E diel, 3 Maj, 2026

SPAK trondit elitën e krimit të organizuar, të arrestuar dhe në kërkim më të fortët e vendit, goditen politikanë, ish-drejtorë edhe punonjës të Policisë së Shtetit, futen në lojë dhe ndërkombëtarët, zbardhen vrasje të bujshme, gjenden para e flori në banesat e tyre, ja lista me emrat “VIP”

Share

Rigels Seliman

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka tronditur elitën e krimit të organizuar, politikanë, ish-drejtorë edhe punonjës të Policisë së Shtetit. Zbardhja e bisedave të personave që përdornin aplikacionet “SKY ECC” apo “ENCRO CHAT” ka bërë që Gjykata e Posaçme anti-korrupsion të lëshojë dje mbi 40 urdhër-arreste për ngjarje të ndryshme kriminale në vend, nga vrasjet, porosia e tyre, trafiku ndërkombëtar I drogës, apo edhe zhdukja e personave. Për këtë arsye, në orët e para të mëngjesit, SPAK ka nisur një operacion të gjerë në disa qytete të vendit, si Tirana, Durrësi, Vlora, Lezha, Shkodra dhe Kruja.  Hetimet drejtohen nga prokurori Alfred Shehu, i cili pasi mori vendimin nga GJKKO, dha urdhrin për ekzekutimin e urdhër arresteve. Pjesë e hetimit të kësaj dosje është edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.

Lista me emra VIP

Nga vëllezërit Leonard e Erlis Duka (armiq të Ervis Martinaj), Astrit dhe Altin Avdylaj, Valter dhe Burim Bami, te Endrit Dokle, Plarent Dervishaj, Fatmir Hyseni i njohur si Doçja, Mir Brruli kushëriri i Pëllumb Gjokës, janë disa prej emrat e personazheve të botës së krimit për të cilët është lëshuar urdhër arrest. Deri më tani mësohet se vetëm 9 urdhër-arreste janë zbatuar. Në kërkim është dhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka. Vëllait të tij Xhevi Ndoka i është komunikuar masa në qeli pasi ndodhet në burg për tjetërsimin e pronave në Shëngjin. Në pranga mësohet se kanë rënë edhe Armando Ndreca dhe Elvis Ndreca, vëllai dhe djali i xhaxhait të deputetit socialist Eduard Ndreca. Armando u arrestua më 10 mars 2024 për një shtëpi bari në Lezhë, por u la i lirë pasi Gjykata tha se nuk kishte prova që e implikonin.

Goditjet

Pasditen e djeshme u mësua se është firmosur urdhër-arrest edhe për d efektivë të policisë së shtetit.

Përveç anëtarëve të grupeve kriminale, me urdhër të SPAK janë arrestuar dy punonjës dhe një ish-punonjës të Policisë së Shtetit. SPAK ka firmosur urdhër-arrest edhe për Henrigert Mitrin, ish-drejtues i Policisë së Lezhës dhe efektivin Klodian Shahini, ish punonjës policie kufitare, aktualisht efektivë në policinë e Shtetit. Po ashtu SPAK ka firmosur urdhër arresti edhe për Altin Morinën, ish-efektivi i RENEA-s i cili u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro. 43-vjeçari, me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plasmasi. Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal. Altin Morina, dyshohet se ka lidhje me grUpin e Ervis Martinajt. Pak ditë para se të arrestohej ai u pa në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.

Urdhër arrest është lëshuar edhe për Lul Berishën ish-kreun e bandës së Durrësit, i cili rezulton i arrestuar më 14 dhjetor 2023 në Spanjë. Burime thonë se përveç Lul Berishës, urdhër arrest është lëshuar edhe për një person tjetër që ndodhet në Spanjë. Deri më tani mësohet se vetëm 11 masa sigurie janë zbatuar, ndërsa  deri tani janë zbardhur 22 emra.

