja të aftë dhe me energji të reja që duan të kontribuojnë. Unë mendoj se është koha që t’i jap mundësinë një tjetri për të qenë në vendin tim në Parlament, nëse ne do të përfaqësohemi. Sepse unë s’e kisha marrë me tapi karrigen e deputetit. Por kjo nuk nënkupton tërheqjen time nga angazhimet politike. Unë jam në krye të PAA-së dhe do të punoj për kauzat që ajo përfaqëson dhe mbron.

 – Pavarësisht se nuk do të kandidoni, ju thatë se do të vazhdoni të drejtoni Partinë Agrare Ambientaliste. Çfarë strategjie keni për të forcuar rolin e saj në politikën shqiptare…

PAA është e vetmja forcë politike që ka në fokus bujqësinë dhe mjedisin. Partitë e Gjelbërta në Europë janë shumë të forta sepse kauzat mjedisore po marrin gjithnjë e më shumë peshë. Në Shqipëri, të merresh me çështjet mjedisore duket luks. Por ne mendojmë se pa një bujqësi të zhvilluar dhe pa një mjedis të shëndoshë nuk mund të kemi as ekonomi të përparuar dhe as standard jetese të lartë. Edhe në këto zgjedhje, ne si PAA do të vazhdojmë të ruajmë këtë qasje. Edhe në komunikim e përditshëm publik, ne vazhdojmë të fokusohemi në këto çështje dhe do të vazhdojmë të punojmë për të rritur dimensionin bujqësor dhe mjedisor të politikës në Shqipëri. Por, megjithëkëtë, ne kemi një program më të gjerë se kaq, dhe angazhimet tona padyshim do të jetë të koordinuara me grupimin opozitar, të cilit i përkasim. Si në luftën kundër korrupsionit, prioritetin që duhet të ketë arsimi dhe shëndetësia etj.

 – A keni vendosur me cilën forcë politike do të bashkëpunoni për zgjedhjet e 11 majit? Çfarë kriteresh apo kushte po vendosni për këtë bashkëpunim?

Ne jemi një parti e qendrës dhe i përkasim bllokut politik opozitar të drejtuar nga Partia Demokratike. Ne jemi të hapur me çdo parti, pasi nuk kemi barriera ideologjike. Kriteret tona janë përputhja me kauzat tona që kemi në raport me programin për mbështetjen e fermerëve dhe mbrojtjen e mjedisit, dhe mbi këtë bazë kushtëzojmë edhe aleancat politike. Por unë dhe PAA mendojmë se është koha që të gjithë aktorët opozitarë të bashkohen për të fuqizuar votën opozitare. Duke ruajtur fizionominë ideologjike, partitë opozitare duhet të bashkojnë votat për të mundësuar rrotacionin politik. Çdo copëzim i votës ndihmon të kundërtën.

-Fermerët shqiptarë po përballen me sfida të mëdha, siç janë subvencionet e pamjaftueshme dhe konkurrenca e produkteve të importit. Çfarë zgjidhjesh konkrete ofron PAA për të ndihmuar këtë sektor të dalë nga kriza?

Ne kemi luftuar edhe duke qenë në opozitë për të ndërhyrë ne ligje për të rritur mbështetjen ndaj fermerëve, por për fat të keq nuk kemi gjetur vullnetin e mazhorancës qeverisëse. Ne propozuan rritjen e rolit të qeverisë në zinxhirin e shitjes së prodhimeve vendase. Por u refuzua. Nëse ne nuk vendosim dot masa doganore për të mbrojtur prodhimin vendas, sepse nuk na lejojnë marrëveshjet qe kemi nënshkruar për Tregtinë e Lirë, por askush nuk na pengon të bëjmë diçka tjetër: Shteti ka një sërë institucionesh që konsumojnë produkte ushqimore: ushtria, burgjet, konviktet, spitalet etj, qeveria duhet të kushtëzojë kontratat që kompanitë që bëjnë furnizimin e këtyre institucioneve të blejnë produkte vendase. Bujqësia jonë gjendet nën presion të fortë konkurrimi nga ekonomitë e vendeve të rajonit. Ne nuk jemi shumë konkurrues për të shkak të kostos së lartë, si pasojë e subvencionimit modest që i bëjmë bujqësisë, si pasojë e teknologjisë jo të përparuar dhe copëzimit të fermave. Bujqësia dhe blegtoria janë duke u braktisur dhe nëse ne nuk ndërhyjmë fort, fshati do të mbetet vetëm për ekskursione turistike. Shumë tokë po mbeten djerrë që tani. Ne kemi njerëz shumë punëtorë në fshat, por nëse ata nuk e konvertojnë mundin dhe djersën në para, atëherë do ta braktisin bujqësinë dhe fshatin.

