Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, komentoi zhvillimet më të fundit politike në vend, procesin e ripërtëritjes së PD-së, protestat qytetare, arrestimin e Ergys Agasit, situatën ekonomike, reformën territoriale dhe marrëdhëniet me Kosovën, ndërsa iu përgjigj edhe pyetjeve të qytetarëve për zhvillimet brenda mazhorancës dhe veprimtarinë e SPAK-ut.
Berisha e cilësoi javën që lamë pas si një moment të rëndësishëm për Partinë Demokratike, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të partisë, ku në fokus ishte procesi i ripërtëritjes dhe modernizimit të strukturave. Sipas liderit demokrat, në qendër të këtij procesi duhet të jetë anëtari i PD-së, iniciativa dhe hapësira e tij për të kontribuar, me synimin që partia të shndërrohet në një forcë më të organizuar dhe konkurruese përballë mazhorancës.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij hyrëse, Berisha ia kushtoi arrestimit të Ergys Agasit. Ai ngriti dyshime mbi rrethanat e arrestimit, duke theksuar se bëhet fjalë për një person me lidhje të rëndësishme me pushtetin dhe struktura kriminale. Berisha vuri në pikëpyetje edhe transferimin e Agasit në burgun e Bradasheshit, duke bërë me dije se ky institucion kontrollohet nga persona të lidhur me mazhorancën. Megjithatë, ai theksoi se dyshimet nuk mund të konsiderohen si fakte të mirëfillta dhe kërkoi që çështja të monitorohet edhe nga agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.
Duke iu përgjigjur një qytetari në rrjetet sociale që e pyeti për kreun e SPAK-ut, Klodian Braho, dhe një udhëtim të tij në Shtetet e Bashkuara, Berisha tha se nuk mund të përcaktojë arsyen e thirrjes së këtij të fundit, por vlerësoi si të rëndësishëm angazhimin amerikan në luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Ai përsëriti qëndrimin e tij se Shqipëria është shndërruar në një narkoshtet dhe deklaroi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit duhet të ketë mbështetje më të madhe ndërkombëtare.
Berisha u ndal edhe te situata ekonomike, duke iu referuar të dhënave që ai ia atribuoi Eurostat-it. Kryetari i PD theksoi se prodhimi industrial në Shqipëri ka pësuar rënie të ndjeshme dhe kritikoi rritjen e sektorit të ndërtimit, duke argumentuar se rritja ekonomike nuk është reflektuar në mënyrë të barabartë te qytetarët. Sipas tij, çmimet e larta, papunësia, emigracioni dhe dobësimi i shërbimeve publike janë disa nga pasojat e politikave të qeverisë.
I pyetur për deklaratat e Ulsi Manjas për Kosovën, Berisha reagoi ashpër, duke i cilësuar ato si të papërgjegjshme. Ai akuzoi Edi Ramën se ka mbajtur qëndrime të dëmshme ndaj Kosovës dhe deklaroi se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm gjatë 17 viteve të fundit. Berisha solli si shembuj çmimet e karburanteve, subvencionet për fermerët dhe pagat e mjekëve, duke pretenduar se në disa prej këtyre treguesve Kosova qëndron më mirë se Shqipëria.
Pyetjes së një qytetari për zhvillimet në Bashkinë e Tiranës dhe shkarkimit të kryetares së komanduar, Anuela Ristani, Berisha iu përgjigj duke folur për një përplasje në rritje mes Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Ai e interpretoi këtë zhvillim si shenjë të dobësimit të kryeministrit dhe tha se konflikti mes tyre mund të krijojë hapësirë për opozitën. Berisha deklaroi se viktimë e kësaj përplasjeje janë qytetarët e Tiranës dhe kritikoi gjendjen e qytetit dhe veçanërisht ndotjen në lumin e Tiranës.
Sa i takon protestave qytetare, Berisha deklaroi se PD do të mbështesë pjesëmarrjen masive të demokratëve, por kërkoi që ata të marrin pjesë pa simbole partiake dhe në cilësinë e qytetarëve. Sipas tij, protesta ka luajtur një rol të rëndësishëm në denoncimin dhe ndërkombëtarizimin e problematikave që opozita ngre ndaj qeverisë.
Një tjetër pyetje në lidhjee me pasurinë e Edi Ramës dhe zyrtarëve të tjerë. Berisha theksoi se pasuria e kryeministrit mund të jetë shumë më e madhe nga sa është bërë publike dhe iu referua disa rasteve të zyrtarëve dhe biznesmenëve të akuzuar ose të përfolur për pasuri të mëdha. Ai kërkoi krijimin e një agjencie të posaçme për hetimin e pasurive të fshehura të zyrtarëve, personave të lidhur me krimin dhe narkotrafikantëve, duke e cilësuar këtë si një proces jetik për vendin.
I pyetur nëse PD do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore në rast se mazhoranca miraton në mënyrë të njëanshme reformën territoriale, Berisha tha se opozita do të ndjekë të gjitha rrugët për të mbrojtur qëndrimet e saj. Ai deklaroi se PD synon një hartë me 100 bashki dhe se mund të propozojë edhe krijimin e bashkive të tjera, në varësi të konsultimeve me komunitetet. Sipas tij, reforma territoriale ka ndikuar edhe në procesin e shpopullimit të vendit.
Një tjetër qytetar e pyeti Berishën se përse Edi Rama përmendet në dosje kriminale, por nuk thirret nga SPAK. Berisha përsëriti akuzat e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe ngriti një seri akuzash për funksionimin e AKSHI-t dhe tenderat publikë. Ai theksoi se persona të afërt me qeverinë kanë pasur ndikim në proceset e tenderimit dhe iu referua një materiali që ndodhet në dosje hetimore. Berisha akuzoi gjithashtu SPAK-un se nuk ka hetuar sa duhet këto pretendime.
Gjatë bashkëbisedimit, Berisha u pyet edhe për zërat se Grida Duma mund të marrë një rol të rëndësishëm në qeveri dhe të përdoret nga Edi Rama për të zëvendësuar Belinda Ballukun. Lideri demokrat i cilësoi këto pretendime si “llafe kafeneje” dhe tha se Rama vazhdon ta kontrollojë politikisht Ballukun.
I pyetur nëse mund të përballet me ndonjë hetim ndërkombëtar Edi Rama, Berisha deklaroi se institucione të vendeve partnere kanë në dispozicion materiale dhe dosje që lidhen me kryeministrin. Kryetari i PD përsëriti akuzat për përdorimin e avionëve dhe udhëtimet jashtë vendit, si dhe akuza për transportimin e parave jashtë Shqipërisë, duke thënë se këto çështje duhet të hetohen.
Në fund të bashkëbisedimit, Berisha konfirmoi se pret të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara në shtator, ku pritet të marrë pjesë në një konferencë në Teksas në kuadër të aktiviteteve të lidhura me zgjedhjet e mesmandatit. Ai tha se ka marrë edhe një ftesë nga një institut amerikan dhe se po shqyrton mundësinë e zhvillimit të takimeve të tjera gjatë vizitës.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari i PD-së u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës që të marrin pjesë në protestat qytetare dhe demokratëve që të angazhohen në procesin e ripërtëritjes së Partisë Demokratike. Berisha e lidhi këtë proces me nevojën e Shqipërisë për një ndryshim të thellë politik, duke kërkuar nga strukturat dhe mbështetësit e PD-së të shumëfishojnë angazhimin në “kilometrat e fundit” drejt ripërtëritjes së partisë.
