E martë, 22 Shtator, 2026

Nga banja tek sallonet e pushtetit: Kush janë 4 ndihmësit më të besuar të Vladimir Putinit?

Share

Janë njerëzit që i qëndrojnë më pranë Vladimir Putinit. E shoqërojnë në udhëtime, në takime dhe në rezidencat e tij, ndërsa në disa raste janë pranë tij edhe në momentet më private. Për ta dihet shumë pak, pavarësisht se prej vitesh janë pjesë e rrethit më të ngushtë të presidentit rus.

Zyrtarisht njihen si adjutantë, një grup i vogël ndihmësish personalë që përzgjidhen nga njësia e mbrojtjes presidenciale e Shërbimit Federal të Mbrojtjes, FSO. Kremlini nuk publikon emrat e tyre, detyrat konkrete apo mënyrën se si zgjidhen.

Megjithatë, roli i tyre duket se shkon shumë përtej sigurisë. Ata kujdesen për axhendën, udhëtimet dhe kërkesat e presidentit, përfshirë edhe çështje që kërkojnë konfidencialitet maksimal.

Sipas grupit ukrainas të hetimeve me burime të hapura OSINT Bees, Putini aktualisht ka 4 ndihmës të tillë: Alexey Melnikov, Sergey Moskalenko, Konstantin Panin dhe Ivan Rozhkov. Ata janë nga 38-43 vjeç.

Emrat e tyre ishin përfshirë edhe vitin e kaluar në një listë më të gjerë të personave të mundshëm për këtë rol, të publikuar nga Dossier Centre, një organizatë mediatike e lidhur me miliarderin rus në mërgim Mikhail Khodorkovsky.

Nuk dihet se prej sa kohësh secili prej tyre shërben pranë Putinit. Fotografitë e publikuara ndër vite i tregojnë në krah të presidentit në vizita ushtarake, në Krimenë e pushtuar dhe gjatë takimeve të përzgjedhura me publikun.

Ata shfaqen gjithashtu në udhëtime jashtë Rusisë, përfshirë vizitën e Putinit në Abu Dhabi në vitin 2023 dhe takimin me presidentin kinez Xi Jinping në Kinë në maj.

Një nga ndihmësit, Ivan Rozhkov, u shfaq në një video të vitit 2019 duke shoqëruar Putinin drejt banjës gjatë një vizite në Paris.
Pamjet nxitën pretendime se njerëzit më të afërt të presidentit, marrin masa jashtëzakonisht të rrepta për të mos lejuar që shtetet e huaja të sigurojnë të dhëna mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Një ish-agjent i FSO-së i tha medias së pavarur ruse “Important Stories” se një ndihmës i presidentit është një oficer për detyra speciale, i cili qëndron vazhdimisht pranë tij, e shoqëron në çdo udhëtim, fle në dhoma ngjitur dhe përmbush edhe kërkesat më delikate.

Ish-truproja e Putinit, Aleksey Dyumin, i ka përshkruar këta njerëz si një “kastë të zgjedhur”, mbi nivelin e zakonshëm të oficerëve të sigurisë. Afërsia e tyre me presidentin nuk kufizohet vetëm te detyrat zyrtare.

Sipas Dossier Centre, ish-ndihmësi Boris Chalov ka shërbyer si pikë kontakti për të dashurat dhe fëmijët e Putinit që nuk janë pranuar publikisht. Presidenti rus është përfolur prej vitesh se ka dy djem me ish-gjimnasten Alina Kabaeva, por Kremlini nuk e ka konfirmuar publikisht këtë.

Eksperti i historisë dhe politikës ruse Mark Galeotti, i krahason këta ndihmës me njerëzit që qëndrojnë në rrethin më të afërt të një presidenti amerikan dhe që merren me gjithçka, nga axhenda e përditshme deri te çështjet më private.

“Ata janë në një pozicion besimi të jashtëzakonshëm dhe kalojnë shumë kohë me shefin”, thotë Galeotti. Kjo afërsi mund të jetë gjithashtu një rrugë drejt pushtetit. Disa prej ish-ndihmësve të Putinit, janë ngjitur në nivelet më të larta të administratës ruse.

Për shembull, Dmitry Mironov, kaloi nga ky rol në postin e zëvendësministrit të Brendshëm, më pas u bë guvernator i rajonit Yaroslavl dhe sot është një nga këshilltarët kryesorë të presidentit. Një tjetër ish-ndihmës, Alexander Kurenkov, është aktualisht ministër në qeverinë ruse.

Dokumentet e siguruara nga OSINT Bees, japin një ide edhe më të qartë për mënyrën se si funksionon ky rreth i vogël të besuarish. Një planimetri e rezidencës verore të Putinit në Soçi, e cila sipas grupit ukrainas është marrë nga emaili i një oficeri të FSO-së, tregon dy dhoma VIP për presidentin, pranë tri dhomave të rezervuara për ndihmësit e tij personalë.

Kompleksi përfshin dhjetëra dhoma gjumi, një sallon dhe një dhomë masazhi.  “The i Paper” dhe ekspertë të pavarur, nuk kanë mundur të verifikojnë në mënyrë të pavarur autenticitetin e dokumentit. Putini raportohet se e braktisi këtë rezidencë në vitin 2024 për arsye sigurie.

Hetuesit ukrainas thonë se kanë siguruar edhe një grafik shërbimi që tregon ndërrimin e turneve. Sipas dokumentit, 4 ndihmësit alternohen dhe rrallë ndodhen të gjithë njëkohësisht në detyrë. Jashtë detyrës, këta njerëz duket se bëjnë një jetë të privilegjuar.

Dokumentet dhe fotografitë e shqyrtuara nga “The i Paper” tregojnë pushime në vende ekzotike, makina të shtrenjta dhe udhëtime të shpeshta. Melnikov shfaqet me bashkëshorten e tij në plazhe të ndryshme, në një varkë dhe gjatë hedhjeve me parashutë.

Rozhkov dhe partnerja e tij rezultojnë të kenë udhëtuar shpesh me avion drejt dhe nga Moska. Panin dhe bashkëshortja e tij kanë në bashkëpronësi një pronë në kryeqytetin rus dhe një makinë Audi.

Fotografitë nga llogaritë e familjarëve dhe partnerëve të tyre në rrjetet sociale tregojnë Melnikovin me një BMë X5, Moskalenkon me një Mercedes-Benz dhe Rozhkovin me një Toyota Land Cruiser.

Një zëdhënës i OSINT Bees, tha se dokumentet tregojnë se këta njerëz “duan të udhëtojnë në vende ekzotike dhe u pëlqejnë makinat e mira”. Grupi ukrainas, i cili në hetime të mëparshme ka zbuluar të dhëna personale për një komandant të marinës ruse dhe identitetin e një blogeri të njohur ushtarak, thotë se synimi i tij është identifikimi i personave të përfshirë në krime lufte.

Por afërsia e jashtëzakonshme me Putinin i bën këta njerëz të veçantë. Sipas zëdhënësit të grupit, ata janë aq pranë presidentit sa teorikisht mund të ndërmarrin veprime edhe kundër tij, deri në “izolimin ose arrestimin” e tij.

Andrei Soldatov, një nga ekspertët më të njohur për shërbimet ruse të sigurisë, tha se publikimi i të dhënave personale për njerëzit më të afërt të Putinit “mund ta bëjë atë nervoz”.

Megjithatë, ai e cilësoi idenë se këta ndihmës mund të përdoren për një komplot kundër presidentit si “të menduarit e dëshiruar”, pra më shumë një skenar hipotetik sesa një mundësi reale./  “The i Paper”

Te tjera

Lajme te tjera