Zbardhen vrasjet, para e flori në banesat e “kokave” të krimit

Prokuroria e Posaçme nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare, por burime bëjnë me dije se janë zbardhur 6 ngjarje kriminale në afatin kohor nga 2018 deri në 2021.  Një ndër to, është ekzekutimi ditën e Pashkëve i Bardhok Pllanës, 3 vite më parë, i njohur ndryshe edhe si “Kumbari”. Përveçse shumave të mëdha të parave dhe flori, gjetur dke gjatë kontrolleve në banesat e bosëve të krimit, disa nga ngjarjet mbi të cilat SPAK ka hedhur dritë, kanë të bëjë me vrasjen e njerëzve të Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej gushtit 2022. Dhe pikërisht ishin përplasjet për këtë biznes që sollën eliminimin e rrethit të ngushtë të miqve të Martinaj. Dyshohet  se është zbardhur ekzekutimi i biznesmenit Bardhok Pllanaj, të dielën e Pashkëve, më 4 Prill 2021 në Shkodër. I njohur me nofkën “Kumbari”, ndërtues i pallateve, por i skeduar dhe për trafik droge ishte nisur drejt Malësisë së Madhe, kur një skuadër qitësish profesionistë ju vunë në ndjekje dhe e vranë 50 metra larg shtëpisë, në fshatin Dobraç i Ri. Po ashtu, dritë është hedhur edhe mbi atentatin e dështuar ndaj 33-vjeçarit Taulant Pepaj më 21 shkurt 2021. Interesante duket se SPAK ka zbardhur edhe përplasjet mes Durim Bamit dhe grupit Avdylaj, që nga miq u kthyen në rivalë. Është zbardhur vrasja në 2021-in në zonën e Astirit e Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit. Një tjetër rast, është atentati ndaj Can Karriqit, një prej njerëzve më të besuar të Martinajt, atentati ndaj Ylli Brahimit, apo ekzekutimi i Brilant Martinajt. Më tej burimet thonë, se janë zbuluar disa atentate dhe në Durrës, ngjarje ku përfshihen Plaurent Dervishaj dhe Endrit Dokle, dy personazhe të njohur të bandës së Durrësit. 

Qytetet ku bastisi RENEA

Dhjetëra forca të RENEA, FNSH, nisën kontrollet prej orës 03:00 të mëngjesit të 17 majit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin. Kontrolle u ushtruan në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe, i zhdukur që prej gushtit 2022. Po ashtu në ‘sitë’ ishin edhe banesat e klanit Duka në Fresk të Tiranës, të cilët të cilët dyshohen si autorë të vrasjes së ish-efektivit të policisë Santiago Malko, mik i Martinaj. Po ashtu kontrolle pati edhe në Vlorë në banesën e Fatmir Hysenit, në banesën e Albert Zajës, i dënuar me 19 vite burg për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Por, ‘gjuetia’ për bosët e krimit deri më tani ka rezultuar pa sukses, pasi ata nuk janë gjetur në banesat e kontrolluara, ndërsa disa prej tyre dyshohet se fshihen në Dubai. Fatmir Hyseni nga Vlora është tjetër emër i rëndësishëm për të cilin është lëshuar urdhër arrest. Fatmir Hyseni i njohur ndryshe edhe si “Doçja”,është anëtar i grupit kriminal “Duka” dhe dyshohet i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko shok i ish bosit të lojërave të fati Ervis Martinaj. Por Hyseni dyshohet i përfshirë edhe në atentatin e përgjakshëm në mbikalimin e Fushë Krujës, ku u vranë Brilant Martinaj nipi i Ervis Martinajt, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka në tetor të vitit 2018 u arrestua gjatë operacionit “Volvo 4”, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në Shëngjin, por më pas procesi ndaj tij vijoi me arrest shtëpie e detyrim paraqitje. Për tjetërsimin e pronave, në burg janë vëllai i tij Xhevi Ndoka dhe motra Mimoza Ndoka. Emri i Arben Ndokës del tek Metamorfoza, në bisedën mes Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, për eliminimin e armiqve.

Arrestime në Spanjë dhe Itali

Gjithashtu mësohet se SPAK ka futur në lojë dhe ndërkombëtarët dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme janë arrestuar  dje në dy shtete europiane.  Raportohet se Denis Meta është vënë në pranga në Spanjë, ndërsa Arian Tuku është kapur në Itali.  Sipas hetimeve të SPAK, dyshja rezultojnë të implikuar në episode të ndryshme kriminale. Arrestimet e tyre u kryen në bashkëpunim mes Interpol Tirana dhe autoriteteve italiane dhe spanjolle. Nga hetimet e SPAK rezulton se Arian Tuku, 36 vjeç nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën (Deda) i njohur si “Leksi i Druve”. Gjithashtu 36-vjeçari ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit. Po sipas SPAK, në 2020 ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se shtetasi Arian Tuku, djali i Zef dhe Veranikës, i datëlindjes 02.02.1988 në Lezhë, më datë 01.12.2020 ka tentuar të vrasë shtetasin Aleks NDRKA. Gjithashtu ky shtetas ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Durim BAMI. Më datë 03.11.2020, ai ka trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa të cilat janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Veprat e mësipërme janë kryer prej tij në një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të një grupi të strukturuar kriminal.’-njofton SPAK. Arian Tuku është dhëndri i Arben Ndokës, ish-deputetit të PS-së, i cili po ashtu është në kërkim pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar urdhër-arrest. ‘Leksi i Druve’ ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka.

Box

Nën shënjestrën e SPAK, kush janë Astrit e Altin Avdylaj, ‘kokat’ e bandës së Shijakut

Astrit Avdylaj, me nofkën Niçja, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza droge, vrasje, prostitucion, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj. Astrit Avdylaj u arrestua në vitin 2018 si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës që u gjet ne Has.  Gjatë hetimit rezultoi se Astrit Avdylaj dhe personat e tjerë merreshin me trafikimin e sasive të madhe të lëndëve narkotike, ku droga vinte nga Kolumbia, Turqia dhe Peruja dhe përpunohëj në laboratorin në Has dhe më pas shpërndahej në shtetet europiane si Holanda, Gjermania, Franca etj.  Ishin përgjimet që nxorën zbuluar grupi i Avdylajve të Shijakut. Banda e Avdylajve në Shijak bashkëpunonte me atë të Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë.

Kush është Lul Berisha?

Në vitin 2016, Lul Berisha  arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me pretendimet e shkaqeve shëndetësore. Ky vendim në atë kohë erdhi pasi Gjykata e Lartë kishte refuzuar prokurorinë për dënimin me burgim të përjetshëm. Berisha u arrestua në 2006-ën për aktivitetin kriminal të bandës së Durrësit të kryer në vitet 1998­- 2000 për veprat penale “Vrasjes me paramendim” të kryer në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. 16 anëtarë të kësaj bande u dënuan në total me 245 vjet burgim nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda. Megjithatë, në janar të vitit 2022 Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga Prokuroria e Durrësit për të njëjtën gjë që u lirua në 2016-ën. Shkak rreth 2 vjet më parë u bë pasi Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e lirimit të tij me kusht. Në vitin 2020, Lulzim Berisha u shpall në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë. Për vrasjen e Lames çështja u pushua, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.


22 emrat e zbardhur deri më tani për të cilët janë lëshuar urdhër arreste

Leonard Duka – Tirane 
 2- Erlis Duka – Tirane 
 3- Astrit Avdylaj – Shijak
 4- Altin Avdylaj – Shijak 
 5- Valter Bami – Kruje
 6- Durim Bami – Kruje 
 7- Endrit Dokle – Durres 
 8- Plarent Dervishaj – Durres 
 9- Arben Ndoka, ish-deputeti i PS –  Lezhe  
10- Xhevi Ndoka në burg, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka – Lezhe  
11- Fatmir Hyseni alias Doçja  -Vlore 
12- Albert Zaja, i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit – Fushe Kruje
13- Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca – Lezhe 
14- Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS, Eduard Ndreca
15- Miri Bruli- Shkoder 
16- Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë
17 – Ergert Mitri – Polic, Ish drejtori i policisë Lezhe
18- Klodian Shahini – ish punonjës policie kufitare
19 – Altin Morina – Ish efektiv i RENEA-s
20- Marklen Haka
21- Arjan Tuku, arrestuar në Itali
22- Denis Meta, arrestuar në Spanjë

Deri tani 9 urdhër arreste të ekzekutuara

Ngjarjet kriminale për të cilat SPAK hodhi dritë

1-Ekzekutimi i Bardhok Pllanës në Shkodër
2-Përplasja e Avdylajve me Bamët e Niklës
3-Vrasja e Brilant Martinajt me shokët
4-Vrasja e Can Karriqit 
5-Vrasja e Erigers Mihasit 
6-Vrasja e Armando Dumanit

Te tjera

Lajme te tjera