 – Cila është qasja juaj për të nxitur politikat mjedisore në Shqipëri? A mendoni se mund të ndërtohet një balancë mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit?

Zhvillimi është një armik i mjedisit, kjo dihet. Por përpjekjet globale sot bëhen për të ruajtur një balancë mes të dyjave. Ndaj bota ka shpikur “Zhvillimin e Gjelbërt”, si një mundësi e përparimit në harmoni me natyrën. Ne nuk jemi një vend ndotës në aspektin industrial, ne nuk shkarkojmë gazra të dëmshëm në atmosferë. Por kemi probleme serioze me menaxhimin e mbetjeve urbane. Megjithëse kemi miratuar shumë ligje e strategji, ne ende i djegin në natyre plehrat, si në asnjë vend tjetër të Europës, të paktën. Keni parë çfarë ndodh në Elbasan, Vlorë, Fier… Ne mbështesim menaxhimin e mbetjeve urbane sipas strategjisë së miratuar nga disa qeveri, njëra pas tjetrës, që i jep prioritet ripërdorimit të mbetjeve dhe riciklimit, e jo djegies. Ne jemi për ruajtjen e zonave natyrore dhe mbështesim shfuqizimin e ligjit të ri për Zonat e Mbrojtura që u miratua në vitin 2024. Qeveria, nga njëra anë miraton ligje për të mbrojtur Zonat e Mbrojtur e nga ana tjetër bën ligje për lejimin e investimeve në zonat e mbrojtura. Atëherë përse bëhen ligjet?

 -A keni një mesazh për qytetarët, veçanërisht për fermerët dhe ata që mbështesin vizionin e PAA? Çfarë mund të presin ata nga ju në të ardhmen?

Mesazhi është shumë i thjeshtë. Zgjedhjet bëhen një herë në 4 vjet dhe çdo kush duhet të krahasojë ekonominë e tij me atë të para 4 viteve. Enveri e krahasonte gjithmonë qeverisjen e tij me vitin 1938, dhe në çdo moment i dilte më mirë. Dhe normalisht që ishte me mirë. Edi Rama e krahason çdo ditë me vitin 2013 dhe padyshim që në krahasim ne jemi më mire. Pasi për 12 vjet Shqipëria nuk ka qëndruar në vend. Por ne duhet të krahasohemi me mandatin e fundit. Pra nëse fshatari punon më shumë, prodhon më shumë, shet me shumë e fiton më shumë se 4 vjet më parë, atëherë të votojë sërish këtë qeveri, sepse atij nuk i intereson kush është kryeministër, por sa fiton ai në fermën e tij. Nëse ai lodhet më shumë e fiton më pak, atëherë duhet të ndërrohet qeveria. Po kështu edhe të tjerët. Nëse ata fitojnë më shumë tani se para 4 vitesh, shpenzojnë më pak për tu ushqyer e për tu veshur, atëherë të votojnë sërish qeverinë që kanë. Por nëse paguajnë më shumë para për shkollimin e fëmijëve, ushqimin, veshjen, qira, ilaçe, spitale, transport etj, etj, atëherë sërish duhet të ndryshojnë qeverinë.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera