E diel, 20 Shtator, 2026

Spartak Braho analizon situatën juridike, ja pse Erion Veliaj ka të drejtë të firmosë pagat nga paraburgimi, çfarë thotë ligji, faktet dhe prapaskenat e administratës

Share

Në mesin e debateve të nxehta politike pas vendimit të kryebashkiakut Erion Veliajt për anulimin e delegimit të kompetencave dhe shkarkimin e Anuela Ristanit si kryetare e komanduar e Bashkisë së Tiranës, ish-deputeti, juristi i njohur dhe ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, ka bërë një analizë të thelluar juridike mbi zhvillimet e fundit.

Përmes një vështrimi të imtësishëm të kuadrit ligjor në fuqi, ai ka sqaruar përfundimisht ngërçin publik mbi mundësinë e ushtrimit të detyrës nga ana e titullarit të Bashkisë së Tiranës. Z. Braho nënvizoi se izolimi fizik i Erion Veliajt në paraburgim nuk sjell automatikisht humbjen e mandatit të tij si Kryetar Bashkie. Sipas tij, për sa kohë nuk ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë që ia ndalon specifikisht ushtrimin e funksionit publik, Veliaj mbetet de jure nëpunësi autorizues i vetëqeverisjes vendore.

Kjo do të thotë se çdo akt administrativ apo urdhër i nënshkruar prej tij nga ambientet e paraburgimit, përfshirë autorizimin për pagesat e pagave të administratës, është tërësisht i vlefshëm. Ai sqaroi se ligji e njeh të drejtën e delegimit të kompetencave te zëvendëskryetari vetëm me vullnetin e vetë titullarit, çka e bën firmën e tij të domosdoshme në mungesë të këtij tagri. Ndërkohë, ish-kreu i Komisionit të Sigurisë nënvizoi se organet financiare dhe Thesari i Shtetit kanë detyrim ligjor ta njohin dhe ta procesojnë dokumentacionin e firmosur prej tij.  

Pse izolimi fizik nuk sjell humbje të mandatit

Më tej z. Braho sqaron se në të drejtën administrative ekziston një vizë e qartë ndarëse mes masës së sigurimit personal dhe statusit të zgjedhurit vendor: “Është në burg” nuk do të thotë “nuk është më Kryetar”, ashtu si “nuk ndodhet fizikisht në zyrë” nuk e bën të pamundur nxjerrjen e një akti administrativ. Për ta bërë të pavlefshme firmën e Veliajt, duhet të ekzistojë një bazë e qartë ligjore, si përfundimi i mandatit, një shkarkim me vendim të formës së prerë, apo një ndalim specifik gjyqësor për ushtrimin e funksionit publik. Në mungesë të tyre, Veliaj mbetet titullari i vetëm me taksativitet ligjor.

Si funksionon kompetenca nga paraburgimi?

Në mbështetje të këtij qëndrimi, analiza bazohet në dy shtylla kryesore ligjore:

·Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”: Neni 59 përcakton se ushtrimi i mandatit të kryetarit përfundon vetëm kur betohet pasardhësi. Ligji nuk parashikon që paraburgimi e ndërpret automatikisht këtë mandat. Për më tepër, neni 64 i jep kryetarit të drejtën ekskluzive të miratojë strukturën, organikën dhe kategoritë e pagave.

·Ligji 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”: Neni 7 e përcakton Kryetarin e Bashkisë si “nëpunësin autorizues” për menaxhimin e financave publike vendore. Ligji lejon që kjo kompetencë t’i delegohet zëvendëskryetarit vetëm me shkrim.

Nëse një delegim i tillë nuk është kryer më parë nga vetë Veliaj, ai vazhdon të jetë i vetmi zyrtar i ngarkuar nga ligji për të vepruar si nëpunës autorizues.

Nga firma te Thesari, rruga administrative e ekzekutimit të pagave

Fakti që Veliaj nënshkruan urdhrin nga paraburgimi shërben si hapi i parë dhe me rëndësi kritike për çeljen e fondit të pagave. Më pas, procedura nuk kërkon që ai të kryejë veprimet teknike: struktura e financës vepron si “nëpunës zbatues”, ndërsa Dega e Thesarit kontrollon dhe proceson pagesat sipas rregullave financiare në fuqi (Ligji 10 296). Në përfundim, analiza e Brahos nëliron ngërçin mediatik: firma e Erion Veliajt mbi urdhrin e pagave nga paraburgimi është tërësisht e vlefshme, ligjore dhe e detyrueshme për zbatim nga të gjitha organet financiare. /gazeta sot/

Te tjera

Lajme te tjera